Ankaraja ka angazhuar anijen e saj “Oruç Reis” që të vazhdojë deri në datën 14 nëntor analizat sizmike dhe eksplorimet për burime energjetike në Mesdheun Lindor.

Turqia njoftoi se mjeti lundrues nga të rrallët në botë në këtë fushë, do operojë brenda shelfit kontinental të vendit në shoqërinë e dy anijeve të tjera të flotës turke.

Por të dielën Ministria e Jashtme në Athinë protestoi ndaj vendimit duke konsideruar se zona ku do operojnë anijet mbivendoset me territorin grek.

“Turqia vazhdon të shpërfillë apelin e komunitetit ndërkombëtar, konkluzionet e Këshillit Europian. Ato cenojnë perspektivën e dialogut konstruktiv dhe ne e kemi njoftuar palën tjetër, aleatët dhe partnerët tanë për sjelljen vazhdimisht provokuese të Turqisë,” reagoi kryediplomacia greke.

Zëdhënësi i qeverisë ftoi palën turke të veprojë për shmangien e konfliktualitetit.

Dy shtetet anëtare të NATO-s kanë pretendime të kundërta për sa i përket burimeve hidrokarbure dhe përmasave të shelfeve përkatëse kontinentale në Mesdheun Lindor.

Përplasjet kanë përfshirë edhe administratat e ndryshme turko- dhe greko-qipriote në ishullin e Qipros.

Ankaraja ka kërkuar që burimet energjetike përreth ishullit t’i shfrytëzojnë në mënyrë të drejtë si grekët, edhe aleatët e vet turko-qipriotë.

Anija eksploruese turke “Oruç Reis” dhe platforma tjetër “Javuz” për nxjerrjen e naftës dhe gazit ndodhen prej javësh në ujërat mesdhetarë ndërsa Këshilli Europian kujtoi se Turqia ka kohë deri në muajin dhjetor për t’u tërhequr nga rajoni ose do të përballet me pasojat.