Nga Urbanist Sofokli Xega – Sekretar Organizativ i LSI Dega Korçë
Po marr shkas për të ngritur një problematikë të qytetit të Korçës, të cilën e përjetojnë të gjithë qytetarët e saj, si dhe penalizohen vizitorët e këtij qyteti. Ky problem është kthyer në një shqetësim real për banorët e qytetit, por shqetësimi i tyre mospërfillet nga ana e drejtuesve të Bashkisë Korçë.
Trafiku automobilistik, i cili është shtylla kurrizore e një qyteti, në Korçë është kthyer në një makth të vërtetë. Investimi i bërë pak vite më parë nga Bashkia për bulevardin “Fan Noli” dhe i trumbetuar dhe reklamuar si një investim me standarte të larta nga ana e Bashkisë Korçë, rezultoi të jetë një shpërdorim i fondeve të taksapaguesve, fonde të cilat paguhen nga xhepat tanë, sepse i është mëshuar fasadës elektorale për “ti hedhur hi syve” banorëve të saj. Bulevardi “Fan Noli” është një nga arteret kryesore të qarkullimit automobilistik në qytetin e Korçës që bën lidhjen e zonave më të rëndësishme të tij. Ky bulevard ka qënë me 2 korsi qarkullimi auto për secilin sens dhe deri diku plotësonte nevojat funksionale të qarkullimit automobilistik në këtë qytet.
Patjetër që kishte nevojë për përmirësim duke u gjendur zgjidhja më optimale për fluidizimin e trafikut, por përmirësimi nga ana e Bashkisë Korçë erdhi duke e ngushtuar atë, ku nga 2 korsi qarkullimi auto që ai kishte, u bë një korsi qarkullimi për automjetet dhe një korsi u transformua në vendparkime për to!
Pra për të bërë “show-un” elektoral të radhës me investime fasadë dhe jo të analizuara dhe studiuara për të zgjidhur një problem të qytetit nga ana funksionale, estetike dhe me standarte bashkëkohore, u perdoren taksat tona për të mbushur xhepat e oligarkëve të lidhur ngushtësisht me Bashkinë Korçë, dhe jo për të zgjidhur problemet e qytetit.
Ky investim i gabuar ka gjeneruar një trafik automjetesh shumë të rënduar në këtë arterie, ku dhe autoambulancat janë të detyruara të presin në trafik me të sëmurët brënda, pasi praktikisht është e pamundur që ti lirohet rruga nga drejtuesit e automjeteve që gjenden para saj, sepse tani ka vetëm një korsi qarkullimi automjetesh, ndërsa vendparkimet janë gjithmonë plot.
Rezulton që fati i një të sëmuri që gjendet në autoambulancë rrugës për në spital duke luftuar për jetë a vdekje, ku mbëritja një minutë e më parë është jetike, të varet nëse mund të gjendet ndonjë hapësirë e lirë në korsinë e vendparkimeve nga automjetet që ndodhen para autoambulancës, për të bërë të mundur lirimin e rrugës për të kaluar ajo.
Prandaj të dashur qytetarë Korçarë ka ardhur koha që ti themi STOP kësaj bande qeverisëse, që di veç të mbushë xhepat.
Në 25 Prill të gjithë të votojmë për forcën politike që do u japë zgjidhje problemeve tona dhe problemeve akute të qytetit.
Në 25 Prill të gjithë do votojmë LSI.