Supercikloni “Goni” godet Filipinet, regjistrohen viktima
14:30 | 01 Nëntor 2020
Shteti i Filipineve në juglindje të Azisë ka evakuar rreth 1 milion banorë për t’i shpëtuar nga pasojave katastrofike të superciklonit “Goni” që zbarkoi të dielën në brigjet e arkipelagut.
Stuhia më e fuqishme e vitit 2020 solli me vete erëra me shpejtësi 225 kilometra në orë dhe reshje të dendura shiu duke nisur nga ora 4 e mëngjesit.
Të paktën 4 persona u shtuan në listën paraprake të viktimave që në orët e para.
Me hyrjen e tajfunit në kryeqytetin Manila, autoritetet thanë se i druhen një bilanci më të rëndë.
Rrëshqitjet e dheut dhe rrëzimi i pemëve i morën jetën tre personave, ndërsa një fëmijë 5 vjeç u mbyt si pasojë e rrjedhës së lumenjve që vërshuan ishujt qendrorë dhe jugorë të vendit.
Superstuhia shkatërroi dhe përmbyti banesa të tëra që u gjetën në udhën e vet.
Në provincën e Kavitesë u shpall gjendja e fatkeqësisë natyrore ndërsa aeroporti i kryeqytetit pezulloi shërbimin.
Qendra për menaxhimin e katastrofave njoftoi se deri 31 milionë njerëz mund të preken materialisht nga dëmet e supertajfunit.
Me qindra mijëra po strehohen në shkolla dhe godina të posaçme të përgatitura nga qeveria.
Nga spitalet janë zhvendosur edhe rreth 1 mijë pacientë me sëmundjen e kovidit-19 që ka vështirësuar edhe operacionet e evakuimit të banorëve.
Një ciklon tropikal më i dobët goditi rajonin javën e kaluar duke lënë 22 të vdekur.
Tajfunet janë dukuri e zakonshme për Filipinet dhe 100 milionë banorët e saj, që mes të tjerash ndodhen edhe në atë që njihet si Unaza e Zjarrit të Paqësorit, një zonë me aktivitet të shpeshtë sizmik dhe vullkanik që jo rrallëherë bëhe shkak për katastrofa të ndryshme natyrore.