Sektori i arsimit është reduktuar më shumë se 35% që nga viti 1990 si në numrin e nxënësve, mësuesve edhe shkollave. Gjatë periudhës 1991-2018, numri i nxënësve që ndjekin arsimin parauniversitar u tkurr me 35%, numri i mësuesve ra me 22%, rreth 35% e shkollave u mbyllën, teksa klasat u reduktuan me 70%. Shqipëria po tenton modelin finlandez të arsimit, por politikat po shkojnë për të kundërtën.

Si po dëmtohet arsimi nga tranzicioni demografik, cilësia e dobët e trupës arsimore, mungesa e financimeve dhe mospërshtatje me kurrikulën. Ish-ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, thotë se duhet të investohet të paktën 5% e PBB në arsim për një dekadë rresht

Sistemi arsimor në vend, edhe këtë vit të ri shkollor, vetëm sa ka përkeqësuar problemet e akumuluara prej vitesh, me financime të pamjaftueshme, infrastrukturë të dobët shkollore, hendek në nivelin e trupës arsimore dhe rënie drastike të numrit të nxënësve, si pasojë e rënies së numrit të lindjeve me rikthimin e valës së re të emigrimit të familjeve.

Veç këtyre dobësive, modeli arsimor që kemi zgjedhur të ndjekim, ai i Finlandës, që është më efikasi në Europë, ka dështuar të ushtrohet në kushtet e Shqipërisë. Finlanda arriti në 2015 vendin e dytë në botë për njohurit e larta që 15-vjeçarët atje kanë për shkencat, matematikën dhe të lexuarit sipas Programit për Vlerësimin e Studentëve Ndërkombëtarë (PISA). Ndërsa Shqipëria u rendit shumë poshtë mesatares në rang botëror, duke u krahasuar me vende të Azisë dhe Afrikës, edhe pse vitet e fundit ka bërë përmirësime. Por çfarë ka bërë Finlanda që është prijësi i arsimit në Europë?

Në shtetin e vogël nordik prej rreth 5 milionë banorësh është më e vështirë të bëhesh mësues, se sa mjek, jurist apo ekonomist. Shkollat e larta të mësuesisë përzgjedhin 10 përqindëshin më të mirë të gjimnazistëve dhe kurrikulat e kanë të kombinuar në mënyrë të përsosur praktikën me teorinë. Teksa Shqipëria ëndërron Finlandën, për 28 vite rresht që kur ka rënë sistemi komunist, degët e mësuesisë ndiqen nga 20% më i dobët i studentëve. Lëndët e mësuesisë ishin aq pak të zgjedhura sa prej vitesh degët e matematikës, biokimisë, jo vetëm që kanë thithur gjimnazistët e 10% më të ulët, duke u degdisur shpesh me kuota bosh.

Për më shumë se dy dekada, Shqipëria i ka vënë “minat” shkollave të larta të mësuesisë, duke e lënë vendin pa asnjë zgjidhje në drejtim të përmirësimit të cilësisë së mësimdhënies. Që këtu, modeli i Finlandës është një dështim, pa llogaritur faktin se Shqipëria sistematikisht gjatë tre dekadave të fundit ka financuar rreth 3% të PBB-së, teksa Finlanda modeli që ne ndjekim edhe sot e kësaj dite, jep 7% të fondeve për arsimi. Fëmijët në Finlandë nisin shkollën në moshën 7 vjeç, mësimi fillon pas orës 9. Në gjashtë vitet e para kanë vetëm një mësues dhe për më tepër shkolla nuk konceptohet si një detyrim. Gjithkush prej nesh e dimë se, Shqipëria nuk ngjan askund me modelin që ka zgjedhur.

Për më tepër suksesi i Finlandës nuk është më shumë te cilësia e mësimdhënies, por më shumë nga aksesi i barabartë në arsim që kanë nxënësit në të gjithë vendin. Cilësia është njësoj, një shërbim që shumë vende të tjera europiane edhe më të zhvilluara të Europës qendrore ende nuk e kanë. Por Shqipëria po bën ende hapa pas në këtë drejtim, pasi prej largimit të popullsisë, shkollat në zonat e varfra të vendit po mbyllen masivisht, duke e zbehur perspektivën e shkollimit për ato familje të varfra që jetojnë ende atje.

