Ylli Manjani: Koha për të përmbyllur reformën në drejtësi

“Qytetarët kërkojnë të drejtat e tyre dhe pavarësi të sistemit gjyqësor”

Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, thekson se tashmë ka ardhur koha për të realizuar reformën në drejtësi. Sipas tij, qytetarët kërkojnë të drejtat e tyre dhe një sistem të pavarur gjyqësor. Në një intervistë për “News 24”, Manjani vë në dukje se mekanizmat dhe profesionistët janë aty. Sipas tij, tashmë vetëm duhet nisur nga puna. Ai shpjegoi se duhet vendosur standardi i hetimit penal dhe se korrupsioni luftohet me instrumente konkrete dhe jo me deklarata për shtyp. 

ylli-manjani-1

Departamenti i Shtetit ka bërë publik së fundmi raportin mbi gjendjen e të drejtave të njeriut, ku ndër të tjera thuhet që sektorët me të korruptuar janë drejtësia dhe shëndetësia. Si ndiheni kur dëgjoni këto lloj konstatimesh?

Sigurisht që, aspak mirë. Nuk është një gjë e mirë që të përballesh me konstatime të kësaj natyre, por sigurisht ndihesh edhe mirë, sidomos kur këto konstatime vijnë nga një vend aleat, nga një vend lider në politikën botërore, sigurisht që besoj që ndjesia e mirë vjen prej faktit, që nuk jemi vetëm në këtë botë, që kemi aleatë që na ndihmojnë, që na asistojnë, na vëzhgojnë dhe kjo nuk është pak. Dhe sigurisht që ka shpresë. Nuk është pa shpresë.

Lidhur me reformën në drejtësi, gjithashtu kishte një rezolutë në Parlamentin Evropian, raporti i paraqitur nga Fleckenstein, i cili thoshte se reforma në drejtësi duhet bërë brenda muajit prill. Jemi në mesin e muajit tashmë dhe duhet sikur ende nuk jemi gati për këtë gjë…

Çështja është që kjo është një domosdoshmëri. Është e kotë të shpenzojmë kohë në këtë studio për të diskutuar për rëndësinë e reformës. Rëndësia është e panegociueshme, e padiskutueshme, të gjithë e dinë këtë. Çështja është në është gjetur sinergjia apo ai tuni i nevojshëm për të dhënë garancitë e nevojshme që reforma ne po bëjmë, realisht do ta ndryshojë sistemin apo jo. Sigurisht ka skepticizëm, i cili duhet trajtuar një orë e më parë, në tryezë diskutimesh dhe jo në deklarata për shtyp, sepse këto të fundit vetëm i largojnë palët. I bëjnë praktikisht partitë politike, nga kontribuuese, që kanë detyrë të kontribuojnë, në palë. Dhe nuk e kuptoj se përse ka palë në reformën në drejtësi, ka kontribuues, secili sipas mundësive të veta. Unë kam qenë nga ata zyrtarë të këtij shteti që e kam vlerësuar dhe vazhdoj ta vlerësoj Partinë Demokratike për kontributin që ka dhënë, sepse kanë shkruar faqe të tëra, ka kontribute të jashtëzakonshme në këtë reformë dhe në emër të këtyre kontributeve, unë besoj që vetë Partia Demokratike duhet të jetë e interesuar që ta mbyllë këtë cikël me një kontribut pozitiv, që të ecim përpara sa më shpejt të jetë e mundur me ndryshimet kushtetuese, sepse kemi ende punë për të bërë. Kemi dhe rreth 40 ligje të tjera dhe në mënyrë të veçantë, ajo që edhe unë kam tërhequr vëmendjen dhe që u intereson qytetarëve, janë ligjet procedurale, ato që u takojnë njerëzve, të drejta, afate, qëkur të shkosh te salla e gjyqit të ndihesh si njeri, dhe jo si qytetar i dorës së tretë dhe ku nuk ndien asnjë lloj sajdisjeje, në kuptimin ligjor të fjalës. Pra, me këto gjëra duhet të kemi më shumë kohë t’i diskutojmë dhe t’i miratojmë sa më shpejt të jetë e mundur, në një formë tjetër, sepse fundi i historisë është kjo që, nuk besoj se i intereson kujt se kush do të jetë kryetari i Gjykatës së Lartë, apo asaj Kushtetuese, apo Prokurori i Përgjithshëm. Njerëzit duan të dinë se si do të zgjidhet e drejta e tyre dhe kjo e drejtë zgjidhet te salla e gjyqit, aty ku ndodh, në çdo cep të Shqipërisë. Në shumë statistika që ne i disponojmë sot është që njerëzit thonë që aman vetëm të mbarojë gjyqi, sepse zgjasin pafundësisht dhe fakti që zgjatet këtu lind perceptimi që duhet të japim lekë për ta mbyllur këtë punë. Është një miks perceptimi me realitetin, të cilin duhet ta ndajmë një orë e më parë.

