Operacioni i zhvilluar nga policia italiane në bashkëpunim me policinë marokene dhe atë shqiptare çoi në arrestimin e 16 personave, në orët e para të mëngjesit të sotëm, në krahinën e Frosinones.

Mediat italiane shkruajnë se 13 nga të arrestuarit janë italianë dhe marokenë , ndërsa 3 prej tyre shqiptarë dhe mbi ta rëndon akuza e “posedimit të drogës për qëllime trafikimi”.

Gjithashtu gjatë hetimit u evidentua se grupi i arrestuar ishte përgjegjës për kryerjen e një sërë vjedhjesh në serviset e automjeteve.

Nën cilësinë e provës material janë gjetur dhe sekuestruar 11 kg hashash dhe më shumë se 100 gram kokainë dhe marijuanë.

Hetimi për grupin kriminal të shkatërruar tashmë nisi që pas vdekjes së 20- vjeçarit Emanuele Morganit, banues në Tecchiena të Alatrit.

Pas vdekjes së tij u përfol se tragjedia ndodhi për shkak të konsumimit të drogës.