Monika Kryemadhi në takimin me banorët e Njësisë 1

Në një takim me kryefamiljarë, një nga problemet më të mëdha që thonin ishte mungesa e asaj që e dëgjon kudo, në çdo cep të Tiranës, në çdo cep të Shqipërisë, mungesa e punësimit, mungesa e mundësive për të zhvilluar biznesin, ekonominë. Ajo që ishte më e dhimbshme ishte që fëmijët i kishin studentë nëpër shkolla dhe e vetmja gjë që kishin si shpresë ishte largimi i tyre nga Shqipëria, ndërkohë që pandemia ka dhënë goditjen e vet. Në fakt unë ju falënderoj shumë për këtë ftesë dhe bashkëbisedim, në zonën e Ali Demit, që edhe pse çdo gjë ndryshon, vetëm kjo pjesë nuk ndryshon, që kanë atë tradicionalitetin e vet dhe identiteti i tyre nuk ka ndryshuar. Breza të shumtë kanë ikur e kanë ardhur, por kjo zonë ka pasur qëndresën e vet.
Ne jemi sot këtu së bashku me Erisën, me doktor Etjonin. Doktor Etjonin e kemi pak si pikë të dobët, në kuptimin e mirë të fjalës, sepse përveç se është doktor është edhe socialist, si puna ime, i vjetër, por mesa duket jemi bërë socialistë të rinj pranë LSI-së. Unë e kam ftuar doktor Etjonin që të kandidojë në listën tonë për deputetë në Tiranë, sepse me thënë të drejtën ne kemi nevojë për të hapur partinë dhe jo vetëm, me njerëz që kanë vlera. Sot më shumë se kurrë Shqipëria nuk ka nevojë për fjalë të bukura, propagandë dhe fasadë, sot Shqipëria ka nevojë për realitet, për njerëz që janë jo vetëm vendimmarrës, por kanë edhe ide për t’i realizuar.

Rrugës kur vija, po thoja që i vinte shumë keq lali Erit për LSI-në, por gjithë këtë merak që kanë për LSI-në ta kenë për qytetarët e Tiranës. Sepse sot qytetarët e Tiranës vuajnë çdo ditë e më shumë trafikun e rënduar. Ishim në mëngjes në njësinë numër 10, ku një nga problemet kryesore ishte parkimi, që ishte i pamundur. Ata thanë që shkojnë me orë të tëra larg në mëngjes, për shkak të punëve jashtë Tiranës, pastaj i duheshin orë të tëra për t’u kthyer, por sfilitja më e madhe është në orët e darkës kur i duhej të ktheheshin në shtëpi, është që i rrotulloheshin lagjes vërdallë për të gjetur një parkim për makinat. Ajo që diskutonim ishte që shumicën e parasë së karburantit dhe naftës më shumë e harxhojmë në kërkim për parkim dhe në trafik sesa rrugën për të ikur në punë.
Ashtu sikurse në anën tjetër shikon në të gjitha lagjet e Tiranës mungesën e shkollave dhe çerdheve, nuk është më problem të shikojmë kush është shkaktari i saj, por e rëndësishme është të gjejmë cilat janë hapësirat tona, mendësitë dhe politikat tona për të pasur një numër sa më të vogël fëmijësh në çerdhe dhe në kopshte, në mënyrë të tillë që edhe kujdesi i edukatoreve dhe i mësuesve të jetë më i madh ndaj tyre. Ashtu sikurse dhe në anën tjetër, ju e dini vetë, problematikat që ka jo vetëm njësia 1, por edhe në familje, mungesa e punës, mungesa e shumë gjërave të tjera. Ne jemi akoma në diskutim për programin. Unë sot isha me një mikun tim dhe ai thoshte që më pëlqen shumë mënyra sesi ju angazhoheni dhe merrni përsipër për të krijuar hapësira për gratë dhe vajzat, por sidomos për të krijuar një jetë më të lehtë për gratë. Dhe do të ishte shumë mirë që nëse do të rishikonim në propozimet tona, që të gjitha pajisjet të cilat lehtësojnë punën e grave, të jenë pa taksa. Sepse në fund të fundit këto nuk janë mjetë fitimprurëse, nuk janë biznes i madh, por është një mundësi ekonomike që e duan sot të gjithë gratë, në mënyrë të tillë që koha e tyre të jetë më e shkurtër për t’u angazhuar me punët e shtëpisë dhe të kenë një kohë më të gjatë për t’iu përkushtuar qoftë punës së tyre, karrierës profesionale e kështu me radhë.

