Policia franceze ka arrestuar nëntë persona pasi një i dyshuar si simpatizant islamist i preu kokën një mësuesi në rrugë në një periferi të Parisit të premten, thanë burimet e policisë.

Hetuesit po përpiqeshin të vërtetonin nëse sulmuesi, i cili u qëllua për vdekje nga policia, kishte vepruar vetëm ose kishte bashkëpunëtorë. Media franceze raportoi se ai ishte një 18-vjeçar me origjinë çeçene.

Dëshmitarët dëgjuan sulmuesin duke bërtitur “Allahu Akbar” ose “Zoti është më i Madhi”, tha një burim policor.

Viktima e tij, një mësues historie, gjatë këtij muaji u kishte treguar nxënësve të tij karikaturat e Profetit Muhamed, në një lëndë të të drejtave civile mbi lirinë e shprehjes.

Presidenti Emmanuel Macron e quajti incidentin terrorizëm islamik.

Katër të afërm të sulmuesit, duke përfshirë një të mitur, u arrestuan në orët e menjëhershme pas sulmit në periferinë e banuar nga shtresa e mesme, në Conflans-Sainte-Honorine, thanë burimet e policisë.

Pesë të tjerë u arrestuan brenda natës, mes tyre dy prindër të nxënësve në College du Bois d’Aulne ku mësuesi ishte i punësuar.

Udhëheqësit myslimanë e dënuan vrasjen, të cilën shumë figura publike e perceptuan si një sulm ndaj thelbit të shtetësisë franceze dhe vlerave të tij të sekularizmit, lirisë së besimit dhe lirisë së shprehjes.