Intervista e Viktor Tushaj për emisionin “7pa5”

 

Opozita vazhdon të shprehet e bindur që më 30 qershor nuk do të ketë zgjedhje. Ndërkohë sot pritet që Kolegji Zgjedhor të shprehet. Çfarë prisni sot?

Në presim që ta kuptojë mazhoranca dhe Kryeministri se nuk do të ketë zgjedhje. Votimet nëse do të bëhen nga Kryeministri dhe mazhoranca më 30 qershor, do të jetë një precedent shumë i keq për Shqipërinë. Ne nuk presim asgjë nga Kolegji Zgjedhor, sepse nuk e ka tagrin q të shprehet për dekretin e Presidentit. Dekreti i Presidentit të republikës për anulimin e datën 30 qershor si datë zgjedhjesh, unë mendoj se ishte shansi më i madh për mazhorancën dhe për Kryeministrin. Për të bërë një zgjedhje të butë dhe një largim të tij, jo nga skena politike, por nga qeverisja kriminale e Shqipërisë.

Ne kemi qenë të bindur se nuk do të ketë zgjedhje. Nuk është bindja e opozitës, por është bindja e popullit shqiptar që nuk duhet të ketë zgjedhje për shumë arsye. Ne nuk mund të kthehemi më si në kohën e diktaturës që bëheshin votimet 99%. Opozita nuk ka djegur mandatet, nuk është kundër zgjedhjeve, por është kundër keqadministrimit të zgjedhjeve, administrimit kriminal të zgjedhjeve. Që në ditën e parë që kemi hyrë në Parlamentin e Shqipërisë, kemi deklaruar që zgjedhjet nuk ishin të lira dhe të ndershme. Por mosbesimi i mazhorancës dhe i një skepticizmi që qarkullonte në opinionin publik se opozita kërkon pushtetin, nuk është ashtu siç e mendonin. Çdo gjë u vërtetua nga VOA, nga gazeta më prestigjioze në Europë sot, me tirazhin më të madh. Lexohet online nga 20 milionë persona në ditë. Ka tirazh 5 milion në ditë dhe nuk mund të ndikosh politikisht në gazetën kryesorë të Europës për të vërtetuar gjëra që ne i kishim thënë ritmikisht çdo të enjte në Parlamentin e Shqipërisë.

 

Kur opozita thotë që nuk do të ketë zgjedhje më 30 qershor, në pjesën më të madhe të bashkive ka vetëm një kandidat dhe këto nuk janë zgjedhje por thjesht votime, apo mekanizma që përdor opozita që nuk mund të organizohen votime më 30 qershor?

Janë të dyja në pistë. Populli shqiptar nuk mund të lejojë që të bëhen zgjedhje fasadë. Mund të lejojë që pas 30 vitesh demokraci, që të bëhen votime si në kohën e Enver Hoxhës. Ju e keni parë fushatën elektorale që po zhvillohet. Çfarë alternativash po japin sot kandidatët për kryetar bashkie? E fillojnë me filxhanin dhe e mbarojnë me filxhanin. E fillojnë me opozitën dhe e mbarojnë me opozitën pa asnjë lloj alternative. Administrimi i pushtetit vendos kalon përmes një konkurrimi projektesh të cilat publiku i vlerëson se kush mund të jetë kandidati më i vlefshëm për të administruar. Si mundet që në 31 bashki të ketë vetëm një kandidat. Ç’është kjo çmenduri që të bësh zgjedhje me çdo kusht pa opozitën?

Nuk mund ta detyrojë opozitën të marri pjesë në zgjedhje, sepse nëse zgjedhjet do të bëhen si në Dibër që u vërtetua me dosjen 184, apo si në Vlorë, Fier, Lezhë, Shkodër nuk ka zgjedhje. Ka votime dhe ka numërim siç i numërojnë ata. Kjo është arsyeja pse opozita dogji mandatet, bëri veprimin ekstrem që të kuptohet që nuk mund të vazhdohet më kështu.

 

Nëse do të riktheheshit edhe njëherë pas, do ti digjnit mandatet?

Patjetër! Sepse është precedenti më i mirë që i është bërë politikës shqiptare dhe rajonale. Nëse një opozitë arrin në konkluzionin që qoftë edhe një mandat është jo i ndershëm,absolutisht ka të drejtë që të tërhiqet dhe të djegë mandatet.

 

Ju zhvilluat protestën e radhës ditën e premte dhe për çudinë e të gjithëve ishte një protestë shumë paqësore. Ka një skenar politika se çfarë do të ndodhë më 30 qershor?

