Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi zhvilloi sot një takim me të rinjtë në qytetin e Cërrikut.

Problemi kryesor, si në të gjithë Shqipërinë, siç u shpreh kryetarja e LSI-së, edhe për Cërrikun është largimi i të rinjve.

Kryemadhi u shpreh gjithashtu se Lëvizja Socialiste për Integrim është partia e të rinjve.

Sipas saj, angazhimi kryesor i kësaj force politike  është të rinjtë t’i kthejmë vendimmarrës në politikë por dhe politikbërës.

Fjala e plotë e Kryetares së LSI, Monika Kryemadhi:

Ne me profesor Altin Idrizin jemi marrë jashtëzakonisht shumë, madje dhe ju vetë keni qenë kryetar i Grupit të Këshilltarëve të LSI-së në Baskinë e Elbasanit, kemi Sindin, kemi vajza dhe djem të cilët sot janë studentë, dhe edhe pse është ditë e shtunë kanë pranuar që të jemi në një bashkëbisedim për problematikat që ka universiteti, por edhe i gjithë arsimi shqiptar.

Sepse një nga problemet tona që ne ndjekim dhe që ka të bëjë drejtpërdrejt me jetën e përditshme, me standardin është arsimi. Një i ri apo e re e arsimuar sigurisht që kërkon standarde në punësim, kërkon një punë të mirëpaguar dhe aq më tepër kur flasim për një rini të arsimuar, aq më shumë është mundësia për të pasur një shtet, një sistem të zhvilluar. Në të kundërt do të kemi një rrënim të jetës së përditshme.

Mungesa e investimeve në arsim, jo vetëm në sistemin universitar, por edhe në atë të shkollave të mesme apo 9-vjeçare ka sjellë një mosbesim sidomos të familjeve të reja për sistemin arsimor në vend.

Platformat online, ju jeni vetë prezent, ne të paktën në takimet që kemi pasur me studentët e Universitetit të Tiranës kanë qenë jofunksionale, sidomos Fakulteti i Mjekësisë, ku nga mbi 300 studentë që ishin në vitin e parë, nuk arrinin të hynin dot më shumë se 100 studentë në platformë.

P[o ashtu edhe ligji i arsimit të lartë, që po ashtu ka problematikat e veta, që jo vetëm duhet të kenë autonomi universitetet, por edhe pavarësi financiare dhe një buxhet për sa i përket kërkimit shkencor, i cili sot është zero. Ky ligj i arsimit të lartë është një problem i madh, për të cilin ne mendojmë se ky ligj duhet shkruar nga universitetet publike në bashkëpunim me ato private, ku universitetet publike të jenë lokomotiva e këtij procesi, sepse në fund të fundit grupet e interesit, ku janë pedagogët dhe studentët, janë ata të cilët në bashkëpunim edhe me Parlamentin i japin gjithë sistemit arsimor një mundësi për ta zhvilluar.

Sepse në fund të ditës të gjithë studentët do të kërkojnë një diplomë që të jetë konkurruese jo vetëm për tregun e punës, por për të konkurruar në rajon, edhe pse jo edhe në botë.

Një nga problemet më të mëdha që kanë gjimnazistët është mungesa e një garancie se si do të ecin në fazën e dytë, atë të universitetit për këtë vit ku sapo kemi hyrë dhe cilat do të jenë jo vetëm mesatarja, dhe se sa të aftë do të jenë ata të përballojnë vitin e parë të universitetit me mbylljen e pandemisë.

Një tjetër problematikë në arsim është çështja e investimeve, që jo vetëm që janë zero, por janë të fokusuara thjesht në aspektin e fasadës dhe jo në aspektin e kërkimit shkencor për të rritur standardin dhe cilësinë e studentit dhe nxënësit.

LSI ka prioritet punësimin e të rinjve dhe duke pasur parasysh që teknologjia po krijon një lloj ekspansioni ose në lloj shpërndarje të jashtëzakonshme në të gjithë botën dhe duke pasur parasysh që edhe pandemia po riformaton metodologjinë e punësimit, absolutisht që njerëzit që kanë të bëjnë me teknologjinë, me IT-në janë të lidhur drejtpërdrejt. Ndërkohë që mundësitë e zhvillimit apo të arsimimit në këtë sektor janë zero, pasi ne kemi fakultete apo degë inxhinierike të cilat nuk e kanë mundësinë e laboratorëve për të krijuar dhe mundësuar praktikat e punës, ashtu sikurse kjo mungesë e mundësive të punësimit të të rinjve po kthehet në një shpopullim.

Vetë INSTAT-i kërkon të tregojë që ka rritur punësimin, por në fakt ka krijuar një punësim jo vetëm fiktiv, por edhe me një pagë minimale, me të cilën nuk arrin të paguash dot dritat, ujin e jo më të ushqehesh, të vishesh apo të krijosh familje.

