Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi në fjalën e saj në një takim me gratë e LSI në Durrës u shpreh se ajo që  është shumë e rëndësishme, është që t’i japim Durrësit komplet hapësira të tjera, imazh të ri, por jo thjesht imazh politik, por imazhin dhe vizionin e duhur.

“Ajo që duam të theksojmë dhe që është shumë e rëndësishme, është që duam t’i japim Durrësit komplet hapësira të tjera, imazh të ri, por jo thjesht imazh politik, por imazhin dhe vizionin e duhur, përfshirja e secilit nga ju do t’i sillte meritokraci jo vetëm partisë në të cilën ne aderojmë, por edhe shumë vlera qytetit të Durrësit. Ne duam që përfshirja juaj të mos jetë thjesht politike, por të jetë në vendimmarrje, të jetë në angazhim, të jetë në përfshirjen e përditshme për hartimin e politikave për të ardhmen e Durrësit. Ajo që ne duam dhe që kërkojmë prej jush është jo vetëm thjesht votën për LSI-në, por për të na dhënë kontributin tuaj duke krijuar ide dhe duke dhënë vizion sesi të zhvillojmë dhe të hartojmë program dhe një plan të qartë për zhvillimin e qytetit të Durrësit. Unë e kam thënë dhe në mbledhjen e Kryesisë, që në kohën që unë isha fëmijë vija këtu te vajza e tezes sime dhe Durrësi ishte pika e parë e kontaktit me botën jashtë. Sepse nëpërmjet Durrësit ne shikonim se çfarë ndodhte në Italinë e famshme, pasi shikonim Rai1, Rai2. Ndërkohë që në Tiranë ishte e pamundur sepse na vendosej zhurmuesi, ndërsa këtu në Durrës komunikimi me Italinë, por edhe kontakti me Portin ishte ai që e sillte në Shqipëri Durrësi dhe më pas zhvillohej më tej. Njerëzit më të shquar të Durrësit kanë ngelur Mirush Kabashi dhe Fadil Hasa, që mbajnë mend brezi im apo edhe më vonë, por faktikisht që pas tranzicionit Durrësit nuk ka prodhuar më as art, as kulturë, jo vetëm prej izolimit, por edhe prej marxhinalizimit të rritjes profesionale dhe artistike. Ky qytet që është i ndërtuar mbi monumente kulture, sot çdo ditë e më shumë po shkatërrohet, jo vetëm nga ana ndërtimore, por edhe nga ana profesionale, e ndërtimit të elitave, të cilat janë të domosdoshme për qytete të rëndësishme siç është qyteti i Durrësit.”-theksoi Kryemadhi.