Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi gjatë një takimi me të rinjtë në Elbasan u shpreh se makthi dhe frika më e madhe e Edi Ramës janë të rinjtë.

“Faleminderit të gjithëve! Në fakt kur po fliste Sindi, mu mbushën sytë me lot, sepse e kuptova emocionin që do të kenë prindërit e Sindit kur e kanë dëgjuar atë dhe siç i dridhej zëri Sindit, apo Ergit që është një student i sapo diplomuar për informatikë, ashtu do të më dridhet edhe mua zëri, sepse forca dhe emri i LSI-së nuk ka të bëjë me politikën, por ka të bëjë me forcën, zemrën, entuziazmin dhe energjinë e të rinjve të LSI-së. Dhe LSI-ja është një forcë politike që themelimin e saj e ka filluar me të rinjtë, vazhdimësinë e saj dhe është rritur me të rinj e të reja. Sot më shumë se kurrë e kuptoj sesa shumë kohë dhe energji kemi humbur në Elbasan duke mos përfshirë të rinjtë dhe të rejat, jo vetëm në LSI, por duke mos i përfshirë në vendimmarrje, duke mos i përfshirë në të gjithë këtë angazhim të madh, në gjithë këtë qytet të jashtëzakonshëm, që është një qytet që në pamje të jashtme e shesin si një qytete të zymtë, por brenda vetes së tij, brenda mureve të kalasë së tij, ka entuziazmin, ka energjinë, ka forcën, ka sharmin, ka krenarinë, ka mençurinë, ka zgjuarsinë, të cilat ne në momente të caktuara jo vetëm i harrojmë, por herë pas here edhe bëhemi indiferentë me ta. Dhe indiferenca jonë, qoftë e Monikës, e kujtdo tjetër politikani në Elbasan, ka sjellë që të tallen me të rinjtë shqiptarë, të tallen me Shqipërinë, të tallen me Elbasanin, të bëjnë shaka me to. Por nuk mund të bësh shaka me të ardhmen e të rinjve shqiptarë.

Tek vija rrugës, dëgjoja kryeministrin e famshëm që thoshte Mona, Luli, Meta, Mona, Luli, Meta, sepse në fakt ai nuk e ka frikën me ne. Ai e ka frikën me ju. Ai ka frikë nga ju, sepse ka 8 vite që ju ka gënjye. Ai ka frikë nga incerenatori i Elbasanit, sepse në vend që të hapte punë, në vend që të krijonte mundësi punësimi dhe zhvillimi për Elbasanin, ai hapi një gropë plehrash. Ai ka frikë nga bizneset e Elbasanit, të cilat janë mbyllur çdo ditë. Ai ka frikë nga gratë naftëtare në Ballsh, të cilave u ka vjedhur pagën e 20 muajve dhe vazhdon t’i vjedhë edhe minutat e jetës së tyre. Ai ka frikë nga mjekët, nga infermierët. Ai ka frikë nga një grua që qesh në mes të rrugës dhe e arreston. Ai ka frikë nga mësuesit. Por mbi të gjitha ka frikë nga ju. Sepse ju jeni makthi i tij, frika e tij. Sepse vota juaj në 25 prill do të jetë një votë, e cila do ta dërrmojë atë, jo për Edi Ramën si Edi Ramë, sepse ai është i vogël, si një mizë që shkelet me këmbë, por për fenomenin Edi Rama, që merr peng të ardhmen e të rinjve dhe të rejave, që merr peng të ardhmen e fëmijëve të shqiptarëve.

Sot ne do të bëjmë disa anëtarësime, të cilat Sindi që ka filluar si gjimnaziste, ia la stafetën Sindit që erdhi sot dhe ajo që dua të theksoj është që forca e LSI-së kanë qenë të rinjtë. Unë kur erdha, erdha me Klaudian dhe ajo para 2 ditësh festoi ditëlindjen e vajzës së vet që mbushi 5 vjeç. E pra Klaudia ka ardhur fëmijë për vete në LSI. Kjo është LSI-ja. Të jep shansin dhe mundësinë, të jep forcën dhe kurajën, jo vetëm për t’u rritur profesionalisht, por për të krijuar familje, për të qenë një luftëtare për familjen tënde, për të qenë një nënë e denjë dhe e devotshme për fëmijën tënd. E kështu ne kemi arritur të krijojmë breza të tëra me të rinj dhe të reja. Sepse LSI-ja është partia e të rinjve, LSI-ja është partia që u jep shansin të rinjve.

LSI-ja i dha shansin Klajda Gjoshës për t’u kthyer në Shqipëri e për të qenë ministre e integrimit europian. LSI-ja i dha shansin Kejdi Mehmetajt, që nga gjimnaziste, të ishte përfaqësuese e zërit të gjimnazistëve në Parlamentin Shqiptar. I dha mundësinë dhe shansin Floida Kërpaçit, që nga një studente ekselence në farmaci, për të qenë deputete ekselence në Parlament. I dha shansin Endrit Braimllarit e shumë e shumë djemve dhe vajzave të reja, të cilët nuk janë thjesht deputetë në Parlament, por janë luftëtarë dhe njerëz të cilët luftojnë çdo ditë për të rinjtë dhe të rejat, sepse kështu do t’i krijojmë shansin dhe mundësitë të gjithëve.

Elbasani është një qytet, ku më shpejt vjen në Elbasan faktikisht, sesa mund të ikësh nga një anë e Tiranës në anën tjetër. Është një qytet që ka histori, ka kulturë, ka qytetari, por mbi të gjitha në themelet e Elbasanit është arsimi. Ka qenë një bazë shumë e fortë për të gjithë historinë e arsimit shqiptar. Dhe ne duhet ta ringremë edhe një herë arsimin shqiptar. Ajo që tha Sindi pak më përpara, se sa keq ndihet Sindi si studente, por akoma më keq ndihen prindërit e Sindit. Dhe si puna e prindërve të Sindit janë edhe shumë prindër të tjerë, të cilët paguajnë për shkollat fëmijëve të tyre. Sepse ne nuk u ofrojmë shqiptarëve një sistem arsimor për të edukuar fëmijët e tyre, në mënyrë të tillë që të jenë në një sistem arsimor të barabartë me bashkëmoshatarët e tyre në Europë, në mënyrë të tillë që të garantojnë tregun e punës nesër.” – u shpreh Kryetarja e LSI-së.