Në disa linja të transportit ndërqytetas është rritur çmimi i biletës nga 30 deri në 150 lekë.

Shkak është bërë kriza e krijuar gjatë pandemisë së Covid 19. Një tjetër faktor është dhe konkurrenca e pandershme.

Prej një tetorit, çmimi i biletave të disa linjave të transportit ndërqytetas është rritur.

Ndryshimet e çmimit variojnë nga 30 deri në 150 lekë më shumë se sa ishin para pandemisë.

Përfaqësues të transportit ndërqytetas fajësojnë për këtë situatë mungesën e mbështetjes prej qeverisë në përballimin e krizës.

“Bileta është 150 lekë, ka qenë 130. U ndryshua se nuk ka punë.”

Ora News bëri një vëzhgim dhe në terminalet ndërqytetase, ku punonjës të transportit publik kanë pranuar rritjen e çmimit të biletës, kryesisht në linjat e Korçës, Shkodrës dhe Durrësit.

Por të rrallë janë ata që e pranojnë këtë fakt para kamerave.

“Për Fier e kemi bërë 400 lekë, ka qenë 350. Ka ndryshuar për shkak të pandemisë, fluksi ka rënë.”

Ndikim sipas tyre ka dhe çmimi i vendosur nga Ministria, që tashmë janë detyruar ta respektojnë për shkak të mungesës së konkurrencës së ndershme, pasi shumë punojnë pa licencë.

“Shkruhej 540 se kishim konkurrentë, edhe tani kemi por vendet nuk plotësohen.”

Në këtë situatë janë udhëtarët që do të duhet të përballojnë edhe një tjetër kosto shtesë që do të rëndojë në xhepat e tyre.