Tushaj: Qeveria bën paradën e “sukseseve” të reformave që deri tani kanë prodhuar vetëm rrënim ekonomik dhe emigracion masiv

Fjala në Kuvend e deputetit të LSI-së Viktor Tushaj

Qeveria Shqiptare ka sjellë sot për miratim në Kuvendin e Shqipërisë Projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes me Republikën Federale të Gjermanisë për bashkëpunim teknik 2017 për projektin ” Zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik dhe rajonal, nxitja e punësimit dhe arsimi profesional”

Jepet edhe një fond shtesë prej 6 milionë eurosh grant nga qeveria gjermane me qëllim që Shqipëria të nxisë punësimin dhe arsimin profesional.

Lexohet lehtë preokupacioni i qeverisë gjermane për të rinjtë e të rejat shqiptare që kanë populluar kampet e Gjermanisë, dhe megjithë nevojën e madhe që kanë për krahë pune, nuk dine ku t’i angazhojnë edhe për shkak të mungesës së formimit të tyre profesional.

E kemi thënë me zë të lartë në këtë sallë ditën kur u miratua buxheti. Emigracioni është shpresa e shpëtimit të shqiptarëve të çdo moshe, por në mënyrë të veçantë e rinisë. Alternativa e vetme e tyre si zgjidhje. Të gjithë e mbajmë mend vitin 2015. Azilantët shqiptarë mbushën kampet e Gjermanisë, afërsisht në të njëjtin numër me sirianët dhe afganët që largoheshin nga lufta. Skena të turpshme që na kujtonin të gjithëve fillimin e viteve ’90, por që nuk u përfillën aspak nga qeveria dhe që sot, rrezikojnë të përsëriten në mënyrë edhe më masive.  Politika fiskale mbytëse dhe aspak favorizuese për biznesin dhe investimet, arroganca qeveritare në koncesionimin e çdo sektori shërbimesh, prodhimi dhe infrastrukturor, asfiksimi i biznesit të vogël edhe me 20% TVSH,  administrata publike e paaftë dhe e shtangur nga presioni dhe frika e terrorit politik, janë arësye të mjaftueshme për të nxitur guximin e çdo qytetari shqiptar për të ikur nga sytë këmbët vetëm për të mos qëndruar në këtë vend.

Ikin biznese të konsoliduara në këtë vend pasi me politikat e fundit nuk ja dalin më, ikin artistë se skenat shqiptare dhe teatrot vuajnë komicitetin e teatrit qeveritar, ikin mjekë e infermierë sepse konçesionet në mjekësi nuk mundësojnë trajtimin e tyre me dinjitet profesional dhe ekonomiko-financiar si duhet, ikin inxhinierë dhe specialistë se nuk gjejnë asnjë hapësirë dhe mundësi punësimi, ikin qytetarë të thjeshtë me gjithë familjet e tyre se nuk sigurojnë minimumin e të ardhurave për të paguar cmmin e energjisë dhe të ujit që rritet çdo vit, ilaçet, qeratë e banesave, librat dhe taksat e shkollës për fëmijët e tyre, do të ikin dhe po ikin edhe ato 20.000 familjë që për një paisje elektroshtëpiake apo pse e ka shtëpinë me korridor i përjashtuat nga ndihma ekonomike, e shumë e shumë të tjerë që u’a bëtë jetën ferr me pasigurinë kudo në rrugë, në shkolla, në punë, në biznese por edhe nëpër shtëpia.

Në fakt të gjitha qeveritë e botës preokupohen përveç qeverisë tonë që vazhdon e qetë të fshihet pas gishtit, bën paradën e sukseseve të reformave që deri tani kanë prodhuar rrënim ekonomik, korrupsion galopant, krim monstruoz, varfëri të tejskajshme, emigracion masiv e për rrjedhojë edhe preokupacion qeverish europiane për atë çfarë po ndodh në këtë vend.

Por ju të nderuar kolegë të mazhorancës vazhdoni t’i lexoni mesazhet e tyre, edhe nëpërmjet këtyre granteve së prapthi. Maxhoranca e fortifikuar nga numrat, por e strukur në bunkerin e saj qeverisës ku qelbëzon nga skandalet, i lexon dhe i propangandon si sukses dhe besim ndërqeveritar, mbështetje e strategjisë së saj për punësim dhe arsim profesional etj etj. por në fakt është krejt e kundërta.

