Nga Dorian Latifllari

KOORDINATORËT E LAGJEVE, STRUKTURË PUSHTETI LOKAL APO FUNKSIONARË PARTIE?!

Ka disa muaj që në administratën e pushtetit vendor janë caktuar disa koordinatorë lagjesh në qytet. Nga informaciooni i mbledhur duket se detyra e tyre është krehja e zonave që mbulojnë për të mbledhur informacion, për të vendosur kontakte dhe për të gjetur votues potencialë të partisë në pushtet.

Pushteti vendor paguan njerëz që bëjnë punë partie dhe veç kësaj nuk bëjnë asgjë tjetër. Përveç fryrjes së organogrameve të pushtetit vendor, punësimeve para zgjedhjeve për të mbledhur vota, tashmë jepen edhe para nga taksat tona për punë partie. Po pse i duhen xhanëm, kur i pari i tyre thotë se i ka të fituara zgjedhjet?! Po hajde nxirrjani frikën që i ka hyrë në palcë….

Ata e kanë marrë qartazi detyrën, por kur tu vijnë te dera i refuzoni dhe i ktheni. Koordinatorët e lagjeve duken si komisarët e dikurshëm që trokasin derë më derë për votat në favor të pushtetit. I thoni jo keqpërdorimit të pushtetit që jo vetëm u mor pa votë e zgjedhje, por është vënë tërësisht në funksion të zgjedhjeve parlamentare.
Ata nuk kanë hallin tuaj, por po punojnë kundër tyre me paratë e taksave tuaja.