Por këto gjëra që priten të zgjidhen duken si shumë të thjeshta dhe të pranueshme. Si shpjegohet që palët nuk po merren vesh?

Sepse gjithmonë gjërat e thjeshta komplikohen. Në thelb gjërat janë të thjeshta. Marrim çështjen e korrupsionit. Unë kam qenë ndër ata persona që kam hedhur tezën dhe kam vite që e them që nuk ka gjë të pabëshme, gjërat bëhen, është e thjeshtë fare. Në Shqipëri, për shembull, duhet kthyer, duhet vendosur standardi i hetimit penal dhe po të kemi një hetim penal realisht profesional, të pavarur nga qeveria dhe me kapacitet profesional të mirë, ashtu siç duhet dhe sipas standardeve nuk ka krim që nuk hetohet, që nuk zbardhet, sepse kjo është një shoqëri e vogël, gjërat dihen. Çështja është se nuk po gjejmë dot mekanizmin dhe profesionistin e duhur. Aty është edhe profesionisti edhe mekanizmi, ne duhet të gjejmë mënyrën që ta vendosim. Kjo ka krijuar një shkëputje midis politikës dhe interesave të njerëzve. Kjo është një gjë që politika dhe të gjithë së bashku duhet ta gjejmë një mënyrë që t’i përgjigjemi kërkesave të njerëzve. Korrupsioni luftohet me instrumente, nuk luftohet me deklarata për shtyp. Korrupsioni është vepër penale. Kush kapet duhet ta shlyejë, duhet të vuajë dënimin. Por, që të kapet, duhet të hetohet dhe nuk kjo nuk bëhet me deklarata për shtyp. As me deklarata që gjithmonë e më shumë po shtohet sindroma e drejtësisë popullore, ku bëhen gjyqe publike, ku parlamenti shndërrohet në një sallë gjyqi krejt papritur, kur deklaratat e partive politike janë të tilla “që të hetojë prokurori kundërshtarin tim me një mllef të jashtëzakonshëm, se unë jam më mirë se ai”. Ndërkohë që kur vjen në pushtet bën të njëjtën gjë. Kjo është një histori, dhe një rreth vicioz duke mos marrë zgjidhje. Kjo i ka ngatërruar njerëzit dhe i ka futur në hulli të paqarta. Kjo i nuk ka shërbyer transparencës dhe sigurisht nuk i kanë lënë gjërat që të funksionojnë.

Ka njerëz që mendojnë se protagonistët e vendimmarrjes së sotme nuk duan ta bëjnë reformën në drejtësi. A qëndron ky perceptim?