Ish-ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, tha se në themel të dobësive të sistemit arsimor në vend qëndron mungesa e financimeve dhe vizionit. Ai tha se vendet që kanë tentuar të sjellin arsimin e tyre në një nivel tjetër për një dekadë rresht kanë investuar 5% të PBB-së. Ish-ministri u shpreh se duhen stimuluar, nëpërmjet bursave, degët e mësuesisë, në mënyrë që të përthithen studentë të mirë dhe më tej duhet të bëhet një lidhje më e fortë mes shkollës së lartë të mësuesisë dhe praktikës mësimore. Tafaj tha se po nuk u bënë këto ndërhyrje, Shqipëria nuk do të jetë konkurruese as me rajonin. http://www.monitor.al/tafaj-arsimi-duhet-te-financohet-te-pakten-5-te-pbb-se-per-nje-dekade-rresht-2/

UNESCO (Organizata e Kombeve të Bashkuara për Kulturë, Shkencë dhe Arsim) së fundmi bëri një vlerësim për politikat arsimore në Shqipëri dhe gjeti se ende deri më 2017, mësimdhënia në vendin tonë ka dështuar të nxisë kreativitetin dhe aftësitë.
“Gjatë dekadave të fundit, shkollat duhet të ndryshonin rolin e tyre nga riprodhimi me saktësi i lëndëve drejt nxitjes së rritjes dhe zhvillimit të mendimit kritik dhe kompetencave dixhitale për pjesëmarrje në shoqërinë dhe ekonominë e Shqipërisë dhe përtej saj”, – shprehen ekspertët e UNESCO-s.

Ministria e Arsimit në një prononcim të posaçëm për “Monitor” tha se, kurrikula e re shoqërohet me tekste të standardeve ndërkombëtare për nxënësit nga shtëpi botuese prestigjiozë si “Cambridge”, “Pearson” dhe “Oxford”. Studime të tjera ndërkombëtare tregojnë se cilësia e dobët e arsimit ka ulur cilësinë e kapitalit njerëzor në mënyrë drastike në tre dekdadat e fundit. Instituti për Matjen dhe Vlerësimin e Shëndetit në Universitetin e Uashingtonit (The Lancet) ka bërë krahasime të zhvillimit të kapitalit njerëzor në nivel global (195 vende) nga viti 1990 -2016.
Studimi tregoi se Shqipëria ka bërë regresin më të madh në Europë madje në rang global në këto 26 vite. Në vitin 1990 Shqipëria u rendit e 75 në botë për zhvillimin e kapitalit njerëzor, por në vitin 2016 ajo u rendit në vendin 91, duke humbur plot 16 pozicione në renditjen globale.

Sektori i arsimit reduktohet me 35% që nga 1990

Sektori i arsimit është reduktuar më shumë se 30% që nga viti 1990 si në numrin e nxënësve, mësuesve dhe shkollave. Sipas të dhënave zyrtare nga INSTAT, numri i nxënësve që ndjekin arsimin e 9-vjeçar dhe të mesëm ra në 43 mijë e 700 nxënës në vitin 2018 nga 68 mijë e 600 nxënës që ishin në vitin 1991, ose 35% nxënës më pak. Rënia më e madhe ishte në arsimin 9-vjeçar, ku këtë vit janë ulur në bankat e shkollës 260 mijë nxënës më pak nxënës se në vitin 1991. Vetëm në dy vitet e fundit, shkollën e vijuan 46 mijë fëmijë më pak.

Rënia e numrit të nxënësve është shoqëruar edhe me reduktim të trupës arsimore. Në vitin 1991, numëroheshin 43700 mësues në të gjithë vendin, ndërsa në fillim të këtij viti, numri i tyre ishte 29000, me tkurrje 33% që nga viti i parë i tranzicionit. Gjithashtu numri i shkollave u ul me 35% që nga viti 1991. Shqipëria hyri në periudhën e tranzicionit me 2200 shkolla të arsimit 8-vjeçar dhe të mesëm, këtë vit dhe me 1134 shkolla. Afërisht, 150 shkolla u mbyllën vetëm këtë vit, për shkak se numri i nxënësve po bie në mënyrë të frikshme në disa qarqe të vendit.
Numri i klasave është reduktuar më tej. Nga 37 mijë klasa që ishin në fillim të viteve 1990, aktualisht janë rreth 11 mijë klasa. Numri i tyre është reduktuar me 70% përgjatë 28 viteve.

