Pasi ka kaluar më shumë se një muaj nga vdekja e Rezarta Hajdarit, më në fund është zbuluar shkaku që solli helmimin e çiftit në Librazhd.

Përgjigjet e autopisë kanë nxjerrë se Rezarta dhe Olsi Hajdari u helmuan si pasojë e monoksidit të karbonit, që ka ardhur si pasojë e prushit që mbanin në dhomën e gjumit.

Mësohet se kjo përgjigje do ti dërgohet me postë dhe prokurorisë së Elbasanit, e cila kishte nisur hetimet për shkaqet e vdekjes së të resë.

Familja e saj pretendonte se nuk kishim të bënim aspak me një vetëvrasje, siç ishte raportuar fillimisht, dhe aludonin se pas ngjarjes qendronin të afërm të familjes së Olsit.

Ndërkohë vetë i mbijetuari, Olsi Hajdari shprehej për mediat se ai e donte shumë Rezartën, por nuk ishte në gjendje të kujtonte sesi kishte ndodhur vdekja e saj.

“Nuk mbaj mend asgjë fare, nuk mbaj mend as si më çuan në spital dhe kush më çoi. Jam përmendur vetëm në spital.

Me Rezartën kam dy vjet. Tani bëmë edhe dasmën. Fiks mbrëmë një javë kemi patur ceremoninë. Që nusja nuk jetonte më e mora vesh në spital, më tha xhaxhai”, rrëfente Olsi pak ditë pas ngjarjes, ku shfaqej dhe i përlotur.