Kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe dhe presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC), Thomas Bach ranë dakord zyrtarisht që të shtyjnë Lojërat Olimpike “Tokyo 2020”.

Ditën e sotme u zhvillua një video-konferencën ku u mor vendimi që Olimpiada të zhvillohet gjatë verës së vitit 2021, kjo për shkak të frikës së përhapjes së koronavirusit.

Kujtojmë se përhapja e pandemisë ka vënë në bllokadë totale botën e sportit, ndërsa Lojërat Olimpike nuk janë anuluar kurrë në kohë paqeje. Në 1916, 1940 dhe 1944, Lojrat u anuluan për shkak të luftërave botërore.

Kanada dhe Australia ishin dy shtetet e para që vendosën t’i bojkotonin Lojërat Olimpike në rast se do të zhvilloheshin në këto kushte.