Një Kryeministër, i cili bën Pazar me vendin e tij, me kufijtë, me jetën e qytetarëve të vendit të tij, nuk është më Kryeministër, por është një sharlatan, i cili duhet larguar një orë e më përpara”- kështu u shpreh Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi në takimin me LGI në Durrës.

Nuk dua të zgjatem shumë në fjalën time, pasi dua që të bashkëbisedojmë, sepse në fund të fundit duke qenë grua vetë, edhe bashkëbisedimin tonë e bën edhe më komod. Unë e di që për një grua sot në politikë është shumë e vështirë, por di të them që një grua sot në politikë e ka obligim për fëmijët e saj për të luftuar dhe për ta ndryshuar realitetin politik që për hir të së vërtetës është mjaft i hidhur. 25 Prilli është një ditë e domosdoshme, jo thjesht për të votuar për një forcë politike, por është një ditë e domosdoshme për të biseduar me çdo qytetar për të shkuar për të votuar kundër Edi Ramës si fenomen, i cili ka grabitur çdo ditë të jetës së qytetarëve, por edhe kundër sektit të tij, që është kthyer tashmë në një element grabitës dhe që nuk lejon zhvillimin përpara. Një shtet i dobët çon drejt inekzistencës një komb, kështu që ndryshimi është i domosdoshëm, jo për të sjellë në pushtet një forcë politike, por për të rimëkëmbur jo vetëm krenarinë kombëtare, por edhe identitetin dhe integritetin tonë. Një Kryeministër, i cili bën Pazar me vendin e tij, me kufijtë, me jetën e qytetarëve të vendit të tij, nuk është më Kryeministër, por është një sharlatan, i cili duhet larguar një orë e më përpara. Ajo që për mua është shumë e rëndësishme është angazhimi i të rinjve, sidomos vajzave të reja, por edhe i djemve të rinj, studentëve dhe gjimnazistëve, sepse fëmijët janë ata që na detyrojnë edhe ne të jemi më aktivë, por edhe për të mos bërë kompromise. Unë nuk di ndonjë nënë që të bëjë kompromise në kurriz të se ardhmes së fëmijëve të saj. Dhe ky mendoj që është misioni ynë kryesor për të mos bërë asnjë lloj kompromisi me këdo, sado të afërt ta kemi në kurriz të së ardhmes së fëmijëve tanë. Fëmijët tanë dhe fëmijët e shqiptarëve janë akoma më të rëndësishëm sesa karriera politike e Edi Ramës, apo edhe i kujtdo tjetër. Prandaj edhe misioni ynë është për të ardhmen e fëmijëve tanë, për të ardhmen e familjes shqiptare, pasi duke u kujdesur për fëmijët dhe për familjen, ne kujdesemi për të ardhmen e kombit tonë. Një komb nuk ka qëndrueshmëri po nuk pati një familje të qëndrueshme, po nuk pati një rini të qëndrueshme e cila aspiron për të ecur përpara dhe për të qenë pjesë e jetës sonë të përditshme. Ne jemi një vend i bekuar nga Zoti me thënë të drejtën. Dhe sa herë themi ne jemi një vend mesdhetar, po thotë Maqedonia ne jemi vend mesdhetar që nuk ka asnjë pikë deti po themi dhe ne nuk e themi. Por ajo që mendoj unë nuk është thjesht pozicioni gjeografike. Është tek pozicioni i secilit nga ne për të ndryshuar realitetin dhe mbi të gjitha për ta kthyer të gjithë këtë situatë absurde ne favor të ndryshimit të ekonomisë, të jetës së përditshme të qytetarëve të Durrësit dhe jo pa qëllim vendosja e Kontianës ishte për të krijuar një situatë komplet tjetër. Ne e kemi ndjerë dhe shikojmë se si njerëzit ndihen të çliruar për sa i përket krijimit të hapësirave të reja dhe afrimit të shumë grave dhe vajzave, por edhe të shumë intelektualëve duke u bashkuar të gjithë bashkë me ato struktura të cilat jo vetëm i kanë mbijetuar këtyre 4 viteve të opozitës, apo tundimit, apo kërcënimit të njerëzve pervers që mendojnë se me forcën e pushtetit mund të intimidojnë dikë, por për të gjithë ata themelues dhe kontribuues të LSI-së të cilët i kanë dhënë gjithmonë vlera LSI, e kanë rritur atë dhe bashkë me LSI janë rritur dhe ata. Unë ju uroj suksese të gjithave ju. Ju uroj suksese dhe zoti ju ruajt ju, familjet tuaja, fëmijët tuaj dhe të na e bëjë mbar të gjithave sepse në fund do i japim dorën njëra tjetrës për të ecur përpara për hir të fëmijëve tanë sepse duam që ata të kthehen në Shqipëri, të jetojnë në Shqipëri, të punojnë në Shqipëri sepse jam e bindur që Shqipëria është shumë me e bukur se shumë vende të tjera ku fëmijët tanë janë emigrantë atje. Faleminderit dhe ju ruajt Zoti.- përfundoi fjalën e saj Kryemadhi