Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, në Ditën Ndërkombëtare të Rinisë ka përcjellë një mesazh të fortë. Kreu i shtetit i bën apel të rinjëve që pavarësisht pengesave dhe zhgënjimeve të mëdha, nuk duhet që të largohen masivisht nga Shqipëria por që të marrin në dorë fatin e Atdheut. Në mesazhin e Metës lexohet qartë paralajmërimi se vjeshta politike do të jetë më e nxehtë sesa temperaturat e korrikut.

Mesazhi i plotë

Të dashur të rinj e të reja, shpresa dhe garancia e lirisë, sovranitetit e së ardhmes europiane së Shqipërisë. Është fakt se shumë prej jush përballen ende me pengesa, përjashtime, moskuptime dhe zhgënjime të mëdha, që ju kanë detyruar të gjeni forma të ndryshme për t’u arratisur nga ky realitet i papranueshëm, deri edhe në largim masiv nga Atdheu.

Përgjatë gjithë historisë sonë, luftës për liri e pavarësi dhe përpjekjeve për demokratizim, progres e begati të Shqipërisë, veçanërisht në momentet e tragjedive, kriza dhe sfidave të mëdha, populli ynë është ringritur dhe udhëhequr nga idealet, guximi, energjia, talenti dhe forca e rinisë, duke i bërë ballë çdo lloj vështirësie dhe shpartalluar çdo lloj kërcënimi.

Sot në Ditën Ndërkombëtare të Rinisë, apeli im për të gjithë ju të rinj e të reja kuq e zi është: BASHKOHUNI DHE MERRNI NË DORË FATET TUAJA DHE TË ATDHEUT TONË!

Është koha të mbroni të ardhmen e Shqipërisë dhe unë besoj në vetëdijen dhe përgjegjshmërinë e madhe që do të merrni për ta ushtruar me vendosmëri dhe shqiptari këtë detyrë të lartë!

KOHA QË ZËRI JUAJ TË DËGJOHET!

PO, SHQIPËRIA DO BËHET NGA RINIA! NËSE JO JU, KUSH TJETËR?!

O SOT, O KURRË! 🇦🇱