Aeroportet europiane i kërkuan sot Bashkimit Europian masa urgjente dhe specifike, duke shprehur shqetësim për situatën që po përkeqësohet me rëndimin e krizës nga COVID-19.

“Ne tashmë po përdorim mundësitë e fundit dhe kriza vazhdon të përkeqësohet”, theksoi drejtori i përgjithshëm i ACI Europë, Olivier Jankovec, cituar në një deklaratë.

Organizata, e cila përfaqëson 500 aeroporte në 46 vende europiane, paralajmëroi në fund të tetorit për një rrezik të paaftësisë paguese në muajt e ardhshëm për gati 200 aeroporte rajonale për shkak të dobësisë së vazhdueshme të trafikut ajror, të lidhur me mbylljet e kufijve dhe kufizimet e trafikut përballë valës së re të COVID-19.

“Shpenzimet e të ardhurave të aeroporteve, tashmë në nivele të padurueshme, vetëm do të përshpejtohen me humbje të mëtejshme të punës, në mungesë të ndërhyrjes urgjente”, theksoi ACI.

Aeroportet europiane po kërkojnë veçanërisht që ndihma shtetërore për kompanitë të paguhet deri në fund të vitit 2021.

Në tetor, Brukseli njoftoi zgjerimin dhe shtrirjen deri në verën e 2021 të lehtësimit të ndihmave shtetërore, të miratuara pranverën e kaluar për të mbështetur kompanitë europiane përballë krizës së koronavirusit.