Dy fëmijë kanë humbur jetën në ishullin grek të Samos, vetëm 19 kilometra nga epiqendra e tërmetit shkatërrues.

Mediat greke bëjnë me dije se fëmijët, një vajzë dhe një djalë të moshës 16 dhe 17-vjeç, po ktheheshin nga shkolla kur i ka zënë poshtë një mur që është shembur nga lëkundjet e forta.

Kryebashkiaku i Samos tha se shumë ndërtesa janë shembur dhe të paktën 10 persona kanë mbetur të plagosur.

Sakaq, në Izmir të Turqisë është shënuar numri më i lartë i viktimave, deri tani 6 persona raportohet se kanë humbur jetën dhe 202 kanë mbetur të plagosur.

Kërkimet për shpëtimin e të bllokuarve nën rrënoja janë duke vijuar.