E hëna ishte edhe dita e fillimit të stërvitjes në grupe edhe në kampionatin italian të Futbollit.

Në Continassa, lojtarët e Juventusit u paraqitën të gjithë përfshirtë edhe Cristiano Ronaldo që e mbylli fazën e karantinimit pas kthimit nga Madeira si dhe Gonzalo Higuain. Në fakt sulmuesi argjentinas ishte i fundit futbollist që u kthye në Torino dhe kjo ndodhi ditën e premte me një avion privat.

Sipas medias Higuain tani do të duhet që të qëndrojë në karantinë për dy javë. Ndërkaq në Itali, po shtohen vështirësitë për rinisjen e Serisë A. Dekreti qeveritar ndalon eventet sportive deri në 14 qershor, që do të thotë se bie poshtë hipoteza për rikthimin e skuadrave në fushë në 13 qershor, kështu që data më e mundshme është 20 qershori. Duke marrë parasysh faktin se UEFA ka kërkuar mbylljen e kampionateve brenda 3 gushtit, për Serie A bëhet e vështirë që të luhen të gjitha 12 javët e mbetura dhe disa ndeshje të prapambetura, në këtë periudhë dhe këtu nuk po llogariten ndeshjet e kthimit gjysmëfinale dhe finalja e Kupës së Italisë.

Për këtë arsye në median italiane është rishfaqur hipoteza e ndeshjeve me playoff, një hipotezë që askush nuk e dëshiron pas shkakton ndryshim rrënjësor rregullaritetin e një sezon të nisur me një formulë, atë të sistemit të ndeshjeve në dy faza, për t’u mbyllur me normativa të reja sportive. Gjithnjë sipas medias italiane, FIGC po mendon të modifikojë formatin duke e cuar në 10 numrin e skuadrave në këtë fazë dhe jo 12 siç u mendua në një moment të parë. Sipas këtij formati katër skuadra do të luajnë për titullin, Juventus, Lazio, Inter e Atalanta duke lënë jashtë Romën dhe Napolin, ndërsa 6 skuadrat e fundit do të luajnë për qëndrimin në Serie A, torino, Sampdoria, Genoa, Lecce, Spal dhe Brescia.

Të gjitha ndeshjet, ky format i parashikon të luhen në qendër e Jug të Italisë. por ky projekt nuk është i lehtë për t’u realizuar, pasi do të ketë klube që do të kundërshtojnë atë.