Deputeti i  Lëvizjes Socialiste për Integrim, Viktor Tusha gjatë një interviste në Shijak Tv është prononcuar në lidhje me Partneritetin Publik Privat, si edhe për koncesionet.

Sipas Tushës, LSI ka qenë që në fillim kundër koncesioneve dhe sidomos atyre që nuk janë miratuar në Parlament.

FJALA E PLOTË:

Që ditën e parë opozita ka denoncuar çdo PPP të Ramës, tani çdo të thotë kjo? Se ky merret me shpifje. Ka shpifur ky, është bërë gabim ajo, se ne si taksapagues paguajmë për PPP-të 5 milion për një firmë, po për të tjerat? Çfarë ka ndodhur me këtë ekonomi?

Nëse kthehemi në kohën kur Parlamentin e drejtonte z. Meta edhe LSI ishte pjesë e koalicionit të qeverisjes, kemi qenë kundër koncesioneve dhe në mënyrë të veçantë kundër koncesioneve që nuk kalojnë në Parlamentit të Shqipërisë. Të japësh me koncesion një të drejtë publike, duhet patjetër të vendosë pronari dhe kush është pronari i Shqipërisë? Pronari i Shqipërisë është Parlamenti dhe Parlamenti duhet të tjetërsojë apo ta japë për t’u zhvilluar.

Padyshim që mund të jepen në partneritet me publikun, mund të jepen me koncesion, sepse shteti nuk e ka mundësinë, por duhet të kalojë në filtra të tillë dhe nuk mund të jepen në mënyrë të tillë vetëm për të ndihmuar apo favorizuar disa oligarkë të cilët janë afër Partisë Socialiste, të cilët janë afër Ramës, të cilët i financojnë dhe do ti financojnë fushatat elektorale, të cilët do të ndikojnë në blerjen e zgjedhjeve dhe do të sigurojnë, apo i kanë siguruar, apo mendojnë se do ti sigurojnë pushtetin.

Kjo është fatkeqësia e këtij vendi, kur këto koncesione nuk kalojnë nëpër filtrat e duhur, kur këto partneritete përveçse do të ngrenë borxh me dekada popullin shqiptar, çfarë do të bëjë qeveria e ardhshme? Qeveria e ardhshme që do të marrë pushtetin, do të shikojë buxhetin. I gjithë buxheti i saj do të shkojë për të paguar atë ç’ka ka vendosur Rama për koncesionet apo për PPP.

Po ky mori Taulant Ballën ti hidhej në grykë Lul Bashës kur tha që unë do të zhbëj PPP dhe oligarkinë që ky i ka krijuar artificialisht.

Kjo është arsyeja që edhe ligji, edhe në minibashki kush vendos për një koncesion, për tjetërsimin e pronave, për zhvillimin e një prone publike? Është Këshilli Bashkiak dhe Këshilli Bashkiak është pronari i qytetit apo pronari i Bashkisë, është pronari i pjesës publike në një bashki. Si i tillë është edhe Parlamenti i Shqipërisë. Ti nuk mund të marrësh një vendim dhe të japësh me koncesion një pronë publike për ta zhvilluar, qoftë edhe me të drejtën e Zotit apo për të mirën e popullit shqiptar, nëse nuk kalon filtrin e Parlamentit shqiptar. Duhet ta vendosi Parlamenti.

Apo siç ishte ndërtimi i teatrit. Absolutisht të gjithë shqiptarët janë të interesuar të kenë një teatër, aq më tepër artistët që e duan teatrin. Por duhet ta vendosë Këshilli Bashkiak. Ajo pronë është e qytetarëve të Tiranës dhe qytetarët e Tiranës duhet të vendosin për zhvillimin e asaj prone, a do të ndërtohen kullat apo jo. Pastaj vendimet abuzive të çojnë në një amulli të jashtëzakonshme, në humbjen e besimit.