Sipas INSTAT, ulja e numrit të nxënësve ka sjellë dhe një rënie të raportit nxënës për mësues, në 17.8 në vitin akademik 2017/2018, nga 19.1 në vitin akademik 2013/2017, për ciklin 9-vjeçar.

Ministria e Arsimit pohoi se, prej vitit 2009 migrimi i brendshëm i popullatës nga fshatrat dhe qytetet e vogla drejt qendrave më të mëdha urbane, emigracioni dhe rënia e numrit të lindjes kanë bërë që shkollat në zona urbane të kenë më shumë nxënës se sa në ato rurale.

Pse po zbrazen shkollat

Rënia e numrit të nxënësve ka ardhur në proporcion të drejtë me tkurrjen e peshës së grupmoshave të reja. Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 1989, popullsia në moshën 0-14 vjeç ishte rreth 1 milion persona, ndërsa në vitin 2017, ka zbritur në vetëm rreth 522 mijë persona, pothuajse përgjysmim. Pesha e popullsisë 0-14 vjeç ka zbritur në 18% të totalit, nga 32% që ishte në vitin 1989.

Në të kundërt, teksa vendi ka përjetuar pas viteve ’90 rënien e lindshmërisë dhe emigracionin masiv, ku janë larguar kryesisht moshat e reja, është rritur pesha e të moshuarve. Popullsia mbi 65 vjeç zinte 13% të totalit në vitin 2017, nga vetëm 7.4% në vitin 2001, po sipas INSTAT.
Norma e lindshmërisë ka rënë në 1.5 fëmijë për grua në fund të 2017-s nga më shumë se 5.6 fëmijë në fillim të viteve 1990. Kjo normë është nga më të ulëtat në Europë dhe do të thotë se nënat nuk zëvendësojnë as vetveten. Ky është një sinjal alarmues për rënie të pashmangshme të popullsisë së Shqipërisë në vitet në vijim.

Ndryshimi i strukturës së popullsisë pritet të ketë efekte të rënda në një të ardhme të shpejtë, si në strukturën e forcës së punës, kërkesë-ofertën për punë (me ndikim në profilet e universiteteve) ashtu dhe në skemën e pensioneve dhe kostos për kujdesin e të moshuarve. Rigjallërimi i ciklit të emigracionit është një tjetër faktor i rëndësishëm. Që nga viti 2013, rreth 157 mijë qytetarë shqiptarë kanë bërë kërkesë për azil, ku numri më i lartë ishte në 2015-n, me rreth 69 mijë persona, për të zbritur në 33 mijë persona në 2016-n dhe 26 mijë në 2017-n. Këto shifra shkruhen në Raportin Vjetor të Situatës së Azilantëve, të publikuar më parë nga Bashkimi Europian.

Demografët e INSTAT kanë komentuar më parë se, një ndër faktorët kryesorë të rënies së lindjeve këtë vit, lidhet me emigrimin. Në vitin 2015, një valë emigracioni prej 67 mijë personash u regjistruan si azilantë në vendet e BE-së, një nivel rekord i viteve të fundit. Qendra kërkimore “PewResearch”, që ka përpunuar të dhënat e Eurostat për emigracionin në vendet e BE-së në vitin 2015, tregoi se 80% e azilkërkuesve shqiptarë ishin nën 35 vjeç, moshë e cila realizon 90% të riprodhimit.

Karakteristikë themelore e valës së emigracionit këtë herë ishte ikja e familjeve, ndryshe nga vendet aziatike ku emigrojnë kryesisht meshkujt vetëm. Azilkërkuesit nga vende si Rusia, Serbia, Ukraina dhe Shqipëria kanë tendencë për t’u zhvendosur si familje. Edhe numri i aplikimeve për Lotarinë Amerikane nga shqiptarët është i lartë. Rreth 367 mijë shqiptarë, (apo rreth 13% e shqiptarëve) i varën shpresat e tyre tek “ëndrra amerikane” duke aplikuar për Lotarinë Amerikane dhe duke u renditur të parët në Europë që kanë përqindjen më të lartë të popullsisë që aplikojnë për lotari.

