Më shumë se gjysmë milion amerikanë kanë mbetur pa energji elektrike për shkak të stuhisë tropikale “Selli” që ka goditur brigjet e SHBA-së.

Përmbytje të mëdha u shkaktuan në shtetet e Floridës dhe Alabamës, ku erërat me shpejtësi mbi 165 kilometra në orë dhe shirat e dendur nxorën lumenjtë nga shtrati.

Sipas autoriteteve, sasia e reshjeve brenda pak orëve ceku totalin e 4 muajve marrë së bashku.

Të paktën një person mbeti i vrarë të mërkurën dhe qindra të tjerë arritën të evakuohen.

Qendra amerikane e uraganeve njoftoi se me zbutjen e stuhisë, priten reshje të reja që do arrijnë deri  45 centimetra lartësi në disa nga shtetet juglindore të SHBA-së.

Në qytetin bregdetar të San-Ljuisit në Misisipi, banorët punuan me shpejtësi për të mbrojtur shtëpitë dhe anijet e ankoruara nga ujërat e rrëmbyer dhe stuhia.

“Na kanë lajmëruar se në gjirin tonë do ketë dallgë midis 2 dhe 3 metra të larta, ndaj po sigurohemi që të lidhim mjetet për të mos na i marrë uji me vete. Unë kam kaluar më parë edhe stuhinë Katrina, Kamilën, ndaj mua vetë këto rrethana nuk më habisin.”

“Kemi marrë masat tona prej stuhisë por nëse do na thonë të largohemi, patjetër që do ikim. Jam e shqetësuar për familjen.”

Megjithëse stuhia “Selli” nuk ka shënuar fuqinë shkatërruese të uraganit më vdekjeprurës “Laura” që goditi vendin muajin e kaluar, sërish la pasoja në infrastrukturën vendëse, me pemë të rrëzuara, anije të përplasura në portet detare dhe makina të përmbysura nga erërat e forta.

Përveç “Sellit” që tani po lëviz me ngadalë nëpër territor, katër ciklone të tjera tropikale po vërtiten rreth Oqeanit Atlanik në pritje për t’u futur drejt shteteve të reja amerikane.