Nga Gentian Çala

Kalbëzimi i një kaste mund të vihet re lehtësisht sot, ku fijet e ngatërruara të pushtetit, krimit dhe biznesit përzihen në një formë të tillë që nuk mund të kuptosh ku fillon njëra dhe ku mbaron tjetra. Të rrëzosh nga froni këtë kastë nuk është vetëm një mundësi për rikthyer besimin dhe optimizmin e munguar, por edhe një detyrë kombëtare. Çlirimi i vendit nga kjo e keqe nuk mund të jetë vetëm detyrë e opozitës shqiptare, por e çdo shqiptari që nuk ngjyen në tepsinë e kastës, e çdo shqiptari që e do këtë vend dhe të ardhmen e tij.

Kasta nuk mund të shkulet lehtë, aq më tepër që fuqizimi ekonomik nga korrupsioni, trafiqet, paraja publike, i ka bërë arrogant dhe një makineri që vihet në lëvizje në gara elektorale, por ata nuk janë të pamposhtur. Ata besojnë që paraja blen gjithçka, por jo një shqiptar zemërplasur nga mungesa e drejtësisë, e rendit, e ekonomisë, që shtetin e sheh vetëm si gjobëvënës. Tashmë këta njerëz që nuk pajtohen me këtë kastë janë të shumtë, madje edhe plot socialistë të thjeshtë, që e shohin gjithmonë e më pak veten në projektin politik të kastës së Edi Ramës. Disa prej tyre kanë filluar të thonë me zë pakënaqësitë që kanë.

Çdo ditë që kalon, konsumi i tyre është i madh, po aq sa dëmi që po i bëjnë vendit. Të gjitha diskutimet e tjera, janë thjesht në funksion të shkarkimit dhe zhveshjes nga pushteti të kësaj kaste, sepse kupa u mbush. Nuk ka më asnjë arsye që ata të vazhdojnë të na rrënojnë. Ne na duhet të ngrihemi mbi interesat e ngushta, mbi përfitimet e momentit, duhet synojmë drejt një pushteti që del nga vota, që ngrihet mbi parime dhe rregulla, që ka në qendër qytetarin, institucione që kanë kontroll-balancën dhe ku ka llogaritshmëri. Vetëm kjo mund të niste procesin e ripërtëritjes dhe mund të ndalte ose të zvogëlonte hemorragjinë e emigracionit.

Vendit i duhet alternativë ndaj kastës dhe jo një kastë tjetër. Kushdo që do ta bënte duhet të marrë mbështetjen e shqiptarëve, duhet votëbesuar. Opozita sot është një alternativë ndaj kastës, ndaj i duhet dhënë besim, të cilin nuk duhet ta shpërdorojë. Duhet njëkohësisht të merren masa që kjo të mos ndodhë më, që vendi mos kandiset sërisht në këtë gjendje, nga njerëz që pushtetin e “privatizojnë” dhe e pëdorin si mos më keq.

Sot kemi një mundësi dhe ajo nuk duhet humbur, kasta duhet të vdesë politikisht dhe bashkë me të qindrat e fijeve okulte me krimin dhe biznesin, në vend të saj duhet ngritur një shtet ligjor. Kjo duhet të jetë Republika e pastranzicionit. Kjo nuk ka për të ndodhur vetvetiu, ndaj duhen bashkuar forcat, arsyet dhe energjitë për një ndryshim që vlen për dekadat e ardhshme. Kjo nuk bëhet as duke bërë sehir, as duke qenë indiferent, as duke parë punën vetjake, por duke ngitur zërin. Ata të kastës, mendojnë që populli i do, se nuk u ndihet zëri dhe nuk reagojnë, ndaj duhet thënë jo kudo dhe kurdo. Le ta shfrytëzojmë momentin për të rrëzuar kastën dhe për një ripërtëritje të shtetit, të besimit, të ekonomisë, të drejtësisë dhe të sigurisë.
O sot, o kurrë!