Nuk e besoj këtë. Për sa kohë që merrem me politikë, mua më takon që të flas për politikën. E para, unë nuk besoj që njerëzit nuk besojnë te politika. Në 25 vjet zgjedhje, mesatarisht 1 milion e 500 mijë votues dalin në votime. Njerëzit merrem me politikë. Politika është ende biznesi më atraktiv në shoqëri. Nga kjo pikëpamje, politika është interesante. Tani është koha e një faze tjetër, e diçkaje më të përgjegjshme dhe ne bëjmë këtë ftesë që t’i kthehemi përgjegjshmërisë. Duhet të heqim pak më shumë dorë nga pushteti që të lëmë shtetin që të funksionojë. Kjo është ajo që na ka munguar. Shteti është gjykata. Nëse gjykata funksionon edhe shteti funksionon, edhe qeveria disiplinohet. Nuk ka ligje më të mira sesa vendimi i gjykatës, sepse aty ku shqyrtohet një çështje konkrete, ku merret dhe analizohet ligji, ai krijon model dhe precedent. Ky model fillon e përhapet dhe krijon ndjesinë e barazisë ose të pabarazisë sepse njerëzit krahasohen me njëri-tjetrin, nuk krahasohen me ligjin, pasi ligji është diçka abstrakte. Nuk funksionon nëse nuk e kupton. Duhet ta njohësh ligjin që ta pranosh një vendim ose jo. Prandaj reforma në gjykata është e rëndësishme. Prandaj ne duhet ta ngremë gjykatësin mbi pushtetarin, qoftë edhe në trajtimin financiar. Propozimi im ka qenë dhe mbetet që, qoftë edhe një lek më shumë duhet ta ketë rrogën gjyqtari, sapo fillon punë në raport me Presidentin e Republikës. Gjyqtari duhet ta ketë rrogën më të lartë për trajtim, për nivel dhe për të luftuar korrupsionin, sepse nuk mund të flasim me raporte pafundësisht kur i japim 1 milion lekë të vjetra gjykatësit dhe objekti i gjyqit është 1 milion euro e lart. Kjo është një histori që nuk shkon pafundësisht.

Po ankesat e njerëzve për vendimet e gabuara të gjykatësve, si i komentoni?

Vendimet e padrejta dikur kanë qenë vepër penale. Gjykata Kushtetuese e ka shfuqizuar këtë, pra e konsideron si antikushtetues që të ndëshkosh gjykatës kur japin vendime të padrejta. Kjo histori ka rënë. Që të marrësh dhe të gjykosh vendimin e gjykatës nga jashtë sistemit. Pra, nga inspektorët e Ministrisë së Drejtësisë apo nga inspektorët e lartë të drejtësisë dhe të gjykosh drejtësinë e vendimit sërish është e pamundur. E vetmja gjë që mbetet është që një vendim i gabuar apo i padrejtë e rrëzon gjykata më e lartë. Pra, vendimin e gjykatës së shkallës së parë duhet ta rrëzojë apo korrektojë gjykata e apelit dhe mbi vendimin e apelit mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë. Kjo është rruga e vetme ligjore. Dua të shpjegoj diçka, sepse shumë qytetarë ankohen që vijnë tek ministria, që ministri i Drejtësisë dhe asnjë autoritet tjetër jashtë pushtetit gjyqësor, nuk mund të ndryshojë vendimin e gjykatës. Kjo nuk ka ndodhur as në regjimet diktatoriale. Ky është thelbi i pavarësisë së gjykatës, që gjykatësi e jep vendimin sipas provave që janë në gjyq. Unë mund të jem i bindur që shumë qytetarë që ankohen kanë të drejtë. Por, çështja është që nuk kam fuqi ligjore apo kushtetuese që ta ndryshoj vendimin. Përpiqem dhe vazhdoj t’i këshilloj që mos humbi afatet e gjykimit, duke u ankuar jashtë gjykatës. Nuk je dakord me vendimin e gjykatës së shkallës së parë, bëj menjëherë ankimin në shkallën e dytë. Ka edhe një problem tjetër, që janë një pjesë e madhe e avokatëve privatë, që në përpjekje për të justifikuar humbjen e gjyqit kërkojnë rrugë të tjera. Kjo është një gjë që nuk është e ndershme dhe etike. Unë do të kërkoj edhe ndërhyrje në komisionin e etikës në Dhomën e Avokatisë në raste të caktuara dhe flagrante. Kjo është rruga kushtetuese. Çdo gjë tjetër është pjesë e drejtësisë popullore. Kjo është një histori që duhet ta sqarojmë mirë dhe ata duhet të veprojnë brenda pushtetit gjyqësor. Ashtu siç jam plotësisht i gatshëm që kur ka shkelje të procedurës, të orarit, të afateve të sjelljes së gjyqtarëve në sallën e gjyqit, në trajtimin e gabuar në marrjen e shërbimit publik, absolutisht po, ndërhyjmë me inspektimin dhe verifikimet e nevojshme.

