Viktor Tushaj: Tarifa e Rrugës së Kombit, qeveria e makutërisë po rrjep shqiptarët

Fjala në Kuvend e deputetit të LSI-së, Viktor Tushaj

Marrëveshja ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Austrisë për mbrojtjen shoqërore, është një zhvillim pozitiv.

Ajo është një prej atyre dokumentave standartë, të cilat Shqipëria duhet t’i miratojë në formën e kërkuar nga partnerët ndërkombëtarë, në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Europian.

Në fakt, Marrëveshja krijon disa garanci dhe siguron disa mundësi për qytetarët shqiptarë që jetojnë në Austri. Natyrisht, Shqipëria, duhet të garantojë disa të drejta edhe për ata qindra qytetarë shqiptarë, të cilët kanë zgjedhur të jetojnë legalisht në këtë vend të Bashkimit Europian.

Por kjo Marrëveshje, për fat të keq, nuk siguron mbrojtje sociale për mijëra qytetarë të tjerë shqiptarë, të cilët jetojnë në mënyrë ilegale në Austri. Janë njerëz që rëndon mund të quhen të “pa tokë”, të “pa shtet”.

Janë qytetarë që kanë jetuar në kushtet ekstreme të varfërisë në Shqipëri. Kanë shitur të paktat gjëra që kanë pasur dhe janë nisur kuturu rrugëve të Europës, për shkak të arrogancën, indiferencës dhe paaftësisë së qeverisë së Tepsisë.

Më vjen shumë keq që jam ligjvënës i këtij vendi, kur lexoj shifrat e EUROSTAT. Azil-kërkuesit shqiptarë janë në top-listën në shumë vende kryesore europiane.

Në Francë, në vitin 2017, arritën rekordin, duke lënë pas sirianët, afganët, etiopianët. Në Belgjikë, azil-kërkuesit shqiptarë vijojnë të mbajnë të palëkundur pozicionin e dytë për numrin më të lartë të azil-kërkuesve.

Në Gjermani, numri është ulur paksa, por sërish jemi në top-listë. Në Austri, Irlandë, Britani të Madhe, po ashtu, azil-kërkuesit shqiptarë, ata fatkeqë që nuk shohin asnjë shpresë në këtë vend, vijojnë të mbajnë shifra rekord për kërkesa për azil.

Natyrisht, këta të mjerë, e dinë shumë mirë se nuk kanë asnjë mundësi për të fituar azilin në vendet e Bashkimit Europian. E, megjithatë, marrin rrugën, së bashku me fëmijë të vegjël, me shpresën se ndoshta diku gjejnë një strehë dhe ushqim.

Shumë prej këtyre azil-kërkuesve rikthehen në Shqipëri dhe më pas gjejnë sërish rrugën e emigrimit ilegal në Europë apo edhe në SHBA.

Kjo situatë e turpëron Kryeministrin dhe qeverinë tonë, pasi nuk duan të përballen me skepticizmin e partnerëve ndërkombëtarë për aftësitë e tyre qeverisëse.

Këta azil-kërkues, këta bashkëqytetarë tanë të varfër në ekstrem, i prishin imazhin Kryeministrit tonë. Qeveria jonë kërkon të paraqesë imazhin e një vendi në zhvillim, të një vendi që e meriton integrimin në Bashkimin Europian.

Në fakt, nuk ka shqiptar që nuk e dëshiron bashkimin e vendit me familjen e madhe europiane. Por, kjo dëshirë, në situatën aktuale, është më së shumti utopi.

Me qeverinë tonë, për fat të keq, Europa duket shumë e largët. Në vitin 2007, kur Kroacia hyri në Bashkimin Europian, vendasit atje krijuan një batutë. “Hyrja e Kroacisë në BE është e ngjashme me mbërritjen në një festë, kur të gjithë pijet kanë përfunduar”.

Dhe kjo batutë ishte në vitin 2007. Secili është i lirë të imagjinojë se çfarë mund të thuhet kur t’i vijë radha Shqipërisë për anëtarësim.

Ne si opozitë kemi dëshmuar dhe vijojmë të jemi të vendosur që të japim kontributin tonë maksimal për çuarjen përpara të reformave, që do të ndihmojnë vendin për integrimin në Bashkimin Europian.

Ne e përsëritëm këtë qëndrim edhe para pak ditësh dhe jemi të vendosur që të mbështesim çdo nismë që afron vendin tonë me standartet perëndimore.

Por, duket se vetëm opozita politike shpreson në një integrim sa më të shpejtë. Përtej deklaratave, batutave dhe propagandës, qeveria rezulton të jetë më e painteresuara për bashkimin e Shqipërisë me Europën.

Jo vetëm kaq, por kjo qeveri po ndan për së gjalli shqiptarët brenda Shqipërisë dhe shqiptarët e Shqipërisë me ata të Kosovës. Dhe kjo, vetëm e vetëm që disa oligarkë pranë tij të rrjepin qytetarët shqiptarë, por sidomos ata të Veriut të vendit dhe më pas paratë t’i ndajnë bashkë.