Krahasuar me vitin 2007, numri i shqiptarëve që aplikuan për Lotarinë Amerikane është dyfishuar, nga 173 mijë shqiptarë që aplikonin në 2007-n, në 2018 numri i aplikimeve kapi shifrën rekord 367 mijë, sipas statistikave të Departamentit Amerikan të Shtetit. Rritja e aplikimeve në Lotarinë Amerikane ka qenë e lartë, veçanërisht pas vitit 2013.

Disbalancat të mëdha nxënës – mësues

Këtë vit akademik, në sistemin arsimor parauniversitar ishin të angazhuar 29 mije mësues, ndërkohë në të gjithë vendin lindën 30.869 foshnja. Teksa lindjet pritet të bien me ritme dyshifrore vitet e fundit, reduktimi i numrit të mësuesve në shumë qarqe është i pashmangshëm. Zhvillimet e vrullshme demografike nga emigracioni i lartë, zhvendosjet e brendshme të popullsisë nga qarqet drejt Tiranës dhe rënia e numrit të lindjeve ka sjellë disbalanca ndërmjet numrit të mësuesve dhe nxënësve. Për shembull, në Qarkun e Beratit, aktualisht numërohen 1210 mësues në arsimin 9-vjeçar dhe të mesëm, por në vitin 2017 kishte vetëm 619 lindje.

Numri i mësuesve ishte më i lartë se numri i lindjeve edhe në qarqet e Elbasanit dhe të Fierit e Gramshit. Në Gjirokastër, numri i mësuesve ishte sa dyfishi i fëmijëve të lindur. Edhe Bashkia e Vlorës ka një raport të lartë të mësuesve aktualë në raport me lindjet, të cilët vitin e kaluar ishin tre herë më pak se numri i mësuesve. Numri i ulët i lindjeve sinjalizon reduktimin e mëtejshëm të nxënësve në shkolla e për rrjedhojë, lajmëron se në dekadën në vijim numri i shkollave dhe mësuesve do të jetë më i ulët.

Kur bëhet fjalë për kryeqytetin, zhvillimet shkojnë për të kundërtën. Numri i lindjeve më 2017 ishte sa dyfishi i numrit të mësuesve. Në Tiranë, aktualisht numërohen rreth 4600 mësues, teksa lindën 7409 fëmijë më 2017. Të dhënat tregojnë se edhe brenda një qarku ka pabarazi të mëdha. Teksa trupa arsimorë është e zhvendosur në qytet, zonat rurale të vendit ku jeton më shumë se 40% e popullsisë së vendit aktualisht nuk i përmbushin nevojat me mësues.

Ministria e Arsimit ne një pohoi se, “pas një diagnostikimi të hollësishëm të situatës së krijuar ndër vite jemi duke bërë përpjekje për ta zgjidhur situatën në dy drejtime: së pari duke iu mundësuar bashkive ndërtimin e shkollave të reja në zonat urbane ku mësimi bëhet me dy turne dhe e dyta të reduktojmë numrin e nxënësve që vijojnë mësim në klasa kolektive, duke i transferuar në shkollën më të afërt, që është më e madhe dhe ku mund të mësohet me bashkëmoshatarët”.

Mirëpo këto zhvillime sjellin ulje të cilësisë arsimore për familjet që mbeten në këto zona, shprehet ish-ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj. Ai tha se mungesa e aksesit në arsim do të rrisë varfërinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm të qyteteve shqiptare. Një vend i zhvilluar spikat nëse ai i ka të zhvilluara të gjitha rajonet njësoj. Investimet në rreth 5% të PBB janë të domosdoshme për uljen e mbipopullimit në shkollat publike në zonat urbane dhe për rritjen e aksesit dhe cilësisë së arsimit për popullatat e pafavorizuara përfshirë fëmijët romë, fëmijët në zonat e thella rurale dhe fëmijët me aftësi të kufizuara.

