Në një shkrim të gjatë ku përshkruan operacionet e fundit në vendin tonë për goditjen e organizatave kriminale që merren kryesisht me prodhimin dhe trafikimin ndërkombëtar të drogave të rënda, ”Zëri I Amerikës” në seksionin shqip, jep edhe disa detaje interesante për praninë e hetuesve të huaj në këto hetime.

“Burime të besueshme bënë me dije se përkrah policisë shqiptare në këtë operacion dhe hetime dyvjeçare kanë qëndruar edhe ekspertë të agjencive të antidrogës amerikanë, gjermanë dhe shtete të tjera të prekura nga kjo veprimtari kriminale.

Ata provuan së bashku 13 episode me lëndët narkotike dhe sende të tjera antiligjore të pjesëtarëve të këtyre grupeve kriminale, që nga Lezha, Durrësi, Shkodra, Burreli, Saranda, Lushnja, Kukësi e deri në Itali.

Pika kulmore e operacionit, krahas arrestimeve në qendrën e tyre në Shijak, ishte zbulimi dhe goditja e laboratorit të përpunimit të drogave të forta në Has, ku u gjetën 182.5 kg morfinë, e ndarë në 175 pako, 22 litra lëndë e lëngshme, të cilat përdoreshin për prodhimin e heroinës. Materialet vinin nga Turqia përmes Kosovës dhe, pas përpunimit në Has, zbritnin në qytetet bregdetare për t’u nisur drejt Italisë” zbulon, mes të tjerave VOA në shkrimin e saj.