Erling Haaland po bën gjëra fantastike te Dortmundi, edhe pse ka më pak se një vit që luan në Gjermani.  Verdhezinjtë blenë sulmuesin gjatë merkatos së dimrit të kaluar nga austriakët e Salzburg, megjithatë duket se Haaland nuk do të qëndrojë gjatë në “Signal Iduna park”, pasi klubet më të mëdha europiane janë gati të bëjnë “çmenduri” për të marrë kartonin e tij.

Së fundi ka qenë ish futbollisti gjerman Lothar Mathaus që në një intervistë për mediat vendase ka deklaruar se sulmuesi do të lërë Dortmundin verën e ardhshme, duke zbuluar edhe disa nga emrat e skuadrave që kërkojnë atë.

“Po bën shumë mirë dhe jam shumë i sigurt që do të largohet verën e ardhshme. Me informacionet që kam janë disa klube si Reali i Madridit, Barcelona, Manchester United dhe Liverpool, por këta të fundit janë dukshëm të avantazhuar për të marrë shërbimet e tij”, u shpreh Mathaus.

Sulmuesi u transferua te Borussia e Dortmundit për shifrën e 20 milionë eurove janarin e kaluar, por tani verdhezinjtë shpresojnë të arkëtojnë të paktën 100 milionë euro nga kartoni i tij.