Vasili: Është shumë e qartë për të gjithë shqiptarët që Kryeministri po bën të pamundurën që të kapë Reformën në drejtësi dhe ta dëmtojë atë

Kryetari i Grupit Parlamentar të LSI-së Petrit Vasili deklaroi sot se maxhoranca ka kompromentuar rëndë Reformën në Drejtësi, duke depozituar për votim për KLP-në dhe KLGJ-në një listë të manipuluar kandidatësh, duke fshehur rekordet e tyre dhe duke përfshirë emra kandidatësh të cilët nuk plotësojnë kriteret e vendosura qartësisht në ligj dhe në Kushtetutë.

“Një listë e tillë e manipuluar, një proces i tillë i manipuluar është atentati më i rëndë që mund ti bëhej Reformës në Drejtësi. Është një atentat i cili ka dëmtuar rëndë legjitimitetin e saj, besueshmërinë e saj përpara opinionit publik dhe popullit shqiptar”, tha Vasili i cili kërkoi nga Prokuroria e Përgjithshme nisjen e hetimit për Sekretarin e Kuvendit z.Genc Gjonçaj. “I bëj thirrje këtu publikisht Prokurorisë Shqiptare, në rast se ajo ka paanësi, në rast se ajo është e vëmendshme ndaj zbatimit të ligjit, në rast se ajo ka të gjithë përgjegjësitë ligjore për të ushtruar ndjekje penale, të fillojë ndjekjen penale kryesisht për Sekretarin e Kuvendit të Shqipërisë, z.Genc Gjonçaj, i cili ka manipuluar thellësisht këtë proces të përpunimit të listave, që nga fshehja e rekordeve të kandidatëve, manipulimi i të dhënave të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, pra ka shpërdoruar detyrën me pasoja shumë të mëdha, që do të thotë kompromentim shumë të rëndë të Reformës në Drejtësi”, tha Kryetari i Grupit Parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili.

