Një shqiptar ka rënë në prangat e policisë greke pasi kishte vjedhur 140 mijë litra vaj nga rezervuarët e Spitalit të Përgjithshëm të ishullit të Rodosit.

Edhe pse 41-vjeçari shqiptar ishte larguar drejt Italisë, ai u ekstradua në Greqi pas një urdhër arresti të lëshuar ndaj tij.

41-vjeçari, i paidentifikuar nga autoritetet, u shpreh se ishte penduar për vjedhjen e bërë por gjithçka kishte ndodhur pasi në atë periudhë kishte mbetur pa para pasi ishte shkarkuar nga puna prej dy muajsh.

Megjithatë shpjegimet e shqiptarit nuk ishin të mjaftueshme për të gjyqtarët të cilët i dhanë atij masën e arrestit me burg.

Çështja e nisur në korrik të vitit 2015, ka të përfshirë edhe dy shqiptarë të tjerë, gjithashtu të paidentifikuar, të moshës 20 dhe 22 vjeç. Të tre shqiptarët zbraznin vajin e spitalit të Rodosit çdo javë për dy vjet rrjesht nëpërmjet instalimeve të tubave të gjata.

Karburanti vidhej natën dhe ngarkohej në një makinë, e cila kishte të montuar një cisternë dhe rishitej tek një 40 vjeçar grek, i cili gjithashtu akuzohet si bashkëpunëtor  për moskallëzim krimi.