Zbardhet dëshmia e prindërve të 2 foshnjeve binjake që kanë ndërruar jetë mbrëmjen e djeshme në qytetin e Beratit në rrethana ende të paqarta.

Nëna e bebeve Merushe Agalliu shprehet se dita e djeshme ka qenë e zakonshme dhe pasi i ka ushqyer fëmijët me qumësht ka vënë në krevat. Pak më vonë pasi ka vërejtur se 2 binjakët kishin të ftohtë ka lajmëruar menjëherë ambulancën por ka qenë e kotë pasi foshnjat kishin ndërruar jetë.

“Mëngjesi i djeshëm ishte si çdo ditë tjetër. Pasi i ushqeva me qumësht kutie i vendosa në krevat. Shkova në dhomë dhe vura re që fëmijët kishin të ftohtë. Njoftuam ambulancën por fëmijët kishin vdekur. Fëmijët nuk vuanin nga ndonjë sëmundje”, ka thënë nëna e cila ende është e tronditur.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur mëngjesin e djeshëm, kur prindërit kanë nxituar drejt repartit të pediatrisë së qytetit të Beratit, pasi fëmijët nuk kishin shenja jete.

Spitali tha se fëmijët kanë mbërritur të pajetë në repartin e pediatrisë. Më pas trupat e pajetë të foshnjave 5-muajsh janë dërguar në morgun e qytetit ku është kryer autopsia, por nuk ka rezultuar asnjë shenjë helmimi nga qumështi, siç edhe dyshonin prindërit.

Ndërsa kunata e nënës së fëmijëve, ka rrëfyer se mëngjesin e sotëm nëna ka vendosur t’i zbresë fëmijët nga kati i dytë i banesës, në katin e parë ku ndodhej edhe soba e drurit, për shkak të të ftohtit.

Por ajo thotë se pas rreth gjysëm ore, kur nëna i kërkoi të merrte fëmijët, ata nuk kishin më shenja jete. Foshnjet janë varrosur po ditën e sotme, ndërsa analizat janë nisur për t’u kryer në Tiranë.