Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ka zhvilluar mbrëmjen e sotme një takim me gratë e LSI në Durrës. Në fjalën e saj, Kryemadhi ka theksuar se për Durrësin politika shqiptare në 30 vite nuk ka pasur asnjë plan, por vetëm vjedhje e grabitje. Ajo u ka kërkuar grave që jo vetëm t’i japin votën LSI, por të japin ide dhe vizione për një projekt konkret për Durrësin.

“Por ajo që ndiejmë sot ne dhe e shikojmë herë pas here, që e kemi folur edhe me Kontjanën, apo me qytetarë dhe profesionistë të qytetit të Durrësit, është që për hir të së vërtetës politika shqiptare asnjëherë nuk ka pasur një plan për Durrësin. Cili ka qenë vizioni i politikës shqiptare për Durrësin? Vizioni i vetëm që ka pasur politika, ka qenë grabitja e pasurive të Durrësit, përdorimi i Durrësit për të ardhur në pushtet, për t’iu imponuar jetës politike shqiptare dhe më pas për të lënë jetim komplet qytetin dhe banorët e tij. Sot Durrësi është një nga qytetet, jo vetëm i uzurpuar, por ju e dini shumë mirë që në administratën e Durrësit vijnë nga qytete të tjera për të punuar dhe durrsakët nuk janë pjesë. Mjafton të shikosh portin e Durrësit, zyrat e hipotekave apo edhe shumë institucione të tjera, vijnë nga qytete të tjera për të punuar, ndërsa qytetarët durrsakë nuk janë të përfshirë. Jo se bëhet fjalë për çështjen e 100 vendeve të punës, por bëhet fjalë për dashurinë, respektin apo njohjen e problematikave që ka sot Durrësi. Vjen dhe shikon rrugë të bllokuara nga betoni, thjesht për të krijuar iluzione tredimensionale, por po të futesh në rrugicat e qytetit, do të shikosh që janë jo vetëm të pashtruara, por mjafton që të bjerë një shi, që të shikosh sesi fëmijët e klasave të para që shkojnë në shkollë, e kanë të pamundur për të kaluar pragun e shkollës, sepse pellgjet e ujit janë si të ishin liqene. Nga ana tjetër, mungesa e vizionit të punësimit dhe krijimit të klimës së biznesit, jo vetëm për gratë dhe vajzat në Durrës, por edhe për të gjithë qytetarët e tjerë, jo vetëm që e ka kthyer Durrësin në një burg të rrethuar nëpërmjet injorancës apo zaptimit filozofik, por edhe ekonomik, por nga ana tjetër është bërë e pamundur për të krijuar hapësira dhe zhvillime të reja.”- tha Kryemadhi