Ministria e Arsimit

Pas një diagnostikimi të hollësishëm të situatës së krijuar ndër vite jemi duke bërë përpjekje për ta zgjidhur situatën në dy drejtime: së pari duke iu mundësuar bashkive ndërtimin e shkollave të reja në zonat urbane ku mësimi bëhet me dy turne dhe e dyta të reduktojmë numrin e nxënësve që vijojnë mësim në klasa kolektive, duke i transferuar në shkollën më të afërt, që është më e madhe dhe ku mund të mësohet me bashkëmoshatarë

Është cenuar e drejta për barazi në arsim

Krijimi i shanseve të barabarta për arsim është një e drejtë themelore dhe një nga kriteret bazë për funksionimin e një shteti demokratik. Pa plotësuar këto kushte, Shqipëria do ta ketë të vështirë për t’u bërë pjesë e BE-së. Barazia në arsim do të thotë se një nxënës në fshatrat e Dibrës dhe Kukësit duhet të ketë akses të njëjtë në shërbimet arsimore publike, njësoj si një nxënës në zemër të kryeqytetit. Por të gjithë ne e dimë që kjo lloj barazie nuk ekziston dhe faktorët nuk janë një e dy, por të shumtë.

Në vlerësimin që UNESCO i bëri sistemit arsimor në vend vitin e kaluar, rekomandoi se Shqipëria duhet të përdorë më mirë procedurat e emërimit të mësuesve për të trajtuar pabarazitë në sistemin arsimor. Një analizë e rezultateve të PISA 2009 tregoi se nxënësit shqiptarë në zonat rurale kishin më pak të ngjarë të kishin mësues që përdornin praktika të efektshme të mësimdhënie. Për vitin shkollor 2015-‘16, disa Drejtori Arsimore Rajonale, sidomos në pjesën verilindore të vendit, raportuan një numër të konsiderueshëm vendesh të lira të paplotësuara me aplikantë. UNESCO i ka kërkuar Shqipërisë që punojë për të siguruar numrin e nevojshëm dhe shpërndarjen e duhur të mësuesve, për të trajtuar çdo pabarazi në sistemin e arsimit. UNESCO paralajmëron se nuk ka zgjidhje të thjeshtë për këtë problem.

Për të trajtuar çështjet e pabarazisë, rekomandohet zhvillimi i monitorimit të efektshëm të tregut të punës dhe sistemet e planifikimit paraprak dhe përdorimi i stimujve financiarë dhe jofinanciarë për trupën arsimore. UNESCO ka propozuar disa skema për këtë çështje, nga të cilat janë paga shtesë për mësuesit në shkolla të largëta dhe mundësi punësimi për familjarët e mësuesve dhe fëmijëve të tyre. Këto përfitime familjare mund të shërbejnë për të tërhequr mësues me më shumë përvojë.

Një tjetër metodë për të tërhequr mësuesit në shkolla që paraqesin vështirësi për stafin është rekrutimi i tyre nga zona lokale. Një shembull është Politika e Arsimit pa Pagesë të Mësuesve në Kinë, e cila u ofron nxënësve me rezultate të larta nga rajonet rurale të pafavorizuara të vendit shkollim universitar pa pagesë dhe dhjetë vjet siguri në punë në qoftë se ata bien dakord të punojnë si mësues në zonën e tyre për të paktën dy vjet.

Arsimi i nënfinancuar

Shqipëria financonte më shumë se 4-5% të PBB së saj para viteve 1990 për sektorin e arsimit, ky nivel ishte i krahasueshëm me financimet që edhe vendet e tjera të OECD jepnin në atë kohë. Por gjatë viteve të tranzicionit, sektori është financuar më pak se 3% e PBB-së, nivel gati 40% më i ulët se financimet që vendet e zhvilluara kanë dhënë në këtë periudhë dhe 20% më pak se financimet që japin vendet e rajonit.

Vitin e kaluar, sektori i arsimit u financua në 3.1% të PBB. Financimi pritet të jetë në të njëjtin nivel edhe këtë vit. Sipas të dhënave rë detajuara nga Ministria e Arsimit mësohet se 1% e PBB, nga 3.1%, financohet nga pagesat e familjarëve nëpërmjet tarifave direkte. Përqindja e financimit të familjarëve u rrit dukshëm pas rritjes së tarifave në arsimin e lartë pas vitit 2015. (tarifat që paguajnë familjarët derdhen në buxhetin e Ministrisë së Arsimit, që më pas i rishpërndan për nevojat e veta).

