Nga Petrit Vasili

Pandemia dhe qeveria “Rrofsha unë!

Menaxhimi i pandemisë në Shqipëri ka ecur qartazi në rrugën e spontanitetit, improvizimeve të ditës dhe askurrë në kriterin mbretëreshë të veprimeve bazuar në evidencë.

Masa kufizuese butaforike gjithmonë pa rezultat dhe për më keq me rezultate gjithnjë e më negative, që e kanë bërë natyrshëm publikun mosbesues dhe jo bashkëpunues.

Autoblindat në vend të testimeve, financim minimal disa herë më i vogël edhe se Kosova, një numër 127 në vend të mobilizimit të sistemit primar pra mjekut të familjes, shkëputje të mjekut nga pacienti, kaos organizativ dhe më e shëmtuara propagandë violente deri në idiotësi në vend të masave konkrete, ky ka qenë lajtmotivi i sjelljes së qeverisë në pandemi.

Kujdesi i vetëm që qeveria dhe Edi Rama kanë pasur nuk ka qenë jeta e njerëzve, por vetëm

slogani “Rrofsha unë”.

Ndërkohë që nga fillimi i pandemisë rastet rriten me rreth 40 herë qeveria vazhdon me “Rrofsha unë”.

Që nga vënia e detyrimit të gjobave për maskat rastet rriten me dhjetëra herë, këta vazhdojnë me “Rrofsha unë”.

Testimet rriten vetëm 2 herë dhe rastet 40 herë këta vazhdojnë me “Rrofsha unë”.

Fillojnë të flasin për mjekun e familjes tetë muaj pas fillimit të pandemisë dhe prapë “Rrofsha unë”.

Asnjë parametër i pandemisë nuk është ulur.

Vdekjet janë shtuar duke mos zbatuar edhe qëndrimin e OBSH për to, që kërkon: “COVID 19 duhet të shënohet në certifikatën e shkaqeve të vdekjes, për të gjitha rastet në të cilat sëmundja (COVID 19) ka shkaktuar, ose mendohet të ketë shkaktuar ose kontribuar në humbjen e jetës”.

Këmbëngulja e qeverisë dhe çdo përfaqësueseje të saj, që si papagaj të tromaksur përsërisin refrenin: “I kemi bërë të gjitha, kemi mijëra strategji gati”, etj broçkulla si këto, kanë përballë një realitet të hidhur, që flet vetë në mënyrë dramatike dhe ku mijëra qytetarë nuk bëjnë dot një tampon apo rrinë me orë të tëra nëpër autoambulanca përballë spitaleve ku nuk shtrohen dot.

Slogani i qeverisë “Rrofsha unë” është sa butaforik dhe qesharak, aq edhe tragjik sepse mijëra qytetarë luftojnë për jetën te pa mbështetur nga qeveria.

Beteja për jetën nuk fitohet me “Rrofsha unë”.