Mënyra e funksionimit të të gjithë hapësirave të reja, sepse doktor Etjoni është stomatolog, e di shumë mirë, sesi sot pjesa më e madhe e mjekësisë jo vetëm në anën e stomatologjisë, por edhe mjekët e infermierët po largohen çdo ditë e më shumë nga Shqipëria. Madje po fillojmë t’i importojmë në mënyra të ndryshme, mjekë që i paguajmë me paga shumë të mëdha, kur në fakt ne kemi mjekët tanë që janë të jashtëzakonshëm. Ashtu sikurse kemi menduar dhe diskutuar hapësira për familjet e reja, për t’i krijuar mundësi sesi familjet e reja shqiptare të rrinë në Shqipëri, të mos ikin, sepse një nga dhimbjet më të mëdha të përditshme ne e kemi tek mungesa e hapësirës për familjet e reja.

Sfida jonë është për t’iu përgjigjur qytetarëve. Unë kam takuar shumë njerëz dje, sot dhe gjatë gjithë këtyre kohëve, sepse në fakt edhe 102 ditë na ndajnë nga data 25 prill. Sfidë nuk është për të punuar ne me njëri tjetrin, sfidë është për të çuar çdo qytetar që të votojë më 25 prill. Çdo njeriu që takoj i bëj thirrje, bëj edhe një njeri me vete për ta çuar në kutinë e votimit më 25 prill. Është gjëja më e rëndësishme për të sensibilizuar njerëzit, në mënyrë të tillë që ata të kenë mundësinë që jo vetëm të votojnë, por për të marrë me vete dhe një tjetër, për t’u pajisur me kartën e identitetit, për të parë kanë apo jo emrat në listë. Sepse e vetmja gjë që sot i ka ngelur Rilindjes për të krijuar një amulli, turbullim apo çorientim të opinionit publik, është për të krijuar kleçka dhe klauzola për të çorientuar njerëzit. Nuk ka rëndësi se çfarë ndodh në taktikat elektorale, e rëndësishme është që në të gjithë të shkojmë drejt kutisë së votimit.
Një nga arsyet që e po bëjmë jo vetëm shpërndarjen e kandidatëve të LSI-së, jo vetëm në të gjithë Tiranën, por në të gjithë Shqipërinë, nuk ka të bëjë thjesht me mesazhin apo flamurin e partive politike, por është krijimi i hapësirave dhe mundësive shqiptarëve për të votuar, jo vetëm një emër, por disa emra, për të treguar pushtetin e secilës votë, që ata mendojnë se duan që ta drejtojnë dhe ta çojnë punën e tyre përpara dhe për të qenë pjesë e vendimmarrjes.

Sfida jonë tjetër është hartimi i politikave dhe premtimeve tona, të cilat do të jenë premtime shumë konkrete, të drejtpërdrejta, pa propagandën në mes. Ne e kemi namin dhe është edhe e vërtetë që ne e mbajmë fjalën. Njerëzit e dinë shumë mirë që kur LSI-ja e premton diçka, ajo i qëndron deri në fund, lufton deri në fund pavarësisht se herë pas here në momente të caktuara, partnerët tanë që kanë qenë në rrugën e vendimmarrjes edhe kanë çeduar. Por ne gjithmonë kemi qenë të konsoliduar për të mbajtur fjalën dhe e kemi mbajtur atë.

Sigurisht që edhe fokusi ynë është punësimi, një punë e mirëpaguar, një punë e cila krijon hapësira për të rinjtë dhe të rejat, për të konkurruar në tregun e punës, për të pasur një pagë të mirë, për të pasur mundësi të mirë. Sepse vetëm duke rritur mundësinë e punësimit, mundësinë e një page të mirë, do të krijojmë edhe rritjen e standardit të jetesës. Sot shqiptarët e dinë shumë mirë, paguajnë më shumë taksa, më shumë se dyfishin e taksës që paguanin 4 vite më parë. Sot shqiptarët e dinë shumë mirë që çmimi i energjisë elektrike është shumë më i shtrenjtë, që nëse ke një të sëmurë në familjen tënde ilaçet janë më shtrenjtë se 4 vite më parë, edhe pse propaganda është që i kemi pa atë TVSH-në e famshme e të tjera. Sot fermerët e dinë shumë mirë që edhe pse u është premtuar dhe bërë propagandë sikur u është hequr 20% i TVSH-së së inputeve, por çmimet janë po të njëjta. Vetëm propaganda ka ndryshuar, por në xhepin e tyre ata janë varfëruar çdo ditë e më shumë. Ashtu sikurse, të gjithë këto sjellin çmime të larta, kosto jetese shumë të lartë, por standardin e jetesës shumë të ulët. Dhe ka sjellë si rrjedhojë të gjithë atë largim të pandalshëm të të rinjve dhe të rejave dhe kjo është një nga sfidat tonë më të mëdha. Sfida jonë është çfarë të bëjmë që jo vetëm Etjoni, Lindin, Alertin të mos ta lëmë që të ikin nga Shqipëria, por të qëndrojnë këtu. Alertin që e kemi këtu, që ka vuajtur para ca ditësh me Komisariatin e Policisë, sepse për të lyer një faqe muri këtu shkon në rajon se quhet ndërtim pa leje, ndërsa oligarkët shëtisin me ministrat kështu që nuk mund të mbajnë asgjë tjetër përsipër, por vetëm të grabisin taksat e shqiptarëve.

