Nënkryetarja e LSI-së, Erisa Xhixho thotë se qeveria duhet të jetë transparente me vaksinën antiCovd. Në një status në Facebook, Xhixho thotë se nëse nuk ka transparencë nuk mund të garantohet mbrojtje dhe shpërndarje në popullsi.

Xhixho sjell në vëmendje aktin normativ të qeverisë, që sipas saj krijon konfuzion. Ajo thotë se në këtë moment të vështirë duhet komunikim i sinqertë më qytetarët dhe jo marrëveshje të fshehta.

Ajo shprehet se Kryeministri dhe qeveria kanë detyrimin dhe përgjegjësinë ti raportojë popullsisë urgjent, sa doza vaksine, kur e si do behet shpërndarja, në bazë të cilave kushteve e planeve operacionale.

“Nuk kemi dëgjuar asnjë precedent, që qeveritë në vend tjetër të botës procedojnë në këtë mënyrë që shton ankthin e popullatës dhe nuk jep asnjë siguri”, thotë Xhixho.

Reagimi i plotë i Erisa Xhixhos:

Vaksina e Covid-19 është një çështje shëndeti publik me impakt madhor tek jetët e njerëzve, qytetarët kanë të drejtën e informimit dhe qeveria duhet të bëjë transparencë.

Në qoftë se s’ka transparencë si do garantohet mbrojtja dhe shpërndarja, mbi të gjitha aksesi i barabartë për të gjithë shtresat e popullsisë.

Në një vend mbytur në korrupsion rreziku arbitraritetit dhe favorizimi në akses i njerëzve me pushtet është tepër prezent për të patur marrëveshje sekrete. E paparë e padëgjuar.

“FLETORE ZYRTARE

E mërkurë, 13 janar 2021, Viti: 2021 – Numri: 5

“Akt Normativ nr. 1, datë 10.1.2021 për miratimin e tekstit të Marrëveshjes, për prodhimin dhe furnizimin, nga dhe ndërmjet PFIZER EXPORT BV, dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Shqipërisë, Institutit të Shëndetit Publik, dhe Ministrit të Shtetit për Rindërtimin, autorizimin e procedurës për lejimin e hyrjes dhe administrimit të vaksinave anti-covid-19 në Republikën e Shqipërisë, si dhe përdorimin e tyre në popullatë”

Neni 4 “Përjashtimi nga detyrimet”

  1. Marrëveshja për prodhimin dhe furnizimin, nga dhe ndërmjet Pfizer Export BV dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ministrit të Shtetit për Rindërtimin dhe Institutit të Shëndetit Publik, për shkak të sekretit tregtar dhe kërkesës së shprehur në marrëveshje nga Pfizer Export BV nuk do të publikohet në asnjë website të institucioneve apo në Fletoren Zyrtare.
  2. Të gjitha institucionet e përfshira në dhënien e mendimit, të miratimit apo janë pjesë e procesit kanë detyrimin të mos bëjnë publike marrëveshjen bashkëlidhur këtij akti normativ apo pjesë të saj.

Neni 6 “Hyrja në fuqi”

Ky akt normativ hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare. “

Me këtë akt normativ që do hyje në fuqi me dt.28 Janar qeveria shqiptare krijon konfuzion, në një moment shumë të vështirë i cili kërkon domosdoshmërisht komunikim të sinqertë me qytetarët dhe jo fshehje të marrëveshjes që rregullon vaksinimin në vend. Nuk kemi dëgjuar asnjë precedent, që qeveritë në vend tjetër të botës procedojnë në këtë mënyrë që shton ankthin e popullatës dhe nuk jep asnjë siguri.

Kryeministri dhe qeveria Shqiptare kanë detyrimin dhe përgjegjësinë ti raportojë popullsisë urgjent, sa doza vaksine, kur e si do behet shpërndarja, në bazë të cilave kushteve e planeve operacionale.

Sot kërkohet transparencë e plotë, përgjegjshmëri nga drejtuesit e vendit edhe plan konkret për menaxhimin e kësaj situate të rëndë e urgjente.

Qeveria nuk duhet ta harrojë se behet fjalë për shëndetin e qytetarëve, shëndetin e familjeve tona, prindërve dhe fëmijëve tanë, të ardhmen e vendit. Nuk bëhet fjalë këtu për propagandën boshe! Është e trishtë e tej mase shqetësuese që në çdo vendimmarrje, kjo qeveri vazhdon të konfirmojë papërgjegjshmërinë e saj dhe mungesën e profesionalizmit.