Rruga e Kombit, një prej veprave më të rëndësishme rrugore në Shqipëri, tashmë do të jetë trau i kufirit të shqiptarëve mes vedit.

Çdo automjet që do të kalojë nga Tiranë në Kukës e Kosovë dhe anasjelltas tashmë do të paguajë taksën e kufirit brenda shtetit.

Dhe kjo është dhuratë e hidhur e qeverisë së Tepsisë, e cila nuk sheh asnjë zgjidhje për të mbushur arkën e boshatisur nga makutëria dhe keqqeverisja, përveçse të rrjepë gjithnjë e më shumë shqiptarët.

Ose, t’i ndajë ata nga njëri-tjetri, të lërë jashtë Shqipërisë së saj, pjesën më të varfër të vendit, atë që i tregon lakuriqësinë e dështimit të saj.

Kryeministri ynë që betohet nëpër media e sallone ndërkombëtare se po bëhet copash për Kosovën, me taksën e Rrugës së Kombit nuk ka bërë as më shumë e as më pak se sa u ka vështirësuar bashkëkombasit tanë kosovarë komunikimin me Shqipërinë.

I ka kthyer ata shumë vjet pas, kur shqiptarët e Kosovës e kishin ëndërr që të kalonin në Shqipëri. Tashmë, me taksën absurde dhe tejet klienteliste, kryeministri dhe qeveria e Tepsisë, po u thonë kosovarëve: Rrini aty ku jeni, mos kaloni traun e kufirit”.

Kjo është e turpshme, të nderuar kolegë. Akoma më e turpshme është që Kryeministri ynë, që flet dhe flet pafundësisht për çdo gjë të vogël, nuk ka asnjë fjalë për gjobën që po u vë shqiptarëve me tarifën e Rrugës së Kombit.

Për më tepër, sejmenet dhe sojsëzët e tij, mundohen të gjejnë fajin e taksës tek Lëvizja Socialiste për Integrim. Mundohen të bindin qytetarët se ministrat e LSI-së e kanë propozuar vendosjen e traut.

Jo, të nderuar qytetarë! Ky është një mashtrim i ulët dhe qesharak. Ministrat e LSI-së dhe vetë LSI-ja nuk ka qenë asnjëherë për taksimin e padrejtë të qytetarëve. Përkundrazi, ne kemi propozuar paketa të ndryshme për zbutjen e barrës fiskale për shqiptarët.

Edhe në rastin e taksës për Rrugën e Kombit, pjesa qeveritare nga LSI-ja nuk ka qenë asnjëherë pro vendosjes së taksës. LSI, në kohën kur bashkëqeveriste me Tepsinë, ka kërkuar fonde publike për mirëmbajtjen e këtij aksi të rëndësishëm rrugor.

Por, maxhoranca në qeverinë e asaj kohe, ajo që sot është mbledhur rreth Tepsisë, nuk e kishte në peshore aspak këtë qëndrim. Për ata ishte dhe vijon të jetë e rëndësishme fasada, PPP-të dhe oligarkia që i rrethon.

Qytetarëve shqiptarë, mesa duket, qeveria u ka lënë Zotin. Ndërsa qytetarëve veriore, qeveria nuk u ka lënë asgjë.

Pjesa më e varfër e këtij vendi, tashmë duhet të qëndrojë edhe jashtë kufijve të Shqipërisë qeveritare. Nëse nuk u mjafton varfëria për t’u nënshtruar, atëherë u lëshon edhe ujin e Hidrocentraleve.

Ne jemi vend paradoksal, pasi kemi përmbytje edhe atëherë kur nuk bie shi. Qeveria, me propagandën e saj boshe, dëshiron të bindë shqiptarët se Veriu i vendit, Shkodra, Lezha, u përmbytën për shkak të shirave, edhe kur koha shkëlqente nga dielli.

Nuk mund ta pranojë kjo qeveri se mijëra hektarë në Lezhë u përmbytën për shkak të makutërisë dhe keqmenaxhimit dhe të kaskadave të hidrocentraleve.

Nuk mund të pranojë këtë të vërtetë të hidhur, pasi do t’i duhej të shpallte Gjendjen e Emergjencës dhe të harxhonte disa para për ata të mjerë që u gjendën në pushtetin e ujit të lëshuar nga qeveria.

Pra, do t’i duhej të harxhonte disa shuma parash, të cilat shumë mirë mund t’i kanalizojë në konçensione dhe, tek të preferuarat e kësaj qeverie, tre P-të.

Nuk ka qeveria jonë as dëshirë, as vullnet dhe as planifikim për t’u ardhur në ndihmë të varfërve dhe të përmbyturve. Ata duhet të gjejnë vetë zgjidhjen e tyre të mbijetesës. Ata nuk përbëjnë shqetësim për këtë qeveri, njëlloj si të mos merrnin frymë në këtë tokë.

Ju faleminderit për vëmendjen!

Burimi: (integrimi.al/T.I)

al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al