Si e keni ndërtuar në Ministrinë e Drejtësisë shërbimin tuaj ndaj qytetarëve?

I gjithë ekipi im ka një zyrë pritjeje, që e ka në pjesën pasive që rri dhe pret, ka një back up Office, që janë zyra mbështetëse, që janë me gjithë inspektorët që kam në dispozicion të Drejtorisë së Inspektimit, të cilët i marrin këto ankesa dhe i verifikojnë. Sigurisht sipas, po themi, rëndësisë jo në kuptimin e njeriut, por të volumit, çështjes apo të rëndësisë së çështjes se mund të ketë edhe afate. Një këshilltar i imi merret vetëm me këtë punë nga mëngjesi deri në darkë, pra më ndihmon mua që të hyjmë në kontakt, sepse shumë njerëz kërkojnë të takojnë ministrin, e kuptoj këtë gjë, por axhenda e ministrit nuk është diçka private, është diçka që përcaktohet nga shumë faktorë të tjerë. Ju garantoj me bindje që çdo gjë që vjen në Ministrinë e Drejtësisë, në celularin tim, në email-in tim, në email-in e ministrisë unë e shoh. Kjo është e sigurt, këtë jua jap kështu me garanci 100 për qind, e shoh përpiqem të reagoj që të bëj me dije, jo gjithmonë e arrij, kam raste kur i shoh, kur i rifreskoj po themi përpiqem t’i përgjigjem ndoshta me vonesë, por ama përgjigjem. Kjo është një standard që unë e kam me veten time. Dhe në çdo rast ka gjithmonë një inspektor që merret dhe e trajton çështjen. Kemi dhe ankesa, apo që vijnë te ministria dhe më thonë mua që s’kam shtëpi, nuk e di se si ta bëj, thjesht e transferoj këtë çështje te ministria e shtëpive, por jo te Ministria e Drejtësisë, apo ku di unë jam i sëmurë me tension apo gjëra të kësaj natyre. Kemi dhe gjëra të kësaj natyre, funksionojnë, por në përgjithësi pjesa e atyre që ankohen janë për shërbimin në gjykatë, kemi ankesa për ZRPP pra për regjistrimin e pronave, për hipotekën. Përgjithësisht në Durrës, zona e plazhit në Durrës është një zonë problematike, kemi pasur dy tre ankesa këtu, të cilat unë i kam verifikuar në parim dhe më regjistron që ka një problem me regjistrimin fillestar. Kam urdhëruar absolutisht kryeregjistruesin që të gjejmë një zgjidhje sa më të shpejtë që ky regjistrim fillestar në zonën e plazhit të sqarohet një orë e më parë. Në Vlorë ka shumë ankesa për ZRPP, Vlora, Saranda dhe kjo vjen kryesisht për disa elementë, e para për shkak të regjistrimit të munguar në vite dhe të dhënat që ne azhornojmë janë realisht të vështira; e dyta, për shkak të ndërhyrjeve në vite të Task-Forcave, bllokime, bllokime pa fund, të cilat është një moment që ne duhet të marrim një vendim për t’i zhbllokuar, që të paktën ato që janë me vendime gjyqi të mos vijnë vërdallë. Dhe grupi i tretë i ankesave janë për shërbimet e përmbarimit, të cilët edhe këtë dua ta theksoj nuk vjen nga verifikimi që ne bëjmë, nuk vjen për shkak se përmbaruesit sillen keq në raport me ligjin, por vjen se njerëzit janë të palumtur me vendimet e gjykatave, apo me kontratat që kanë lidhur me bankën. Tani, unë iu bëj thirrje njerëzve që kur të lidhin kontratën për të marrë kredi të maten mirë para se ta hedhin firmën se nuk dinë se çfarë firmosin. Dhe kur nuk e dinë se çfarë firmosin, shkojnë ja hedhin të gjithë përgjegjësinë përmbaruesit. Përmbaruesi është hallkë fundore, përmbaruesi ka në dorë një titull