Nga eksperienca ime që kam pasur edhe më parë, peqinasit janë njerëz punëtorë, të cilët çdo ditë e më shumë i përkushtohen punës së tyre, tokës së tyre, ashtu sikurse edhe nga ana tjetër e kanë shumë të pamundur mbijetesën përsa i përket taksave të larta, mungesa e subvencioneve për ata që merren me bujqësi, por nga ana tjetër brenda qytetit problem është mungesa e rrugëve dhe infrastrukturës.

Pak para se të vinim këtu ishim në një kafe brenda në qytet, ku u takova me dy mësues rastësisht, ishin çift burrë e grua, të cilët po flisnin për problemet e arsimit dhe u shprehën se cilësia e mësimdhënies te fëmijët është shumë e dobët.

Sot është një ditë me diell, por bën shumë ftohtë, një nga ditët më të ftohta të vitit dhe balta ka ngrirë dhe nuk e ndjen në këmbë, pro problemet janë të përditshme, por jo vetëm këtu në Peqin, por edhe në çdo cep të Shqipërisë, pavarësisht se fasada mund të jetë e ndryshme për shkak të ngjyrës, për shkak të zonës, për shkak të mentalitetit, por problematike është e njëjta: Taksa të larta, mungesa e vendeve të punës, paga të ulëta dhe të papaguara. Po ashtu kemi edhe mungesën e autoritetit të shtetit për ti ndihmuar qytetarët e saj.

Banori i Peqinit:

Kjo është hera e parë që një lider partie ulet me qytetarët në Peqin, është rast unik. Sikurse e thatë dhe ju Peqini është lënë krejtësisht larg vëmendjes së shtetit, sidomos këto tetë vitet e fundit, është një gropë shumë e madhe ekonomike.

Monika Kryemadhi:

Kam kuptuar që investimet në zonë janë nga vetë qytetarët, nuk janë investime të ardhura nga shteti.

Banori i Peqinit:

Ju e keni parë vetë rrugën, është gropa-gropa si në Kandahar. Të mendosh që një rrugë në mes të Shqipërisë është në këtë gjendje, është e tmerrshme. Në tetë vite këtu s’ka pasur asnjë investim, shteti këtu është inekzistent, varfëria, papunësia këtu është e tmerrshme. Një pjesë e madhe e bizneseve janë mbyllur, sepse nuk kanë fare konsum.

Monika Kryemadhi:

Fabrika e vajit të ullirit më thanë që kanë falimentuar sepse nuk kanë mundur as të shesin prodhimin, as tu përgjigjen dot fermerëve, ndërkohë që këtyre të fundit u ka ngelur produkti pa shitur.

Banori i Peqinit:

Fshati është një tjetër problem i Peqinit, sepse Peqini, pjesa e jugut të Shkumbinit është zonë bujqësore kryesisht, por nuk ka pasur asnjë subvencion, asnjë projekt zhvillimi, asnjë ndihmë, me ato vështirësi kanë mbijetuar. Problemi kryesor i Peqinit është se është i izoluar komplet. Edhe rrugët që u bënë nuk i dhanë asnjë frymëmarrje. Është lënë tërësisht në harresë. Në Peqin ka tre muaj që vdesin çdo ditë 1-2 persona që nuk figurojnë në listat e shtetit. Kështu që Peqini ka nevojë për dorë, duhet të ndryshojë sepse e meriton. Peqini po braktiset, të rinjtë po ikin jashtë. Pasi nuk ka asnjë shpresë. Kështu që 25 prilli nuk do të jetë thjesht një reagim nga qytetarët e Peqinit, por nga këto halle, nga këto realitete le të marrë jetë ditët e mira për Shqipërinë, sepse e gjithë Shqipëria është në ditë të zeza. Ne nuk kemi zgjedhje të reja, kemi referendum popullor, pasi shqiptarët duhet të marrin në dorë vendin e tyre.

Banori i Peqinit:

Së pari ju falënderojmë për ardhjen këtu në Peqin, pasi është hera e parë sikurse e thamë dhe më parë. Problemet në zonën tonë janë shumë të thella. Këtu ka mbaruar cdo gjë. Prodhimi ka qenë i bollshëm për prodhimin e vajit të ullirit, për ullirin por mungon tregu. Varfëria është e tejskajshme.

Monika Kryemadhi:

Shteti prandaj funksionon për të krijuar tregun që ti të garantosh shitjen e prodhimit.

Banori i Peqinit:

Po por shteti është inekzistent dhe asnjë ndihmë nuk i ka dhënë bujqësisë. Nafta është shumë e shtrenjtë dhe nuk është bërë asnjë lloj subvencionimi. Këto që dalin nëpër televizione janë vetëm përralla që i tregojnë këtij populli. Prandaj, duhet të ndryshojnë të gjitha. Rrugët i patë vetë, nuk është bërë asnjë lloj investimi. Investimet që janë bërë kanë qenë që kur ka qenë PD dhe LSI në pushtet kur u bë diçka dhe që nga ajo kohë këtu, në këto tetë vitet e fundit, nuk është vënë dorë fare, për asgjë.

