Presidenti i Republikës, Ilir Meta, priti sot në një takim Ambasadorin e Britanisë Madhe, Duncan Norman.

Presidenti Meta e falenderoi Ambasadorin Duncan për angazhimin e tij të përkushtuar dhe vendosmërinë për të ndihmuar të gjitha palët për miratimin sa më parë të Reformës Zgjedhore.

Presidenti Meta shprehu angazhimin e tij për Platformën (Non Paper) e bërë publike me qëllim avancimin e axhendës së integrimit të Shqipërisë në BE, si dhe kërkoi një qasje gjithëpërfshirëse dhe vullnet konstruktiv të të gjitha palëve të përfshira.

Gjithashtu, Kreu i Shtetit shprehu keqardhjen për mënyrën destruktive të sjelljes ndaj këtij propozimi, duke minuar mundësitë për dialog.

Presidenti Meta rikonfirmoi mirënjohjen për Britaninë e Madhe për mbështetjen e pakursyer që i ka dhënë Shqipërisë dhe stabilitetit në rajon.