Amnistia, qoka e dytë e madhe për oligarkinë, pas ligjit të dividentit.
——-
Opozita, ashtu si qasja për shumë vendime të mara nga një parlament e për rrjedhojë dhe një qeveri ilegjitime, për mosnjohje te tyre, kryesisht te koncesioneve dhe kontratave PPP, duhet të ketë qasje të qartë mohuese për këtë projekt ligji të ri, siç është ai i amnistisë, që kërkon të ndërmarrë kjo qeveri.

Së pari, projekte të tilla nuk mund të merren në fund mandati, nga zullumqarë që vetë kanë krijuar një situatë të rëndë ku paraja jashtë sistemit zë më shumë se 22 % të PBB-s.

Rritja e tatimfitimit me 50%, taksimi progresiv i të ardhurave personale deri në 23% ishin dy nga ndryshimet bazë të ndërmarra nga Rilindja në vitin 2013 që kane çuar në rritje të evazionit, ku natyrisht më të lehtë e kame pasur ato biznese pranë qeverisë, te të cilët tatimorë, apo dhe vetë ministrat e financave që dilnin rrugëve për kontrolle, nuk mund t’u trokisnin te dera.

Për rrjedhojë, kjo amnisti krijon bindjen e plotë për të gjithë ne se është goditje bizneseve të ndershme për herë të dytë dhe lehtësim për oligarkinë në pushtet duke kryer “pastrimin” e bilanceve të tyre nga të gjitha mëkatet që kanë bërë.

Së dyti, periudha e Rilindjes është më famëkeqja në aspektin e krijimit dhe e injektimit të parasë së zezë të krimit në ekonomi. Kanabizimi mbarëkombëtar i vendit në vitin 2016, laboratorët e drogës në Elbasan e Has, mijëra ton drogë sekuestruar nga policia etj. janë argument i qartë se paraja e zezë ka mbizotëruar ekonominë e vendit dhe është “normale” që ata që e krijuan ta amnistojnë atë.

Së treti, dhe që është më e rëndësishmja, ky ligj kërkon 84 vota.

Vetë votimi i këtij ligji nga Parlamenti aktual, duhet të jetë objekt i një “amnistie” në të ardhmen, si nga parlamenti i ardhshëm dhe nga Gjykata Kushtetuese. Por, pa i hyrë ligjshmërisë së tij të paszgjedhjeve të vjedhura të vitit 2017, as numrit të mangët të këtij parlamenti në 122 nga 140 deputetë që kërkon Kushtetuta dhe as ligjshmërisë së dorëzimit dhe marrjes së mandateve të reja nga opozita, po theksoj fjalën e dy ditëve më parë të një ish-ministri, drejtuesi politik i njërit nga qarqet më të mëdha në vend si Shkodra, i cili pranoi por dhe theksoi domosdoshmërinë e shkëputjes së socialistëve nga oligarkia.

Ligji i amnistisë jo vetëm nuk e shkëput por e lidh edhe më shumë Rilindjen me Oligarkët.

Edi Rama do të vazhdojë përpara me këtë projekt. I takon opozitës të shprehet qartë që një projekt të tillë nuk do ta njohë, ashtu siç nuk njeh ligjin anti kushtetues të dividentit. Një qasje e tillë do të bënte që ky projekt të dështonte që pa nisur pasi do të rriste presionin neser ndaj atyre që do të deklaroheshin dhe amnistoheshin sot.