Për kë janë këto para? Për ata mijëra qytetarë shqiptarë, të cilët u riatdhesuan nga Gjermania, pasi u larguan nga sytë këmbët gjatë 2-3 viteve të fundit, për shkak të keqqeverisjes së maxhorancës së tepsisë.

Përse i jep Gjermania këto para? Që të ndalojë emigrimin e paligjshëm të shqiptarëve, të cilët nuk kanë asnjë shpresë në vendin e tyre.

Natyrisht, qeveria, në relacionin e saj për këtë projekt-ligj, e ka ngjyrosur me kolorite pozitive. Për qeverinë tonë, Gjermania po ndihmon ngritjen e ekonomive të mesme, si edhe arsimimin profesional.

Jo, të nderuar qytetarë!

Qeveria Gjermane po mundohet të frenojë eksodin e paligjshëm të  shqiptarëve. Qeveria gjermane po i jep ndihmë financiare vendit tonë, si një mënyrë për të treguar se shqiptarët mund ta ndërtojnë Europën edhe në vendin e tyre.

Shumë e drejtë kjo lëvizje e shtetit gjerman. Sipas standartit të tyre, kjo formë do të ndikojë në uljen e emigracionit klandestin dhe në rritjen e ekonomisë vendase.

Por, a do të ndodhë vërtetë kështu? Jam i bindur se shumica e shqiptarëve nuk e besojnë se kjo dëshirë e qeverisë gjermane do të realizohet dhe kjo, jo për faktin se shqiptarët nuk e duan punën.

Ka disa zyrtarë qeveritarë në këtë sallë, që mendojnë se shqiptarët janë dembelë e për këtë arsye janë të varfër. Pra, fajin e ka populli.

Ka disa që mendojnë se qytetarët janë të paarsimuar ose nuk kanë zanat dhe prandaj nuk mund të gjejnë punë. Pra, sërish fajin e ka populli.

Ka ofiqarë që mendojnë se përgjegjësinë për dështimet e vazhdueshme në rrugën drejt Bashkimin Europian e ka opozita. Pra, qeveria nuk ka faj!

Ka zyrtarë që mendojnë se shqiptarët u larguan masivisht drejt Gjermanisë, për shkak të keqkuptimit se në atë vend do të gjendej punë lehtësisht. Pra, fajin e ka Gjermania!

Raportet e agjencive të specializuara ndërkombëtare e vizatojnë hartën e Shqipërisë me ngjyrën e gjelbër të kanabisit dhe ngjyrën e bardhë të kokainës. Por, fajin e kanë disa kriminelë lokalë, të cilët “Forca e ligjit” po i godet pa mëshirë. E pamë këtë forcë, në goditjen e ashpër të dy shoferëve për super-ngarkesën e kokainës së kapur para pak ditësh në Durrës.

Pra, qeveria gjen fajtorë dhe përgjegjës kudo; tek shoferët e drogës, tek opozita dhe, natyrisht, tek populli. Ky i ka të gjithë fajet që nuk e kupton vizionin e qeverisë tonë.

Populli e ka fajin që kërkon dhe shpreson rrugëtimin drejt Europës, ndërsa qeveria jonë, për qëllime tërësisht anti-kombëtare dhe anti-strategjike, shkon drejt Azisë së Vogël.

Përtej ironisë, e cila nuk është e pasur me stilistike, por vetëm me të vërteta, përgjegjësia për këtë situatë është edhe e opozitës.

Lëvizja Socialiste për Integrim, ku unë kam nderin të bëj pjesë, ka respektuar gjithnjë paktet politike për zhvillimin e vendit. Por përgjegjësia e saj është që mbajti në pushtet 4 vitet e shkuara maxhorancën e tepsisë, e cila fuqizoi financiat e saj me planin mbarëkombëtar të mbjelljes së kanabisit.

Dhe, me milionat e eurove të përfituara nga kriminalizimi i vendit, arriti të blejë votat e qytetarëve të varfër.

Opozita e sotme ka përgjegjësinë madhore që të punojë çdo ditë e më shumë për t’i bërë ditët e kësaj qeverie gjithnjë e më të pakta.

Granti gjerman që po diskutojmë sot mund të plotësojë disa boshllëqe të vogla financiare, mund të hartohen disa projekte pa dobi dhe në fund të do të harxhohen. Po më tej çdo të ndodhë?

Qeveria do të kërkojë sërish grante tek qeveria gjermane apo, në rastin më të keq, do të nxisë sërish një valë të re emigrantësh të paligjshëm?

