Ish-deputeti i LSI, Përparim Spahiu me anë të një statusi ka reaguar në lidhje me rritjen e taksës së pronës për bizneset dhe banorët e Tiranës me 6.4 milionë euro.

Sipas Spahiut, qeveria e Rilindjes asnjëherë nuk ka menduar se sa mund të vështirësohet ekonomia e banorëve në këtë mënyrë, duke shtuar se rritja e taksave ka qenë kryefjala e kësaj qeverie.

POSTIMI:

Një nga parimet bazë të taksave është dhe aftësia apo mundësia e individëve e bizneseve për të paguar atë.

Në 6 vite qeverisje alla Rilindje, kryefjala ka qenë vetëm rritja e taksave, pa menduar asnjëherë se sa rëndohet situata financiare e individëve apo bizneseve. Rënia e konsumit, ulja e të ardhurave nga TVSH, tregues bazë e një situate të vështirë financiare për ta.

E tillë është dhe llogaritja ndryshe e taksës së pronës për banorët e Tiranës.

6.4 milion euro më pak për individë e biznese dhe më shumë për ata që nuk kursejnë 200 mijë euro për blerje dronësh dhe aparatesh fotografikë, si nevojë e propagandës së Kryetarit të Bashkisë.