Të tre vendet janë në krye të një liste të publikuar nga Agjencia Evropiane e Mjedisit që tregon se popujt në Evropën Lindore kanë shanse më të mëdha të vdesin si rezultat i ndotjes sesa ata në pjesën perëndimore të kontinentit.

Nga Marcel Gascon Barbera, BIRN

Rreth 27 për qind e vdekjeve të regjistruara në Bosnjë dhe Hercegovinë kanë lidhje me ndotjen e ajrit, zhurmën mjedisore që shkakton sëmundje të zemrës dhe efektet e motit ekstrem, thotë një studim i botuar të martën nga Agjencia Evropiane e Mjedisit.

Shkalla e vdekjeve të lidhura me mjedisin në Bosnjë dhe Hercegovinë është më e larta në kontinent dhe është 14 pikë përqindje më e lartë sesa mesatarja e BE-së, e cila është 13 për qind.

E dyta në listë është Shqipëria ku 23 për qind e vdekjeve kanë lidhje me problemet mjedisore, ndërsa Rumania, e cila kryeson renditjen e vendeve të BE-së, është në vendin e tretë me 19 për qind.

Qytetarët evropianë që janë më pak të ekspozuar ndaj cilësisë së dobët të ajrit dhe rreziqeve të tjera të lidhura me mjedisin janë në Norvegji dhe Islandë, ku shkalla e vdekjeve të ndikuara nga ndotja është nëntë për qind, e ndjekur nga ata që jetojnë në Danimarkë dhe Suedi, ku shifra është dhjetë për qind.

“Vendet e Evropës Lindore kanë një nivel më të lartë të dukshëm të sëmundjeve dhe vdekjeve të shkaktuara nga problemet mjedisore sesa vendet e Evropës Perëndimore”, thotë raporti.

“Një faktor që nxit këtë model është varfëria energjetike, e cila është më e përhapur në Evropën Jugore dhe Qendrore-Lindore”, shton ai, duke shpjeguar se “komunitetet e varfra mbështeten në djegien e lëndëve djegëse të ngurta me cilësi të ulët si qymyri dhe druri, për t’u ngrohur nëpër shtëpitë e tyre”.

Pjesa lindore e kontinentit vuan më shumë nga temperaturat ekstreme dhe fenomenet e motit siç janë përmbytjet.

Fakti që vendet e Evropës Lindore kanë nivele më të ulëta kanalizimesh i bën gjithashtu banorët e tyre më të ekspozuar ndaj substancave të mbeturinave që janë të dëmshme për shëndetin dhe jetëgjatësinë e tyre.

Studimi thotë se ka edhe pabarazi mjedisore të lidhura me përkatësinë etnike, duke shpjeguar se “komunitetet rome në Evropën Qendrore dhe Lindore shpesh përjashtohen nga shërbimet bazike dhe ekspozohen ndaj ndotjes së mjedisit, me pasoja të rënda shëndetësore”.