Ish deputetja e LSI-së, Klajda Gjosha e ftuar në Report TV foli për procesin e zgjedhjeve brenda partisë, për përzgjedhjen e kandidatëve për zgjedhjet e ardhshme, si dhe komentoi deklaratat e ambasadores Yuri Kim për përgjegjësinë që duhet të mbajnë partitë politike mbi kandidatët politikë.

Ndër të tjera, Gjosha theksoi edhe se LSI do të hyjë në zgjedhjet e ardhshme me apo pa koalicione, pasi zgjedhjet janë e vetmja mënyrë për t’i dhënë të drejtën qytetarëve të votojnë dhe për të shprehur zërin e tyre.

Pjesë nga intervista

Për sa i përket LSI-së, ne tashmë jemi në një proces shumë të rëndësishëm, duke filluar që nga kryetarët e organizatave, strukturat tona më kryesore të cilat po bëhen gati për të qenë në ‘frontin e luftës’ siç themi ne, dhe për të fituar zgjedhjet e ardhshme. Kemi disa data të rëndësishme përpara deri në zgjedhjen e kryetarit të partisë në bazë të statutit të LSI-së. Më pas, pas zgjedhjes të të gjithë strukturave, do të kalojmë në zgjedhjen e kandidaturave që do të vijë pikërisht nga baza dhe nga konventa kombëtare e LSI-së. Më pas ato emra do të filtrohen nga një panel vetting-u i cili do të kryesohet nga unë, siç më ka votuar edhe kryesia e LSI-së, për të filtruar kandidatët tanë. Kjo nuk është në fakt një risi për LSI-në, e vetmja risi është që tashmë do të bëhet me një grup ku të gjithë ne do të jemi aty për të parë dokumentacionin por edhe për të drejtuar pyetje secilit prej kandidatëve të mundshëm që do të jenë në zgjedhjet e ardhshme. Nuk është një risi sepse ne e kemi bërë këtë që nga viti 2015 ku kemi kërkuar dëshminë e penalitetit për të gjithë kandidatët tanë, edhe për këshillat bashkiakë, mos të harrojmë. Jo vetëm për kandidatë që kanë qenë për zgjedhje parlamentare.

Pavarësisht përpjekjeve tuaja Znj. Gjosha, Ambasada Amerikane dhe ambasadorja Yuri Kim ka dhënë mesazhe të forta gjatë këtyre ditëve duke deklaruar se partitë politike duhet të mbajnë përgjegjësi për personat që fusin në Parlament. E keni ndjerë ju këtë si një tërheqje vëmendje ose si një tërheqje veshi ndaj jush si një nga 3 forcat politike?

Ne i mirëpresim të gjitha qëndrimet e Ambasadës Amerikane, patjetër që e kuptojmë shqetësimin sepse ka qenë një ndër shqetësimet më të mëdha që ka pasur edhe opozita. Në fakt nuk është një çështje që ka prekur LSI-në. Mendoj se ka qenë një ndër çështjet kryesore të Partisë Socialiste, të zgjedhurve që ka pasur në radhët e saj, të përfaqësimit të saj në Parlament dhe mendoj që është një tërheqje vëmendje e drejtpërdrejtë për Kryeministrin këtë radhë, kuptohet për forcat e mëdha të cilat kanë edhe më shumë kandidatura por edhe më shumë filtrime të ndryshme që duhet të ndodhin brenda partive të tyre.

Do doja të ndaleshim pak te procesi i rëndësishëm që ju bëtë brenda partisë suaj për vettingun, por nga ana tjetër janë edhe deputetët e opozitës parlamentare, që pjesa më e madhe nga forca juaj politike, që do të kandidojnë edhe ata me një sigël tjetër, por do të jenë përpara votuesve. Kjo do të ndihet nga ana e Lëvizjes Socialiste për Integrim?

Nën logon e LSI-së, patjetër që do të votohen edhe kandidaturat tona. Nuk ka rrjedhje votash, absolutisht jo. Ne do të mundohemi të maksimizojmë votën tonë, nëpërmjet kandidaturave më të mira, përfaqësisë më të mirë që mun t’i japë votuesit Lëvizja Socialiste për Integrim. Ndaj dhe filtrimi, kur flasim për vettingun, nuk do të jetë vetëm për figurën, për integritetin e çdo individi, por edhe arsimin që ato kanë, si mund ta përfaqësojnë ato sa më mirë votuesin shqiptar në Kuvendin e Shqipërisë apo në qeverinë e ardhshme, njohuritë e tyre mbi komunitetin aty ky do të kandidojnë. Pra do të jemi të fokusuar dhe shumë të hapur e jo të përqendrohemi vetëm te fakti i integritetit të figurës, si kemi parë shpesh të flitet në atë vettingun e madh që është diskutuar gjatë  në këtë periudhë, por do të thellohemi edhe më shumë.

Ndaj shpresojmë shumë që do të paraqesim pjesën tonë më të mirë, përfaqësuesit tanë më të mirë për zgjedhjet e ardhshme.

Ju thatë pak më parë që për ju nuk ka rëndësi nëse hyhet me apo pa koalicione, ndërkohë që Partia Demokratike e ka këtë si një kusht të panegociueshëm. Edhe nëse ndalohen për ju nuk do të ketë problem, nuk do të ketë reagim nga ana juaj si forcë politike?

LSI do të shkojë në zgjedhje, kjo është e padiskutueshme. Do të shkojë në zgjedhje me apo pa koalicione. Zgjedhjet janë e vetmja mënyrë për t’i dhënë të drejtën qytetarëve të votojnë dhe për të shprehur zërin e tyre. Besoj  që kjo nuk duhet ndaluar.