Sipas një analize të fundit të United Nations Educational, Scientific and Cultural Organization (UNESCO), Shqipëria vijon të ketë financim të ulët për arsimin në raport me PBB në raport me vendet e tjera të kontinentit. Historikisht, në Shqipëri, shpenzimet e qeverisë për arsimin kanë qenë të ulëta, dhe përgjatë 15 viteve të fundit mbeten kryesisht nën 3.5% të Prodhimit të Përgjithshëm Bruto (PPB). Në vitin 2007, një vit përpara krizës ekonomike financiare dhe recesionit ekonomik, përqindja përkatëse mezi arriti ne 3.2%. Pas krizës, financimet për arsimin kanë qenë sistematikisht poshtë 3% të PBB-së.

Po ashtu, shpenzimet private/familjare për arsimin si përqindje e PPB-së kanë qenë në rritje që në 2011, dhe, duke ruajtur këtë tendencë, arriti në 0.9% në fundin e vitit 2015 dhe pak më shumë se 1% më 2017.Financimi i pamjaftueshëm i arsimit ndikon negativisht në cilësinë e shkollimit, sidomos shtresat pavaforizuara të popullsisë.Në vend që hendeku i financimeve në arsim të plotësohet, qeveria ka planifikuar të kundërtën, fondet do të ulen më tej gjatë tre viteve në vijim.

Sipas planifikimit afatmesëm të Ministrisë së Financave, shpenzimet për arsimin nga 3.1 – 3.3% e PBB-së më 2018-2019 do të zbresin në 3% në 2020 dhe 2021. Shqipëria u rendit e fundit në rajon për shpenzimet dedikuar arsimit gjatë vitit të kaluar. Shqipëria shpenzoi 3.1% të PBB-së për arsimin teksa vendet e tjera të rajonit ky tregues është në intervalin 4-4.5% të PBB-së.

Të dhënat e fundit e INSTAT, për matjen e nivelit të jetesës, treguan se pesha e shpenzimeve për arsim arriti në një nivel rekord, prej 4.4% të totalit të konsumit më 2016, nga 1.7% që ishte një dekadë më parë. Të dhënat krahasuese nga anketat e buxhetit të familjeve të vendeve të rajonit dhe Eurostat, të përpunuara nga “Monitor”, tregojnë se familjet shqiptare kanë peshën më të lartë të shpenzimeve për arsim nga vendet e rajonit dhe ato të Bashkimit Europian.

Mesatarja e Bashkimit Europian është 2.1%, ndërsa një familjeje në rajon i kushton shumë më pak (në termin relativ ndaj shpenzimeve totale) që të shkollojë fëmijën. Serbia, Maqedonia, Bosnjë- Hercegovina e kanë këtë raport midis 0.6-0.7%, ndërsa në Kroaci arrin në 1.1%. Instituti i Statistikave të Kosovës raporton në anketën e fundit të buxhetit të familjeve për vitin 2016, se pesha e shpenzimeve për arsim në totalin e buxhetit është zero.

Me zbatimin e kurrikulës së re dhe nevojës për më shumë forma të ndryshme të mësimdhënies, mbipopullimi në klasat në zonat urbane mund të vërë në rrezik shumë prej përfitimeve të tyre. Studimet ndërkombëtare tregojnë se cilësia e mësuesve dhe mësimdhënia e tyre janë faktorët më të rëndësishëm në shkollë në arritjet e nxënësve. Aktorët në Shqipëri u shprehën se ndërsa dikur mësimdhënia ishte një profesion shumë i respektuar, statusi i saj tashmë ka rënë në vitet e fundit dhe si rezultat, ka më pak aplikantë cilësorë që shkojnë në këtë profesion. Thithja e mësuesve të kualifikuar në profesion është një fushë kyçe e reformës së domosdoshme në vend.