Pamundësia tek të rinjtë si vjen? Vjen si rezultat e varfërisë së familjeve të tyre dhe kur prindërit paguajnë taksa të larta ndërkohë që u është premtuar që do të kemi ulje të taksave për familjet e varfra ose të mesme dhe taksa të larta për të pasurit, në fakt ka ndodhur e kundërta. Taksa progresive, e cila është reklamuar dhe është propaganduar shumë, nuk është kthyer në një taksë progresive për të paguar të pasurit më shumë taksa, por janë të varfrit që paguajnë më shumë. Janë oligarkët, të cilët marrin pjesën më të madhe të buxhetit, marrin 46 për qind të buxhetit të shtetit me koncesione, janë ata që i kanë zero taksat.

Pra, kjo lloj kontradikte e ka impaktin drejtpërdrejt në arsim, në shëndetësi, në shërbimet që shteti duhet ti ofrojë qytetarëve.

Universiteti i Elbasanit është një nga universitetet më të madh pas atij të Tiranës, ku faktikisht Elbasani është vetëm 17 minuta larg Tiranës, ndërkohë që ka mjaft studentë nga Elbasani që studiojnë në Universitetin e Tiranës. Unë kam takuar shumë prej tyre, që kanë mbaruar në degë shumë të mira, që kanë mundësi punësimi, por të gjithë kërkojnë të largohen nga Shqipëria, duke filluar që nga inxhinieria informatike, ekonomia informatike e të tjera me radhë.

Në fakt ne Elbasanin e kemi quajtur gjithmonë djepi i arsimit për shkak të shkollës së parë që është hapur këtu dhe ndoshta duhet parë në disa problematika që kanë të bëjnë jo vetëm me arsimin universitar, por edhe atë profesional, që është po ashtu i rëndësishëm, sepse ne sot kemi kamerierë të cilët presin dhe shikojnë për ato bakshishet, edhe pse në xhepin e tyre kanë një diplomë fakulteti juridik apo ekonomik, apo inxhinieri sepse është e vetmja mënyrë për të ndihmuar familjen dhe për të mbijetuar në këtë situatë krize dhe pandemie, ndërkohë që Elbasani ka mundësi pa fund dhe resurse pa fund përsa i përket zhvillimit të zonës duke pasur pjesën e zonës industriale, dhe është një nga qytetet që ka papunësinë më të lartë në Shqipëri.

Ne kemi një qasje ndaj të rinjve tërësisht ndryshe nga partitë e tjera, sepse vetë LSI është cilësuar si parti e të rinjve dhe të rejave, është cilësuar si një parti që ka bërë për të rinjtë. Ne do ta vazhdojnë këtë iniciativë që e kemi nisur ndër vite, sepse në fund të fundit të rinjtë janë e ardhmja e një vendi, e ardhmja e një kombi dhe nëse ju nuk do të bëheni pjesë e vendimmarrjes do të ishte shumë e vështirë për Shqipërinë dhe shqiptarët që ata të kenë një të ardhme të sigurt drejt Bashkimit Evropian.

Vetëm vullneti juaj, angazhimi, përfshirja juaj do të detyrojë këtë klasë politike që të krijojë hapësira dhe të risjellë kulturën politike ndaj qytetarit, ndaj votës.

Sot jemi 99 ditë nga 25 prilli dhe do t’ju ftojë secilin nga ju që çdo ditë të takonte, të ftonte një mik, një shok, një familjar, për të shkuar drejt kutisë së votimit më 25 prill, sepse kush ndihet i varfër, kush ndihet i shfrytëzuar, i pambështetur, i dobët, të shkojë më 25 prill dhe të ndëshkojë atë politikë arrogante që e ka varfëruar.

Dhe kush kërkon të përfshihet dhe të shkojë përpara të shkojë më 25 prill dhe të votojë për atë shok, atë mik, të cilin e përfaqëson, i jep dorën për të ecur përpara.

Përfshirja në politikë do të thotë të shkosh të votosh, të kërkosh llogari, të qëndrosh përballë çdo politikani, deputeti apo partie politike që e shfrytëzon votën tënde për të mirat e veta dhe nuk e kthen këtë në një përfitim për të gjithë komunitetin.

Ne në Elbasan kemi mundësi pa fund për ta treguar këtë, për të krijuar ndryshime dhe hapësira. Ne kemi dhënë kontributet tona për politika të caktuara zhvillimore për qytetin e Elbasanit edhe kur ka qenë puna për tu përfshirë në institucione.

Sigurisht që duhet të punojmë më mirë, por kjo bëhet edhe duke u përfshirë ju të rinjtë me entuziazmin, me energjinë tuaj dhe ndryshimi mund të vijë vetëm prej jush.