Të paktën 9 të dyshuar si përgjegjës për vdekjet dhe dëmet materiale nga tërmeti i fuqishëm në qytetin turk të Izmirit, kanë dalë para gjykatës.

Prokuroria lëshoi 11 urdhërarreste për kontraktorët dhe inxhinierët e blloqeve të godinave të shembura të premten e kaluar, por 2 prej tyre u liruan me kusht ose po trajtohen vetë në spital.

Prokurorët arsyetojnë se 17 ndërtesat nuk i rezistuan dot lëkundjeve sizmike me magnitudë 6.6 pasi nuk ishin ndërtuar në përputhje me rregullat, akuzë kjo e mohuar nga të pandehurit.

Dëmet më të mëdha i pësuan godinat e kontraktorëve të caktuar në rrethin Bajrakli të Izmirit.

Sipas autoriteteve, numri i viktimave nga tërmeti që tronditi rajonin e Egjeut është rritur në 114.

Tërmeti u mori jetën edhe 2 fëmijëve në ishullin grek të Samosit kur po ktheheshin nga shkolla.

137 persona po marrin ende trajtim për plagët, shumica prej tyre të shpëtuar nga gërmadhat.

Operacionet e kërkim-shpëtimit u mbyllën të mërkurën pasi pesë ditëve punë intensive.

Turqia është ndër zonat më aktive sizmike në botë dhe ka pësuar tërmete shkatërruese në të kaluarën, përfshirë tërmetin me fuqi prej 7,6 ballë dhe 17 mijë viktima në Marmara në vitin 1999.