Ajo që është gjëja më e shëmtuar që ne kemi parë në këto katër vite, është që hilet e pushtetit që përdori Edi Rama për të varfëruar shqiptarët, është që nuk duhet të jenë më thjesht një taktikë për të qëndruar në pushtet për çdo politikan, për çdo qeveritar apo çdo njeri që do të jetë pjesë e vendimmarrjes, por duhet të jetë privilegji që qytetarët u japin politikanëve për të qenë shërbëtorë të tyre. Unë nuk mendoj që një politikan sakrifikon duke u marrë me politikë, sakrifikon duke takuar njerëzit. Përkundrazi ky është privilegj, sepse çdo njeriu që i jepet shansi dhe mundësia për të qenë përfaqësues i tyre, është një privilegj shumë i madh dhe nderim që ne duhet ta kemi ndaj njerëzve. Nëse ne nuk do të përulemi ndaj njerëzve të cilët na kanë bërë këta që jemi, atëherë me thënë të drejtën është një mëkat shumë i madh dhe mosmirënjohja ndaj qytetarëve, ndaj njerëzve që na kanë dhënë votën dhe forcën për të qenë këta që jemi, është një nga gjërat që në të gjitha mënyrat e mundshme është e dënueshme.

Përpara interesit të qytetarëve asnjë lloj kompromisi nuk ka asnjë lloj vlere. Ne në fakt kemi bërë shumë kompromise për shkak të stabilitetit, stabilitetit rajonal etj, por në fakt të gjitha këto kanë treguar që kanë qenë në kurriz të shqiptarëve nuk kanë qenë çështje stabiliteti . ka qenë stabiliteti i 3-4 individëve të cilët kanë qenë të lidhura me interesa ekonomike por në fakt ka qenë destabiliteti ekonomik i familjeve shqiptare qe nuk ka prodhuara gjë tjetër, veçse kriza. Ne na ranë disa situata shumë të rënda siç ishte tërmeti i 26 nëntorit, të vitit të kaluar, më pas ishte periudha e pandemisë që u keqmenaxhua në të dyja rastet e lockdownit, qoftë në mars që shkatërroi dhe falimentoi mbi 72 mijë vende pune dhe me qindra dhe mijëra biznese. Ndërkohë lockdowni i dytë dhe keqmenaxhimi i të gjithë situatës jo vetëm të ekonomisë por dhe të shëndetësisë.

Rasti i djeshëm tregonte një pafytyrësi dhe një paturpësi e cila ka ndodhur në spitalin e doktoreshës që nuk kishte ndërmend të shikonte se ca ndodhte në pavionin e saj por kishte ndërmend të luante filma holliwoodian për ERTV. Ajo që unë e kam thënë më kohë, nuk e di sesi një shefe pavioni apo reparti po themi të pranojë te aktrojë në atë mënyrë aq të shëmtuar, për të bërë një propagandë, kur propagandës jo vetëm iu doli boja po ishte sa neveritëse, aq e poshtë dhe e dënueshme që pamë ne atje. Ky është realiteti i sotshëm, realiteti i fasadës, mashtrimit që i merr dhe tallesh me jetën e njerëzve sikur nuk është asgjë. Njerëz të cilët vdesin por nuk tregohet dhe vazhdojnë të grabiten familjarët e tyre, ashtu sikurse e njëjta gjë që ka ndodhur sot me Covidin, ndodh me ekonominë, me arshinin, me vendet e punës, me sigurinë, me gjykatat, me çdo gjë, prandaj them që është shumë e rëndësishme që secili nga ne ti drejtohet kutisë, jo me idenë që kë do të favorizojë, por me idenë, për të ndëshkuar atë që i ka rinuar jetën dhe me idenë jo për të favorizuar por për të votuar dhe për të dhënë idenë që çdo njëri që qeveris gabim është arrogant, është i paturpshëm me popullin e tij, ndëshkohet me votë prandaj duhet të jetë i kujdesshëm dhe çdo besim që qytetarët i japin politikanëve, nuk duhet të jetë thjesht një besim momental elektoral por duhet të jetë besim i vazhdueshëm sepse besimi reciprok dhe marrëdhënia reciproke midis deputetëve , shtetit midis qeverisë, popullit, midis komunitetit është e vetmja marrëdhënie e cila i jep jetëgjatësi jo vetëm një shteti por dhe partive politike, shoqatave jo qeveritare, por mbi të gjitha i jep jetëgjatësi ekonomisë, familjes të secilit prej nesh.