Monika Kryemadhi:

Ne duhet të angazhohemi dhe çfarë marrim përsipër ndaj njerëzve, sepse nuk është thjesht ideja për të hyrë dhe për të bërë propagandë, por ne duhet ti japim zgjidhje problematikave të këtyre banorëve. Ne duhet të krijojmë një infrastrukturë dhe një plan pune për shitjen e produkteve, por edhe garantimin e tregut dhe ndihmën ekonomike që duhet tu japim të gjitha zonave përreth Peqinit, si Pajova apo Karina etj. Para disa kohësh mbaj mend që një nga problemet që ka pasur e gjithë zona e Pajovës apo Karinës ishte çështja e miut të arrave dhe nuk merrej përsipër të dezinfektohej toka, duke çuar në prishjen e produkteve. Dhe gjithashtu një tjetër problem është mungesa e një shkolle të mesme bujqësore që të krijojë mundësi fermerëve për të trajnuar dhe mësuar për të qenë të aftë dhe për ti shërbyer tokës së tyre.

Monika Kryemadhi:

Një problem tjetër është edhe emigrimi, ku vetëm në tetë vitet e fundit kanë ikur mbi 150 mijë të rinj 18-29 vjeç që është edhe palca e këtij vendi. Gjithashtu edhe përsa i përket çështjes ekonomike, njerëzit e kanë të vështirë të paguajnë kreditë apo qoftë edhe për të marrë një kredi. Në një takim me disa specialistë dhe profesionistë të fushës, sipas nëj raporti të Bankës së Shqipërisë tregohet se kreditë e këqija janë shtuar, sidomos në periudhën e pandemisë, ku në zonat e Peqinit dhe në zonat përreth pamundësia për pagesën e kësteve të kredive vinte si rezultat i humbjes së vendeve të punës, falimentimit të bizneseve por edhe i mungesës së hapësirave të zhvillimit. Pasi edhe pse biznesi nuk punon, edhe pse njerëzit nuk po punojnë,  taksat duhen paguar. Dhe ndërkohë edhe pse qeveria mori përsipër që do të krijonte një spostim të kredive, ajo faktikisht nuk e bëri këtë gjë. Kur ndërkohë nga granti i solidaritetit që u tha që do të jepej për shqiptarët, çuditërisht morën vetëm kompanitë e mëdha, oligarkët dhe nuk shkoi në dorën e punëtorëve, por në dorën e drejtorëve të përgjithshëm.

Pra shpërndarja e të ardhurave të atyre taksapaguesve të qytetarëve shqiptarë nuk është e drejtë, është me dy standarde. U tha që do të ulen taksat për të varfrit dhe do të rriten për të pasurit, por faktikisht ndodhi e kundërta. Janë rritur taksat për të varfrit, ndërsa për oligarkët taksat janë zero.

Banori i Peqinit (punonjës banke):

Këtë e ndjejmë edhe ne në punën e përditshme, vjen klienti, kërkon kredi, por nuk e paguan dot. Vjen fermeri hap numrin e llogarisë, por kjo llogari i ngel bosh, sepse pret subvencionin dhe subvencion nuk ka. Dhe kjo sjell varfëri dhe po pati varfëri vijnë të gjitha me radhë pastaj, vijnë boshatisja e zonave, vjen mbyllja e shkollave që do të lejë arsimtarët pa punë, e gjitha shkon zinxhir më pas.

Monika Kryemadhi:

Një nga problemet që ka i gjithë zona e Elbasanit, si Përrenjasi, Librazhdi apo edhe Gramshi ka të bëjë me mungesën e investimit në blegtori. Investimi në këtë fushë do të krijonte mundësinë e ndihmesës të banorëve të atyre zonave. Nuk ka një strategji dhe një politikë për këtë sektor. Nuk kemi përse të importojmë në mishin nga Rumania kur ndërkohë kemi mishin më të mirë, për shkak të klimës, ujit, kur ndërkohë ne duhet të jemi eksportues të mishit, për shkak të cilësisë së parë të mishit që ne prodhojmë. Ne shumë shpejt do të shpallim edhe programin e LSI-së në lidhje me bujqësinë, që do të jetë një ndihmesë shumë e madhe për fermerët qoftë në bujqësi, qoftë ne blegtori çka do të sillte një rritje të standardit të këtyre familjeve në zonat rurale, por do të ndihmonte edhe ekonominë shqiptare në përgjithësi. Dhe kjo do të sillte edhe investitorët e huaj tek ne nëpërmjet krijimit të hapësirave të nevojshme në mbështetje të këtyre sektorëve. Shqiptarët janë njerëz punëtorë, të rikthejmë rininë tonë këtu në Shqipëri, të vijnë të punojnë këtu në vendin e tyre.