Edmond Haxhinasto në takimin me gratë në Njësinë 4

Është kënaqësi dhe për mua që ju takoj. Me një pjesë prej jush njihemi, me një pjesë takohemi për herë të parë. Keni një sfidë shumë të madhe, për 99 ditë tashmë, ecën ora, ka filluar tik taku. Dhe patjetër që në mënyrë të padiskutueshme angazhimi juaj është shumë i rëndësishëm për të sjellë atë ndryshim që e dëshirojmë më 25 prill. Angazhimi juaj në fakt nuk është vetëm zgjedhor, angazhimi juaj është shumë më i gjerë, pasi ju jeni të gjitha gra të zonja, drejtuese të zonja, menaxhere të zonja, derisa menaxhoni familjen dhe rrisni fëmijët, patjetër që ju mund të bëni shumë më tepër dhe nga ky këndvështrim, ju në fakt duhet të keni një ndihmë shumë të madhe, edhe nga familjarët, por edhe nga politikat që bën qeveria. Duhet t’iu ndihmojë edhe në aspektin ekonomik, edhe në aspektin e punësimit, edhe në aspektin e rritjes së fëmijëve, në aspektin e daljes së fëmijëve në jetë dhe pa diskutim që t’i keni fëmijët këtu.

Ne e kuptojmë që shpopullimi dhe largimi i të rinjve është një plagë e madhe për Shqipërinë, por besoj se plagë më e madhe është për nënat, se ato e përjetojnë dhe e vuajnë më shumë këtë gjë dhe ne e kemi si një prioritet kryesor që ta ndalojmë shpopullimin e vendit dhe largimit të të rinjve. Shqipërisë i duhen të rinjtë për ta ndërtuar, i duhen njerëz të kualifikuar, njerëz me zanate, i duhen mjekët dhe infermierët. Na duhen këtu të gjithë, që edhe ju t’i gëzoni ata, por edhe ata të shijojnë vendin e tyre dhe të kontribuojnë për vendin e tyre. Kështu që e kemi prioritet.