Një kardiolog i Universitetit të Nju Jorkut, ka nisur një proces gjyqësor kundër gjigandit të teknologjisë ‘Apple’, duke e akuzuar se i ka vjedhur të drejtat e autorit.

Dr. Joseph Wiesel pretendon se teknologjia që një ‘Apple Watch’ përdor për të zbuluar parregullsi në rrahjet e zemrës shkel patentën e tij. Siç shkruan Bloomberg, ai i ka kërkuar një gjykate federale në Brooklyn që të urdhërojë Apple të paguajë dëmet, duke pretenduar se kompania po shkel të drejtat e tij “me dijeni”.

Sipas dokumenteve gjyqësore, Dr. Wiesel shpiku një metodë dhe një pajisje për zbulimin e fibrilacionit atrial, duke përdorur fotopletizmografinë për të “vlerësuar nëse një model i normës së pulsit është i rregullt ose i parregullt”. Kjo do të thotë që përdoruesi mund të monitorojë fibrilacionin atrial në një mjedis jo spitalor.

Pasi e njëjta teknologji u shfaq në ‘Apple Watch’, Dr. Wiesel u mundua të lidhej me kompaninë përmes letrave të shumta, por ai thotë se ata refuzuan të negociojnë.

Wiesel tha që ai kishte kontaktuar për herë të parë me Apple në shtator 2017, duke i dhënë informacionet e detajuara në lidhje me patentën.

Përfaqësuesit e Apple nuk i janë përgjigjur akuzave, një veprim në përputhje me politikën e kompanisë për të mos komentuar çështjet gjyqësore.