Njësoj si në filmin hollivudian “Armagedon”, agjencitë europiane dhe amerikane të hapësirës po bashkëpunojnë si të devijojnë asteroidët që lëvizin rrezikshëm në drejtim të planetit tonë.

Agjencia Europiane e Hapësirës në bashkëpunim me agjencinë simotër të aeronautikës në SHBA kanë nisur të studiojnë si të devijojnë asteroidët që kërcënojnë Tokën.

NASA amerikane pritet Qershorin e ardhshëm të lëshojë një aparaturë eksperimentale në orbitën e asteroidit “Didymos” për të testuar a mund të ndryshohet udha e një objekti hapësinor.

Tri vite më pas, ESA europiane do provojë sondën e vet “Hera” për të ravijëzuar masën e asteroidit dhe madhësinë e kraterit që ai mund të krijojë në kontaktin me planetin.

Në fokus të analizave qëndron trupi hapësinor i quajtur “Dimorphos”, që është satelit i asteroidit kryesor dhe sipas shkencëtarëve, ka mundësinë të shkatërrojë një qytet të tërë po të bjerë në Tokë, edhe pse me diametër vetëm 160 metra apo afërsisht sa piramida e Gizës në Egjipt.

“Deri më sot njerëzimi ka qenë i pafuqishëm kundër impaktit të asteroidëve dhe objekteve të tjera që qarkullojnë afër Tokës. Por ne kemi si teknologjinë, edhe kapitalin për t’u mbrojtur. Në vitet që vijnë, NASA do u afrohet asteroidëve binjakë dhe do godasë një kanxhë drejt tyre, duke krijuar një zgavër që do e copëtojë masën. Në 2024-n do fluturojmë bashkë për t’i analizuar.”

“Asteroidi në fjalë nuk përbën rrezik për Tokën sepse i kalon anash, por duam të shohim a është i mundur misioni i devijimit. Do jetë pak si bilardoja, ku një forcë e vogël godet asteroidin që është nisur drejt Tokës dhe krijon një shmangie. Na duhet ta praktikojmë këtë në rast se gjendemi përpara një asteroidi konkret në të ardhmen.”

Sfida më e madhe mbetet për realizimin e projektit mbetet distanca drejt objektivit.

Sonda “Hera” do duhet të përshkojnë një largësi një herë e gjysmë sa ajo mes Tokës dhe Diellit dhe të drejtohet në mënyrë autonome para se të ankorohet në trupin e asteroidit.

Sipërfaqja e objektit do analizohet në detaje nëpërmjet minisatelitëve me përmasa vetëm 10 cm që do fluturojnë shumë afër trupit hapësinor.

Projekti i përbashkët do i kushtojë palës europiane rreth 130 milionë euro, ndërsa kontrolli, integrimi dhe testimi i sondës “Hera” i është besuar kompanisë “OHB” të aeronautikës gjermane.