Unë mendoj që kjo e dyta, fluksi i ri i emigrantëve shqiptarë drejt Gjermanisë dhe vendeve të tjera mbetet opsioni më i mundshëm.

Dhe, kjo për faktin se qeveria jonë nuk ka aftësinë dhe, mbi të gjitha, nuk ka as dëshirën dhe vullnetin për të nxitur rritjen ekonomike të qytetarëve shqiptarë.

Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm se prej vitesh, në vendin tonë nuk afrohet asnjë kompani e huaj serioze. Jo vetëm kaq, por edhe ato pak marka ndërkombëtare që kishin krijuar filialet e tyre në Shqipëri tashmë janë larguar.

Qeveria nuk ka asnjë projekt zhvillimi, përveçse PPP-ve, projekteve që shërbejnë më së miri për pastrimin e parave kriminale.

Të nderuar kolegë!

Seancat plenarë të Kuvendit të Shqipërisë janë bërë thuajse të gjitha uniforme. Qeveria sjell projekt-ligjet e saj dhe, pavarësisht qëndrimeve opozitare, sërish i miraton me forcën e kartonit të saj.

Debatet në këtë sallë janë shpesh të ashpra, pasi opozita, në të drejtën e saj, kërkon që fjala dhe opinioni t’i dëgjohet e t’i vlerësohet.

Por, kjo qeveri e krijuar nga paratë e drogës, nuk e ka fare në kandar qëndrimin e opozitës.

Në zyrat e Brukselit, kjo qeveri përbetohet se po bën gjithçka për të gjetur konsesusin kombëtar për rrugën e integrimit të vendit. Por realiteti është i qartë në këtë sallë, ku opozita trajtohet si armike.

Opozita paraqet faktet për rrënimin e përditshëm ekonomik të shqiptarëve. Qeveria, nga ana e saj, sulmon me artikuj të paguar nga taksat e shqiptarëve në median ndërkombëtare që trumbetojnë sukseset e kësaj qeverie.

Opozita kërkon llogari se përse vendi po i shmanget kursit europian. Qeveria prezanton kontrata strategjike me “sulltanatet” e reja aziatike.

Opozita vijon të japë alarmin për drogën që ka kriminalizuar vendin. Qeveria i kundërvihet me deklaratat e disa diplomatëve, të cilët, duket se në Tiranë kanë vënë syzet e Magjistarit të Ozit, ku e gjelbra e kanabisit u duket si gur i çmuar.

Natyrisht, opozita nuk kërkon as mëshirën dhe as lëmoshën e qeverisë. Përkundrazi! Opozita e sotme është jo vetëm alternativa, por edhe zgjidhja e vetme për të qeverisur siç duhet Shqipërinë.

Por, këtë opozita duhet ta dëshmojë jo thjeshtë dhe vetëm në këtë sallë, e cila nuk ka legjitimitet për shkak të parave të drogës që ka sjellë këtu maxhorancën qeverisëse.

Opozitarët duhet të jenë aty ku janë hallet e qytetarëve. Është për t’u vlerësuar angazhimi opozitar në përfaqësimin e qytetarëve në gjendje të mjeruar, të cilët u përjashtuan përdhunshëm nga skema e ndihmës sociale.

Dhe, vetëm falë këtij angazhimi, qeveria u detyrua të pranojë abuzimin, pavarësisht se e gjeti fajtorin tek sistemi elektronik. Të shpresojmë që qeveria të reflektojë dhe familjet në varfëri ekstremë të mund të marrin ndihmë financiare nga shteti.

Ky është një prej atyre sinjaleve që dëshmon se opozita është vërtetë pranë qytetarëve.

Të nderuar kolegë të opozitës! Ne kemi përgjegjësinë madhore para qytetarëve shqiptarë që të jemi zëri i tyre, të jemi pjesë e zgjidhjes së problemeve të tyre jetike.

E kemi ne për detyrë që, krahas mbështetjes për qytetarët, të prezantojmë edhe alternativën tonë ekonomike dhe qeverisëse.

Me këtë qeveri fluturake që kemi sot, opozita duhet të jetë e përgatitur që në një kohë të shkurtër të ketë gati platformën e drejtimit të vendit.

Ne si opozitë kemi detyrën madhore që të shpëtojmë qytetarët shqiptarë nga kthetrat e varfërisë së skajshme që ua ka bërë peshqesh kjo qeveri!

Burimi: (integrimi.al/T.I)

al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al