Deklarata e plotë
Grupi Parlamentar i Lëvizjes Socialiste për Integrim mbështeti me unanimitet të plotë kërkesën e deputetit të LSI, Nasip Naço, anëtar i komisionit përkatës për procesin e përzgjedhjes së kandidaturave për Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe Këshillin e Lartë Gjyqësor. Grupi konstatoi me keqardhje që kemi të bëjmë në këtë proces, i cili tashmë është publik, dhe praktikisht është denoncuar publikisht, kemi të bëjmë me një proces dhe me një listë të manipuluar, me më tepër se gjysmën e saj, me fshehje të rekordeve të kandidatëve, me përfshirje të kandidatëve të cilët fshehin dukshëm apo nuk plotësojnë kriteret e vendosura qartësisht dhe rigorozisht në ligj dhe në Kushtetutë, klasifikimi i tyre dhe njëkohësisht hedhja e shortit dhe përfshirja e tyre për të shkuar në seancën plenare. Një listë e tillë e manipuluar, një proces i tillë i manipuluar është atentati më i rëndë që mund ti bëhej Reformës në Drejtësi. Është një atentat i cili ka dëmtuar rëndë legjitimitetin e saj, besueshmërinë e saj përpara opinionit publik dhe popullit shqiptar, i cili ka pritur një Reformë të paanshme dhe në zbatim vetëm e vetëm të ligjit dhe të Kushtetutës së vendit, dhe i ka dhënë njëherazi goditje shumë të rëndë procesit të integrimit evropian, i cili lidhej ngushtësisht me zbatimin e kësaj Reforme. Është konstatuar gjithashtu dhe një dukuri tjetër akoma më e rëndë, që Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, i cili do të ishte garanti i integritetit të implementimit të Reformës në Drejtësi, ky Operacion Ndërkombëtar i Monitorimit për të gjithë publikun e gjerë, për të qenë i qartë me publikun, do të mbështetej dhe do të përbehej nga specialistët të njohur , të vënë në dispozicion nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Bashkimi Evropian, ka dhënë qartësisht opinionet e tij, në mënyrë të pavarur dhe me integritet, opinione të cilat u rrëzuan, u përbuzën, u refuzuan nga mazhoranca në fuqi, e cila po bën vetëm e vetëm një luftë të sajën, një betejë të sajën, atë të kapjes së Reformës në Drejtësi. Kandidatë të cilët u s’kualifikuan nga Operacioni Ndërkombëtar I Monitorimit, për pamundësi morale, pra moralisht të papranueshëm për të vazhduar konkurrimin, përkundrazi janë propozuar, janë klasifikuar të parët nga instrumentet në mazhorancës në Kuvend, praktikisht nga Sekretari i Përgjithshëm. Përfundimisht janë hedhur dhe në short dhe janë në sallën e Kuvendit, pra Kuvendi i Shqipërisë do të ketë përpara dhe do ti jepet për votim persona pa integritet moral, në thyerje krejtësisht flagrante të kritereve të ligjit dhe Kushtetutës, pra pikërisht e kundërta e asaj për të cilën u ngrit kjo Reformë. Në momentin që edhe Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, pra garanti ndërkombëtar, i cili u vendos dhe në Kushtetutën e Shqipërisë, nuk ka më vlerë, refuzohet, përbuzet, në funksion të kapjes së shtetit nga mazhoranca në fuqi, i tërë procesi i reformës është kompromentuar rëndë, dhe si i tillë është një kambanë shumë e fortë alarmi për të gjithë popullin shqiptar. Dhe për motivet e forta e shtyjnë atë të protestojnë në 27 Janar edhe për Reformën në Drejtësi, e cila po nëpërkëmbet dhe po shqyhet nga mazhoranca, vetëm e vetëm për ta kapur në funksion të interesave dhe vetes së saj. Dhe si i tillë ky proces tashmë mund të konsiderohet një proces i kompromentuar tërësisht. Njëherazi i bëj thirrje këtu publikisht Prokurorisë Shqiptare, në rast se ajo ka paanësi, në rast se ajo është e vëmendshme ndaj zbatimit të ligjit, në rast se ajo ka të gjithë përgjegjësitë ligjore për të ushtruar ndjekje penale, të fillojë ndjekjen penale kryesisht për Sekretarin e Kuvendit të Shqipërisë, z.Genc Gjonçaj, i cili ka manipuluar thellësisht këtë proces të përpunimit të listave, që nga fshehja e rekordeve të kandidatëve, manipulimi i të dhënave të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, pra ka shpërdoruar detyrën me pasoja shumë të mëdha, që do të thotë kompromentim shumë të rëndë të Reformës në Drejtësi. Lëvizja Socialiste për Integrim ka qenë e prirur dhe vazhdon të priret ndaj një qëllimi konstruktiv që Reforma në Drejtësi të ecte përpara, ndaj ajo mori dhe pjesë në këtë komision, ndaj edhe e ka mbështetur Reformën në Drejtësi që në fillimet e saj që ajo si korpus kushtetues të votohej me 140 vota, por njëherazi ka mbështetur dhe miratimin e 7 ligjeve, duke pasur vetëm një bindje që këto ligje do të zbatoheshin. Situata aktuale është kritike. Situata është akoma dhe më kritike, edhe përpara se Reforma në Drejtësi të ndërmerrej, pasi është futur në qorrsokak të ri, shumë të zymtë, shumë të errët dhe ku përgjegjësitë e mazhorancës janë më të rënda se kurrë më parë, qofshin ato të drejtpërdrejta të sabotimit politik, qoftë edhe ato ekzekutive të sabotimit nëpërmjet provave evidente të cilat janë bërë tashmë publike. Përfundimisht është shumë e qartë për të gjithë shqiptarët që Kryeministri i Shqipërisë, jo vetëm po bën të pamundurën që të kapë reformën me qëllimin e vetëm që ta dëmtojë këtë reformë në drejtësi dhe t’i bëjë shërbim atij skenari të konsoliduar që duke dështuar reformën në drejtësi, të dështojë edhe procesi i hapjes së negociatave, pra të integrimit evropian, për t’i krijua alibinë dhe për të legjitimuar ëndrrën e Kryeministrit për ta larguar Shqipërinë nga Evropa dhe për ta integruar atë në realitete të tjera jo në Perëndim, por në Lindje, të cilat e çojnë Shqipërinë në qorrsokakë të reja, në drejtime shumë të rrezikshme dhe të panjohura, për të cilat shqiptarët nuk kanë qenë dakord dhe nuk e kanë mbështetur kurrë. Vokacioni i shqiptarëve ka qenë vetëm Perëndimi, vokacioni dhe bindja e vetëm e LSI-së është vetëm integrimi euroatlantik i vendit. Kësaj bindjeje ne do t’i shërbejmë deri në fund dhe qëndresa jonë do jetë e palëkundur ndaj çdo devijimi të tillë shumë të rrezikshëm të fateve të vendit.

Burimi: (integrimi.al/T.I)

al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al