10 shtete evropiane kanë marrë përsipër strehimin e qindra emigrantëve të mbetur pa një banesë pas djegies së kampit të tyre në ishullin grek të Lesbosit.

Mijëra refugjatët e mbetur tashmë pa strehë në ishullin grek të Lesbosit kaluan një tjetër natë në qiell të hapur.

Ish-banorët e kampit të Morias të shkrumbuar prej dy ditësh nga një seri zjarresh, u detyruan të pushojnë rrugëve dhe trotuareve, të tjerë ngritën tenda të përkohshme poshtë pemëve ndërsa dhjetëra emigrantë gjetën strehë në varrezat lokale ku mundësohej një çezmë për ujë.

Policia nuk i ka lejuar refugjatët të futen në kryeqendrën dhe portin e ishullit ndërsa banorët vetë kundërshtinë e tyre me të huajt e treguan duke bllokuar rrugët për të penguar rindërtimin e një kampi të ri nga qeveria greke.

“Duam të shkojmë në një vend tjetër evropian, kërkojmë ndihmë si njerëz për shkak të krizës.”

“Jemi në situatë të vështirë. Njerëzit po flenë në gurë, në rrugë, dhe kjo është e gabuar. Ndodhemi këtu për një jetë më të mirë por që nuk po e gjejmë.”

“Është problem i madh, nuk ka ujë, as ushqime. Mëngjesi është me diell por nata e ftohtë është problem i madh.”

Qeveria greke u ka ardhur në ndihmë emigrantëve duke u mundësuar anijet e veta si streha provizore për mijëra fëmijë, foshnja dhe gra e të moshuar.

Pas negociatave intensive, Gjermania njoftoi të premten se 10 shtete evropiane do të marrin përsipër peshën e strehimit të qindra minorenëve dhe shtresave të tjera më të rrezikuara.

Ndihma humanitare ka premtuar edhe Departamenti i Shtetit në Amerikë.

Ndërkohë, vijojnë hetimet për të zbuluar shkaqet që sollën djegien totale të kampit grek.

Sipas hetimeve paraprake bëhet fjalë për zjarrvënie të qëllimshme dhe një grup prej 30 refugjatësh të rinj nga Afganistani dyshohen si shkaktarët e zjarrit.

Të dyshuarit kanë mbërritur në Greqi pa familjet e tyre dhe njihen si shpërndarës të drogave dhe për disa vjedhje brenda kampit, ndërsa të mërkurën, ata mendohet se provokuan zjarret duke përfituar nga trazirat e krijuara prej urdhrit për izolimin e banorëve për shkak të koronavirusit.