Reformimi i kurrikulës po pengohet nga cilësia e mësuesve

Qeveria shqiptare është duke aplikuar një reformë kurrikulare, e cila synon të pajisë nxënësit me një numër kompetencash që përfshijnë aftësi të larta, si mendimin kritik, nxjerrjen dhe analizën e informacionit nga burime të larmishme dhe përdorimin e strategjive të shumta të nxënies, përfshirë zgjidhjen e problemeve, analizën dhe prezantimin.Kompetencat kyçe që përshkojnë kurrikulën e re janë në përputhje me kompetencat kryesore të të mësuarit gjatë së gjithë jetës, që gjenden në të gjithë Bashkimin Europian.

Ministria e Arsimit sqaroi se për ketë vit të ri shkollor, Kurrikula e re e arsimit parauniversitar do të jetë në vitin e pestë të shtrirjes në sistem gjatë vitit shkollor 2018-2019. Përveç klasës së pestë e cila do të pilotohet, në të gjitha klasat e tjera nga mosha 3-18 vjeç do të aplikohet kurrikula e bazuar në kompetenca. Ky vit shkollor sjell ndryshim dhe në klasën e 12 pasi maturantët do të kenë vetëm 6 lëndë bazë, ndërsa lëndët e tjera do t’i zgjedhin sipas kritereve që do të përcaktojnë universitetet. Sipas Ministrisë, kurrikula e re largohet nga ajo tradicionale e të mësuarit përmendësh dhe hap një kapitull të ri në mësimin dhe formimin e kompetencave dhe aftësive për jetën duke i bërë nxënësit tanë konkurrues me ata europianë. Kurrikula e re shoqërohet me tekste të standardeve ndërkombëtare për nxënësit nga shtëpi botuese prestigjiozë si “Cambridge”, “Pearson” dhe “Oxford”, pohoi më tej në një sqarim të posacëm dikasteriu i Arsimit.

Kurrikula e re

Kurrikula e re largohet nga ajo tradicionale e të mësuarit përmendësh dhe hap një kapitull të ri në mësimin dhe formimin e kompetencave dhe aftësive për jetën duke i bërë nxënësit tanë konkurrues me ata europianë. Kurrikula e re shoqërohet me tekste të standardeve ndërkombëtare për nxënësit nga shtëpi botuese prestigjiozë si “Cambridge”, “Pearson” dhe “Oxford”, pohoi më tej në një sqarim të posacëm dikasteriu i Arsimit.

Miratimi i kësaj qasjeje në kuadrin e kurrikulës kombëtare në Shqipëri shihet si një hap i rëndësishëm në modernizimin e kurrikulës. Kjo reformë në kurrikul synon që rezultatet të mos jenë më në bazë të aftësive riprodhuese dhe përsëritëse të nxënësve, por në aftësitë krijuese dhe në fitimin e aftësive të reja.

Por, stafet arsimore duket se janë të përgatitura për këtë reformë. UNESCO ngriti së fundmi shqetësime se, mësuesit në Shqipëri nuk janë trajnuar ose përgatitur si duhet. Për të trajtuar këtë mangësi, Raporti i Analizës së Politikës Arsimore (APA) 2017 rekomandon përmirësimin e futjes në shkollë dhe të mentorimit të kandidatëve për mësues, si dhe rritjen e mundësive për të nxënët bashkëpunues mes kolegëve dhe të formave të tjera të Zhvillimit të Vazhduar Profesional (ZHVP) për mësuesit. Grupi i analizës zbuloi se arsimi parauniversitar në Shqipëri nuk ka cilësi të njëjtë për të gjithë nxënësit në të gjitha zonat e vendit. Ka dallime ndërmjet shkollave në zonat urbane dhe ato rurale në lidhje me cilësinë e punonjësve mësimorë dhe me ekzistencën e burimeve si transporti dhe TIK-u.

Po ashtu, rekomandohet që autoritetet duhet të garantojnë që të gjitha materialet kurrikulare, përfshirë tekstet e reja mësimore dhe burimet në internet, të jenë të përshtatshme për nxënësit shqiptarë. Një rekomandim shtesë në fushën e zhvillimit dhe reformimit të kurrikulës ka të bëjë me nevojën për përmirësimin e sistemeve për monitorimin dhe vlerësimin e pjesëmarrjes, arritjeve dhe përparimit të nxënësit përmes shkollimit. Për shembull, grumbullimi i të dhënave të pyetësorëve të nxënësve mund të japë informacion mbi përmirësimet në vazhdim të klimës së mësimdhënies dhe nxënies në shkolla.

