Komisioni i Venecias do të marrë vendimin përfundimtar në 14-15 dhjetor për opinionin rreth nismës së opozitës për vetingun në politikë, por Panorama zbuloi draftin paraprak të Venecias. Në 20 faqe opinion, Komisioni i Venecias  thuhet se kërkesa e opozitës është e ligjshme për vetingun e politikanëve, por  i rekomandon që vendimin përfumtarë ta marrë Parlamenti.

Në Draft Opinionin e përgatitur nga Komisioni i Venecias dhe që do të miratohet në mbledhjen e datës 14-15 Dhjetor 2018, ekspertët e Komisionit të Venecias, theksojnë se: “Nga takimet (shkëmbimet e mendimeve) e ndryshme që patën Raportuesit gjatë vizitës në Shqipëri, duket qartë se ekziston vërtet një problem i kontakteve të papërshtatshme midis politikanëve dhe elemente kriminale”.

“I takon Parlamentit shqiptar të vendosë mbi hapat e ardhshëm në lidhje me amendamentet kushtetuese përmes dialogut konstruktiv midis të gjitha forcave politike dhe të shoqërisë në përgjithësi, në interes të demokracisë shqiptare”. – thuhet në rekomandet e Komisionit të Venezias.

Në draft Opinion theksohet se duhen qartësuar mënyra sesi do të funksionojë vetingu në politikë, mekanizimin dhe trupën që do ta kryejë procesin. Ekspertët e Komisionit të Venecias, shprehen qartazi se: “për shkak të rrethanave specifike aktualisht në Shqipëri, futja e një mekanizimi special verifikimi për zyrtarët publik duket si një qëllim legjitim”.

Kjo duket të jetë mbështetje për iniciativën e opozitës për vettingun e politikanëve, sepse e konsideron verifikimin me qëllim shkëputjen e lidhjeve me krimin e organizuar, si një mjet legjitim dhe që justifikohet nga situata aktuale në Shqipëri.

Konkretisht, ekspertët e Komisionit të Venecias shprehen se: “Çështja e kontakteve të ngushta të anëtarëve të parlamentit, këshillit bashkiak ose zyrtarët qeveritare, me krimin e organizuar, janë një problem në Shqipëri. Siç tregojnë edhe rezultatet e para të procedurës së vettingut të gjyqësorit, ndërlidhja e institucioneve shtetërore dhe krimi i organizuar duket të jetë shumë i lartë. Kjo pengon besimin në institucionet e shtetit dhe delegjitimon funksionimin e tyre. Nëse krimi i organizuar është duke qeverisur institucionet shtetërore ose të paktën ka një ndikim në punën e tyre, parimet e shtetit ligjor nuk mund të zbatohen në praktikë. Në një shtet të qeverisur ose të ndikuar nga krimi i organizuar, parimet e dinjitetit, barazisë apo ligjshmërisë, janë lënë mënjanë”.

Komisioni i Venecias, ka risjellë në vëmendje konkluzionin e arritur në një çështje të ngjashme më parë sipas të cilit: “skualifikimi që anulon një mandat zgjedhor nuk duhet të konsiderohet si kufizim i demokracisë, por si një mjet për ta ruajtur atë”.

Komisioni i Venecias ngre 7 çështje që duhen adresuar me amendamentet kushtetuese të opozitës, duke patur si shqetësim kryespor që masat kundër zgjedhjes apo ndërprerja e mandatit të jetë në proporcionalitet me realitetin politik.