Ditën e djeshme, kur pritej të mbahej seanca e apelimit të masës së sigurisë ndaj Eftimios Eftimiu, 41-vjeçarit grek i dyshuar për vrasjen e Devi Kasmit, ai, nëpërmjet një deklarate, i ka shprehur Gjykatës se ndihej i kërcënuar për jetën.

Eftimiu nuk u paraqit në seancën e djeshme që do mbahej ndaj tij, gjë që çoi shtyrjen e saj. Greku i dyshuar për vrasjen e Devi Kasmit, mbrëmjen e 29 janarit në kryeqytet, në zonën e “Kinostudios”, pretendon se është kërcënuar me jetë në ambientet e paraburgimit të Bradasheshit.

Pas kërkesës së 41-vjeçarit, i dyshuar si vrasës me pagesë për shfuqizimin e masës së sigurisë “Arrest me burg”, ndaj grekut, Gjykata kishte vendosur shqyrtimin e kërkesës ditën e djeshme.

Por kjo seancë dështoi, pasi shtetasi grek, nëpërmjet një letre drejtuar Gjykatës së Krimeve të Rënda, i shprehte se ndihej i kërcënuar dhe me gjithë dëshirën e tij të madhe për të marrë pjesë në këtë seancë, nuk mundej të ishte prezent pasi i rrezikohej jeta.

“Kam marrë dijeni për datën dhe orën e seancës që do të zhvillohet ndaj meje, ndaj bëj me dije Gjykatën se e kam të pamundur të jem i pranishëm në këtë seancë. I nderuar kryetar i trupit gjykues, dua të jem dhe të marr pjesë në seancë, por nuk dua të transportohem drejt kryeqytetit se ndihem i pasigurt për jetën time”, thuhej në letrën drejtuar Gjykatës së Krimeve të Rënda nga i dyshuari si ekzekutor i Devi Kasmit.

I njëjti pretendim është pohuar në sallën e gjyqit edhe nga avokati i tij mbrojtës, Saimir Vishaj, i cili i ka thënë Gjykatës se klienti i tij ka marrë kërcënime, por pa dhënë detaje për llojin e tyre. Por duket se Eftimius druhet me tepër nga qëndrimi një natë në 313, ku sillen 24 orë para gjyqit të paraburgosurit që mbahen jashtë Tiranës. Për këtë shkak, Krimet e Rënda e shtynë seancën për të enjten në orën 14:00, duke i dhënë mundësinë Policisë së Burgjeve të bëjë shoqërimin Eftimiut dhe kthimin e tij brenda ditës në Bradashesh.

41-vjeçari grek Eftimios Eftimiu është një nga katër personat e arrestuar në lidhje me vrasjen e Devi Kasmit. Nga momenti i arrestimit dhe në vijimësi, ai ka këmbëngulur në pafajësi, duke pretenduar se nuk ka asnjë lidhje me vrasjen dhe se ardhja e tij në Shqipëri në janar 2018 ka qenë vetëm për qëllime turistike.

Ish-efektivi i Policisë greke, Eftimios Eftimiu, ndaj të cilit rëndon akuza si ekzekutues i Devi Kasmit, dyshohet se është paguar për ekzekutimin e 40-vjeçarit rreth 25 mijë euro. Kujtojmë se në momentin e arrestimit në banesën ku qëndronte shtetasi grek, u gjet një sasi eurosh dhe lekësh, të cilat bashkë kapnin shifrën e 25 mijë eurove.