Nga Petrit Vasili

10 pyetje pa përgjigje dhe Ramashtagu, që dogji përfundimisht Prokurorinë!

Lajmi më i rende i dëgjuar ndonjëherë për rrezikun e djegies së Parlamentit, ka djegur njëherazi në vetëm pak çaste Prokurorinë shqiptare.

Edhe përpara se ky lajm të bëhej publik, Presidenti në momentin e dekretimit të anulimit të zgjedhjeve më 8 qershor kishte theksuar se një motiv shumë i fortë për marrjen e këtij vendimi ishte siguria kombëtare.

Në arsyet e dekretit të anulimit të zgjedhjeve thuhej:

“Presidenti i Republikës, si Kryetar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ka vënë re se sjellja e aktorëve politike në vend, ka krijuar një klimë të theksuar konflikti që rrezikon stabilitetin e rendit publik, çka do të përbënte rrezik edhe për vetë sigurinë kombëtare të Republikës së Shqipërisë dhe do të defaktorizonte rolin e vendit tonë si faktor paqeje e stabiliteti në rajon.”

“Zhvillimi i zgjedhjeve në kushtet e një situate të tensionuar politike krijon rrezikun e një konflikt civil, gjë e cila përbën rrezik serioz për dëmtim të jetës dhe shëndetit të qytetarëve, stabilitetin demokratik të vendit, unitetin e popullit dhe rendin kushtetues”,  vazhdonte Presidenti.

Pas gjithë argumentimi shumë serioz të Presidentit ka 10 pyetje që e “djegin” Prokurorinë:

  1. Çfarë bëri Prokuroria shqiptare në kushtet e një paralajmërimi të tillë shumë serioz në atë kohë?
  2. Kush e ndaloi Prokurorinë që të komunikonte menjëherë me Presidentin dhe Kryeministrin pas dekretit të anulimit nga Presidenti me qëllim hetimin dhe zbardhjen e faktorëve dhe aktorëve, që rrezikonin rendin publik dhe kushtetues?
  3. Si është e mundur që Prokuroria e treguar aq e shpejtë në arrestimin e protestuesve dhe drejtuesve të opozitës qëndroi duarlidhur përpara një situate dhe rreziku kaq të madh për vendin?
  4. Çfarë bëri Prokuroria pas bërjes publik nga Presidenti të lajmit për rrezikun e djegies së Parlamentit përpara Komisionit Hetimor?
  5. A komunikoi prokuroria me Kryeministrin për një lajm të tillë shumë të rëndë?
  6. A verifikoi që një informacion të tillë e kishte marrë edhe kryeministri?
  7. A i zbardhi veprimet e mosveprimet e Kryeministrit pas marrjes se informacionit?
  8. A komunikoi Kryeministri me Prokurorinë pas marrjes së informacionit në atë kohe?
  9. A e kërkoi Kryeministri ndihmën e Prokurorisë për zbardhjen e kësaj çështjeje shumë të rëndë dhe nëse jo, për çfarë arsye nuk e bëri?
  10. A filloi Prokuroria çështje kryesisht menjëherë pas publikimit të lajmit nga Presidenti në Komisionin Hetimor?

Sigurisht që Ramashtagu dhe Prokuroria janë një.

Në të kundërt të gjitha pyetjet e mësipërme do të kishin marrë përgjigje me kohë dhe nuk do të kishte asnjë nevojë që Presidenti ta bënte publik një lajm të tillë dhe vendit do t’i ishte kursyer turpi i zi i 30 qershorit.

Po, Ramashtagu ishte vazhdimi kriminal i strategjisë së provokimit, demonizimit dhe asgjësimit të opozitës për të vazhduar të qetë vjedhjen dhe korrupsionin si dhe që trafikantët e kriminelët klientë të qeverisë të vazhdonin të paprekur punën e tyre.

Sot Prokuroria është në pozicionin më negativ dhe më të shëmtuar të historisë së ekzistencës së saj.

Si peng i 69 votave antikushtetuese të Arta Markut shqiptarët po paguajnë sot haraçin e pandëshkueshmërisë së kriminelëve në qeverisje dhe përqark saj, që vjedhin qindra milion euro ashtu si sot në Parlament me koncesionet e rrugëve Milot -Balldren dhe Orikum- Dukat.

Ramashtagu dështoi të digjte Parlamentin, por dogji përfundimisht Prokurorinë.