Deputetja e LSI, Kejdi Mehmetaj ka reaguar me anë të një statusi në rrjetin social Facebook, në lidhje me vendosjen e tarifave nga Ministria e Arsimit dhe qeveria për studentët.

Sot është dita e dytë e protestës nga studentët e Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Arkitekturës, por Mehmetaj shkruan se Kryeministri po i largohet përgjegjësive që ka dhe po i vendos qytetarët përballë njëri-tjetrit.

“Një qeveri që buxhetin e shtetit e përdor për të financuar koncesione dhe PPP me vlera të çmendura dhe tërësisht korruptive, kuptohet që nuk gjen para për të financuar arsimin. Sot financimi i arsimit në Shqipëria është ndër më të ulëtit në vite dhe padyshim me i ulëti krahasuar me rajonin dhe më gjerë”, vijon më tej deputetja e LSI.

Më poshtë, Mehmetaj ka paraqitur një VKM në lidhje më provimet e mbartura të studentëve

 

Reagimi i plotë i Mehmetaj:

Studentët e Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës janë sot në ditën e dytë të protestës.

Ministria e Arsimit dhe Kryeministri boll u janë fshehur përgjegjësive duke vendosur përballë qytetarët me njëri-tjetrin.

Kjo është VKM që detyron Universitetet të vendosin tarifë për çdo kredit të provimeve të mbartura dhe është po Ministria e Arsimit e cila kontrollon Bordet e Administrimit (në shumicën e Universiteteve sipas Ligjit të Arsimit të Lartë) të cilat përcaktojnë vlerën e tarifës.

Ndërkohë që familjet shqiptare po kalojnë vështirësi të mëdha ekonomike e papunësi në nivele të larta si rrjedhojë e keqmenaxhimit të burimeve shtetërore dhe aferave korrupitve të qeverisë, studentët paguajnë për tu shkolluar tarifa ndër më të lartat në rajon. Tani po detyrohen të paguajnë edhe 20 deri në 45 mijë lekë më shumë për sezon.

Një qeveri që buxhetin e shtetit e përdor për të financuar koncesione dhe PPP me vlera të çmendura dhe tërësisht korruptive, kuptohet që nuk gjen para për të financuar arsimin. Sot financimi i arsimit në Shqipëria është ndër më të ulëtit në vite dhe padyshim me i ulëti krahasuar me rajonin dhe më gjerë.

Në mënyrë të menjëhershme qeveria duhet të tërhiqet nga VKM që detyron studentët të paguajnë për provimet e prapambetura. Në mënyrë të menjëhershme qeveria të rrisë buxhetin e arsimit, në mënyrë të veçantë të arsimit të lartë.

Të rinjtë shqiptar e duan shkollën dhe edukimin, asnjë tratativë për ti larguar nga dyert e shkollave nuk do të funksionojë, qofshin këto edhe tarifat e papërballueshme.