ekzekutiv dhe duhet të shkojë ta ekzekutojë. Po t’i ndërhyj unë përmbaruesit që mos e ekzekuto, unë bëj një krim. Dhe kjo është një gjë që nuk duhet ta tolerojmë, është e pafalshme për shoqërinë. Duhet të kuptojmë që nuk është zgjidhja duke bllokuar përmbaruesin, sepse duke bllokuar unë përmbaruesin fillon dhe na shtohet lista e debitorëve, lista e borxheve, të cilat janë private, por që krejt papritur në qoftë se shtohen bëhen publike dhe bëhemi të gjithë debitorë në mënyrë të padrejtë. Ashtu sikurse ka dhe ankesa të tjera pastaj, që vijnë edhe nga emisioni juaj, një qytetar nga Fieri, ai është një qytetar që ankohet rregullisht në Ministrinë e Drejtësisë, ne e dimë historinë e ankesave të tij, por përpiqemi që t’i këshillojmë njerëzit që t’i keni problemet e fokusuara, sepse fillon nga kryetari i bashkisë, te kryetari i komunës, pastaj është kryeplaku, pastaj ATP, pastaj prokurori, pastaj prokurori tjetër, tani problemi fillon dhe bëhet ndërkombëtar këtu. Duhet të fokusohemi te çështja, me qëllim që edhe të marrë zgjidhje. Sikurse edhe zonja nga Shkodra, të cilën unë e përmenda në analizën e Gjykatës së Apelit, edhe ajo vazhdon me një procedurë gjyqësore, ka të njëjtin problem me shumicën e atyre që ankohen për afatet e gjykimit. Përdoret shpesh fjala falsifikim, të gjithë janë të bindur që u janë falsifikuar letrat, tani falsifikimi është vepër penale dhe veprën penale e heton prokurori, jo ministri. E gjithë pjesa e ankesave zë më shumë se 50 për qind të kohës së punës sime dhe nuk ka asnjë problem, përkundrazi të jep kënaqësinë që e trajton diçka por të jep dhe vështirësinë. Më besoni se në darkë, kur ulesh të flesh dhe konstaton se ke dhe pamundësi për të vepruar, sepse mirë do ishte që unë të reagoja me të njëjtën shpejtësi që vjen ankesa, por realisht na e vështirëson, sepse kemi të bëjmë me pushtet të pavarur, sepse unë nuk jam ministri që jap drejtësi, jam ministri i shërbimeve, i shërbej si gjyqtarit ashtu dhe qytetarit, sepse i shërbehet mirë qytetarit nëse gjyqtarit i shërbehet mirë. Kjo është logjika. Jemi ende larg kësaj logjike, prandaj na duhet reforma në drejtësi, prandaj na duhet që të ndërhyjmë sa më mirë, sa më shpejt në sistem që t’i kopsitim disa gjëra që nuk janë të kopsitura për hir të së vërtetës. Jam besnik dhe përkrahës i pikëpamjes që sistemi dhe defektet vijnë nga ligjet të cilat nuk i kemi ndërtuar mirë. Kam qenë dhe mbetem dhe shumë shpejt do të anonçoj të dyja kodet e procedurave së bashku me një kod të ri penal, kemi filluar tashmë punën, do ti marrim sipas modelit gjerman, shpresoj të flasim gjermanisht këtë radhë, në kuptimin e kronologjisë dhe logjikës së gjësë. Të marrim diçka të strukturuar, nuk kemi pse shpikim rrotën, rrotën e kanë shpikur të tjerët, ne duhet thjesht t’i përshtatim, t’i çojmë aty ku duhet në interes të qytetarëve. Sigurisht kjo do kohën e vet, ne nuk mund t’i ngopim njerëzit me lugë bosh, nuk mund të presim, çfarë do ndodhë, do ndodhë ndonjë hata e madhe me reformën në drejtësi. Ndërkohë duhet të punojmë, duhet t’iu shërbejmë njerëzve.

(Burimi :integrimi.al/Xh.N)

 

 

Te shenuara si:
al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al