Deputeti i Bulqizës, Përparim Spahiu është djalë i një minatori dhe ka depozituar një projektligj për statusin e minatorit në Kuvend.

“Unë jam djalë i rritur në Bulqizë, e njoh mjaft mirë jetën e minatorëve, pa përmendur tim at që ka punuar 32 vite në minierë. Them që nuk jam në konflikt interesi, se ai është 82 vjeç sot dhe nuk përfiton nga statusi”, tha Përparim Spahiu.

Ky projektligj është depozituar në vitin 2017 dhe, për më shumë se një vit, mbahej i bllokuar në sirtar. Vetëm në muajin nëntor të 2018-s drafti u mor në shqyrtim, por jo për t’u miratuar.

“Drafti është një akord mes palësh, që thjesht e mora dhe kreva detyrën. Jo vetëm detyrën, por si deputet kisha mundësi ta prezantoja në Parlament, e kisha detyrim përtej morales. Ende ndiej habi pse nuk kaloi. Thjesht çështja u konsiderua si politikë, pse një deputet i LSI-së e bëri dhe jo ne”, tha Përparim Spahiu.

Projektligji në fjalë ishte i njëjtë me “Statusin e naftëtarit”, i cili është miratuar nga e njëjta mazhorancë.

“Statusi konkretisht ka të bëjë me një pagë minimale, sa dyfishi i pagës së miratuar, më të lartë se ç’marrin aktualisht. Ka të bëjë edhe me trajtimin shendetësor dhe pika kryesore është kur familja humbet prindin”, tha Përparim Spahiu.

Mazhoranca e rrëzoi projektligjin e propozuar nga Spahiu, me arsyetimin se sillte pasoja negative në skemën e pensioneve. Fatura financiare nuk i kalonte më tepër se 5 milionë euro në vit. Pas bllokimit qëndronte lobimi i fuqishëm i biznesmenëve të kromit. Askush prej tyre nuk kishte interes që t’u jepte minatorëve atë që u takon.