Informacioni i marrë nga PISA 2018 tregoi se, në përgjithësi dhe në një shkallë më të madhe se në vendet e tjera, nxënësit në Shqipëri besojnë se mësuesit e tyre i trajtojnë me drejtësi dhe i dëgjojnë me kujdes. Kjo klimë pozitive në klasë shërben si një situatë e shkëlqyer për përpjekjet aktuale në përmirësimin e rezultateve të të nxënit të nxënësve.

Shkolla, pa lidhje me tregun e punës

Forca e punës në Shqipëri (popullsia në moshën 15-64 vjeç) është relativisht pak e arsimuar në krahasim me rajonin dhe vende të tjera në zhvillim dhe shumë më pak e arsimuar në raport me mesataren e Bashkimit Europian. Duke analizuar indikatorët e zhvillimit botëror, të azhurnuar nga Banka Botërore, rezulton se Shqipëria ka rreth 50% të forcës së punës me arsim 8-vjeçar me 2016. Në vendet e tjera të rajonit dhe më gjerë, forca e punës dominohet nga niveli i mesëm dhe i lartë i arsimit.

Nga 20 vendet në zhvillim të Europës, Turqia dhe Shqipëria renditen të parat për fuqinë e madhe punëtore me nivel të ulët të arsimit. Në Turqi, rreth 60% e forcës së punës është me arsim primar. Ndërsa vendet baltike si Rusia, Estonia dhe Lituania kanë përqindjet më të larta të forcës së punës me arsim të lartë. Në rajonin e Ballkanit, Serbia dhe Mali i Zi kanë përqindjet më të larta të forcës së punës me arsim të lartë. Serbia dhe Bosnja, nga ana tjetër, kanë përqindjen më të madhe të fuqisë punëtore me arsim të mesëm dhe për rrjedhojë, kanë më pak popullsi në moshë pune me arsim fillor. Në një krahasim më të gjerë të 20 vendeve në zhvillim të Europës shihet se Çekia dhe Sllovakia janë vendet që rreth 70% të forcës së punës e kanë me arsim të mesëm.

Nga ana tjetër, sipas projeksioneve të Kombeve të Bashkuara, forca e punës në Shqipëri ka hyrë në fazën e një tranzicioni të thellë, për shkak të plakjes së popullsisë prej emigracionit të lartë dhe rënies së numrit të lindjeve. Sipas projeksioneve të rishikuara të popullsisë nga Kombet e Bashkuara më 2017, shihet se forca e punës (mosha 15-64 vjeç) do të përbëjë 60% të popullsisë, nga më shumë se 68% aktualisht.

Shqipëria, ndonëse ka shpenzime të larta për arsimin, ka një handikap të madh me tregun e punës, ku shumë të rinj e kanë të vështirë të gjejnë punë në profesionin e tyre. Po sipas INSTAT, rezulton se pjesa më e madhe e të rinjve preferojnë “Shkencat sociale, biznes dhe ligji”, ku në vitin 2016 ishin të regjistruar 53 mijë studentë, ose 37% e totalit. Në vend të dytë është shëndeti dhe mirëqenia (shëndetësia), me 24.4 mijë studentë, ose 15% të totalit. Në shkencat inxhinierike ka 18 mijë studentë, ose 12% të totalit.

Një pjesë e madhe e studentëve apo të rinjve që mbarojnë shkollën, sot punojnë në sektorin e call center, apo së fundmi në kompanitë që ofrojnë shërbime forex (ku po diversifikohet sektori call center që po vuan presionin e qeverisë italiane), ku vlerësohet se janë të punësuar mbi 25 mijë të rinj, ku aftësia kryesore e kërkuar është njohja e gjuhëve të huaja, duke bërë që shpenzimet e tyre dhe të prindërve të arsimuar fëmijët të mos kthehen asnjëherë mbrapsht./Monitor