Nga protesta në protestë ka pasur zhvillime dhe jo dhunë. Ajo çfarë ka ndodhur në Shqipëri në ato protesta është një irritim nga policia ose njerëz të infiltruar të cilët kërkojnë që opozita të dalë nga shina e protestave paqësore. Por, protesta e fundit pa dyshim që e detyroi opozitën që të marrë masa pikërisht për të ndërgjegjësuar dhe qetësuar të gjithë ndërkombëtarët se populli shqiptar nuk është popull i dhunshëm, është popull që do drejtësi, është popull që do demokraci dhe do pluralizmin, sepse përmes pluralizmit si instrument shumë i rëndësishëm, padyshim që realizohen projekte, ide, vizione në këtë vend. Për atë, gjithë bota ka përqafuar pluralizmin dhe përmes pluralizmit ka arritur që të ndërtojë dhe të ecë përpara. Nëse ne do të kthehemi në diktaturë padyshim që Edi Rama do të përballet me urrejtjen popullore. Nuk mund të vazhdojë që protestat të jenë paqësore, sepse urrejtja popullore nuk merr nxitje dhe shtysë nga opozita. Urrejtja popullore shtyhet nga situata në vend, nga gjendja ekonomike, nga rrënimi ekonomik e social. Kemi një tension social të paparë në të gjitha shtresat e popullsisë, kemi emigracion masiv, të gjithë njerëzit duan që të ikin nga ky vend. Të gjithë e keni parë dhe dëgjuar besoj kryeministrin e Shqipërisë që thoshte: Shqiptarët ikin për një jetë më të mirë… Jo, nuk ikin për një jetë më të mirë, ikin sepse në këtë vend u është vrarë shpresa dhe nëse ti një populli i vret shpresën padyshim që urrejtja e tij do të krijojë një revolucion social, mbarëpopullor i cili pastaj nuk dihet se si merr. Kjo arrogancë me të cilën ato po kërkojnë të bëjnë zgjedhje, të cilat nuk do të jenë zgjedhje për të qenë realistë, por do të jenë votime, pikërisht këtu të çon. Kush e kërkon sot përplasjen e popullit shqiptar? Sepse nëse flasim për përqindje janë 48 për qind me 44 për qind, pra 48 për qind është popull i djathtë, i cili nuk është dakord sepse iu janë vjedhur votat, janë shantazhuar… Nëse do të bashkoheshin votat e koalicionit opozitar 48 për qind sot e ka opozita dhe 44 për qind mazhoranca. Por edhe nëse do të marrim votat e 2017-s ashtu të kërcënuara, të shantazhuara ashtu siç ishin, janë prapë 49 me 48 për qind. Por, si mund të lësh 48 për qind të popullit pa u shprehur? Njeriu më i interesuar për një gjë të tillë do të ishte kryeministri i Shqipërisë, do të ishte qeveria dhe mazhoranca.

 

Si e shikoni Shqipërinë pas një jave, mëngjesin e 1 korrikut?

Unë kam bindjen që populli shqiptar tashmë e ka kuptuar, ju besoj e keni parë kur mazhoranca, qeveria dhe kryeministri u binin trumbetave se protestat do të vinin duke u fikur, në fakt ndodhi e kundërta. Protestat erdhën duke u bërë më paqësore, besoj e patë protestën e fundit. Votimet nuk janë vetëm për demokratët, për anëtarët e LSI-së, për republikanët etj, votimet janë edhe për socialistët e thjeshtë, për socialistët e mirë e të ndershëm, sepse edhe ata duan qetësi në familjet e tyre, zhvillim, progres, ide të reja. Pra, nuk mundet që një popull të shkojë e të përplaset, e për çfarë? Për karrigen e blerë të kryeministrit. Ne nuk e kemi kërkuar pushtetin në tavolinën, sepse edhe po ta merrnim nuk ta lejon kush. Besoj e mbani mend vitin 1998 atëherë kur opozita i mori të gjitha pushtetet, por absolutisht askush nuk e njohu dhe e lejoi që të vazhdonte. Pas një dite opozita u kthye dhe vazhdoi opozitën. Ne po kërkojmë standardet e zgjedhjeve, sepse nuk ka opozitë në botë të mos dojë zgjedhje. Por si mund të rrish në pushtet kur çdo gjë u verifikua me dosjen 184? Pra, degradimi institucional që i ka bërë të gjitha institucioneve të shtetit shqiptar kryeministri dhe mazhoranca është i parikuperueshëm. Të arrijë kryeministri i Shqipërisë dhe të mos njohë institucionin e Presidentit, të mos njohë Dekretin e Presidentit, i botuar në Fletoren Zyrtare, është kulmi i papërgjegjshmërisë.